Nuk të shpëton Kerry
“Në Kavajë përqeshi kërkesën perëndimore për të larguar nga posti kryetarin e bashkisë të qytetit. Ndërsa në Tiranë manifestoi autoritetin e Njëshit mbi këdo. E dini pse tha se “në qoftë se Meta nuk pranon reformën tonë, ndahemi nga Met”? E dini pse? Sepse Ilir Meta, kryetari i Kuvendit “nuk është shok i Kerry-t”. Sipas këtij, natyrisht. Nesër kur kryeministri do të guxojë të flasë pa frena, ky do t’i drejtohet aleatit: ” Hë mo, të takoi Kerry ty!? Jo. Atëherë matu kur flet me mua”…
Nga Frrok Çupi
Mu duk se dikush në televizion, një nga aleatët politik të kryeministrit, gati po iu thoshte dëgjuesve: “Hej!, rrini urtë, se Edi Rama, me një të lëvizur të syrit ta sjell Amerikën këtu e të bën përshesh”… Në fakt politikani i cituar, një avokat i burgosur në epokën e komunizmit, tani i Partisë për Drejtësi dhe Ligj, tha se Edi Rama e solli Kerry-n në Tiranë me qëllim që amerikani t’iu tërheqë veshët këtyre të opozitës dhe të gjithëve që nuk binden… Po ta lexosh në sensin e naivitetit ekstrem që mban deklarata e aleatit politikan, del se Kerry është “shoku i Ramës” dhe se Rama mund të bëjë çfarë t’i dojë qejfi sepse “e mbron Kerry”. Domethënë kryeministri dhe qeveria e tij mund të korruptohen!, mund të shajnë e të fyejnë këdo!, mund të ushtrojnë dhunë!, mund të vjedhin (siç edhe po shfaqen përditë), dhe megjithatë askush nuk ka ç’iu bën…
Këtë seriozitet tragjik manifeston naiviteti fëminor i shprehur jo pa qëllim nga avokati politikan. Këta e dinë sa shumë naivitet ka në radhët e popullit të zakonshëm, sidomos kur bie fjala për aleatët dhe superfuqitë…
… Çuditërisht, thuajse papritur, vijnë e përplasen pamje paralele, sa aktuale të ditës, aq edhe aktuale por jo të ditës.
Ja njëra paralele:
Sapo sekretari i shtetit i SHBA, zoti Kerry la vendin tonë, bash në atë kolonë lajmesh, agjencitë e lajmeve shkruan se në Izrael burgoset kryeministri i shtetit i viteve 2006-2009. Zoti Eduh Olmert, përfaqësues i Partisë Kadima, është gjetur fajtor për veprën kriminale të korrupsionit dhe prandaj është burgosur edhe pse kaluan shtatë pas veprës kriminale. Olmert dhe vetë Izraeli njihen si aleatë historik të Shteteve të Bashkuara… Paralele me këtë vjen linja politike qeveritare e Tiranës. Këta, sapo u shfaqen në praninë e përfaqësuesit të shtetit të SHBA, manifestuan garancitë për vetveten. Kryeministri iu sul Presidentit të Republikës dhe e bëri “zhele” tek i tha se Kerry ty të priti te shkallët, ndërsa mua në zyrën time!. D.m.th., i tha se “Kerry veç mua më ka shok”. Por deklarata nuk vriste veç mbi prestigjin e kreut të shtetit… Jo. Deklarata e kryeministrit vret dy ekstreme të tjerë: Një pjesë të vulgut që dëgjon e thotë sa i fortë është ky me shokë në Amerikë. Dhe pjesën tjetër, që është gjyqësori, prokuroria si dhe tenderuesit e financave të shtetit. Këta të gjithë tremben e bëhen sa një grusht dhe i hapin rrugë guximit kriminal të njeriut që ka “mbrojtjen amerikane”.
Kryeministri është shoku i Kerryt!… Absurd
… Naiviteti dhe inkriminimi merr rrugën që nga piramida qeverisëse dhe zbret poshtë, atje ku qeverisësit aktualë e quajnë “bazë”.
Në qeveri:
Kryeministri i Republikës, sapo u kthye në zyrë pas “Good bye!” me zotin Kerry, urdhëroi shkarkimin menjëherë të Ministrit të Financave. Njerëz pranë kryeministrit thonë se sikur Kerry t’i kishte qëndruar me pamje të ashpër dhe qortuese, Rama nuk do të guxonte ta hiqte ministrin. Sepse heqja e ministrit thonë se lidhet me një vepër korrupsioni dhe vjedhjeje. Opozita ka denoncuar, por edhe dëshmitarë nga brenda, kanë dëshmuar. Edi Rama ka vendosur që koncesionin për mbledhjen e TVSH t’ia akordojë një kompanie të lidhur me vëllain e vet. Koncesioni kushton 140 milionë euro, një pasuri gjigante që vjen në xhepat e kryeministrit(!). Ministri që u hoq, u hoq sepse nuk pranoi ta firmosë aferën. Këtu lidhet krimi i korrupsionit. Në naivitetin e shtresës së ulët, kjo do të thotë se sikur Kerry të mos ishte shfaqur si shok i Ramës, ky nuk mund të bëjë akte. Ky yni mendon se është aleat më i mirë se zoti Olmert, ose se vetë Izraeli…
Naiviteti i shfaqur në koalicion:
Që në atë moment kur u shfaq në krah të Sekretarit të Shtetit, kryeministri i Shqipërisë mori guxim të bëjë të kundërtën e dekriminalizimit dhe të reformës. Në Kavajë përqeshi kërkesën perëndimore për të larguar nga posti kryetarin e bashkisë të qytetit. Ndërsa në Tiranë manifestoi autoritetin e Njëshit mbi këdo. E dini pse tha se “në qoftë se Meta nuk pranon reformën tonë, ndahemi nga Met”? E dini pse? Sepse Ilir Meta, kryetari i Kuvendit “nuk është shok i Kerry-t”. Sipas këtij, natyrisht. Nesër kur kryeministri do të guxojë të flasë pa frena, ky do t’i drejtohet aleatit: ” Hë mo, të takoi Kerry ty!? Jo. Atëherë matu kur flet me mua”.
Naiviteti me pronën e të gjithëve:
Po bie ekonomia; nuk vijnë në shtet taksat dhe fitimet që dalin nga xhepat e popullit. Por rritet numri i të varfërve. Qeveria po fut duart në gjithë pasurinë publike. Po përvetësohen shuma të mëdha të destinuara për shëndetësinë. U shteren investimet. Mafia shtetërore po rrëmben parqe, toka, vlera, pasuri. Edhe Parku i fundit i mbetur për qytetarët e kryeqytetit, po ikën. Askush nuk jep llogari. Askush nuk ndalon. Askush nuk do t’ia dijë se ka forcë populli dhe autoritet ligji. Jam i sigurt se përveç vesit të plaçkitjes, këta po mendojnë edhe se “Kerry është shoku ynë”. Domethënë superfuqia që ka nevojë t’i bëjmë nder me dymijë muxhahedinë të strehuar, “s’ka si bën pa mua”…. (!)
Naiviteti i krahasuar me aktualitetin e ndodhur jo sot.
Psikozën qeveritare se “mund të bëj gjithçka” përderisa kam në krah fuqitë e mëdha, e nguliti fort periudha e diktaturës komuniste. Vetë diktatori u fuqizua si diktator duke u nisur që nga fotografitë në takimet me Stalinin, me Dimitrovin, me Titon e Mao Ce Dunin.
Naiviteti “i shokut” zbriti te vulgu, te të munduarit. Aty e mori fuqinë më të madhe dhe njëkohësisht rrënimin më të madh. Njerëz të varfër, të shtypur e të përbuzur, nisën të jenë “shokë të Dikujt”. Emrat e Tarasit, Maos, Josif Stalinit, Vladimir Leninit, Monika Sihanuk, etj., u bënë emrat e fëmijëve në familjet që kërkonin hijen e tjetrit.
Pastaj!?…
Pastaj ndodhitë u treguan si barsoleta nëpër tavolina. Ra mburrja, ra edhe naiviteti.
Kjo është paralelja.
Më në fund edhe kryeministri i korruptuar i Izraelit u burgos. Aleatët nuk bënë asgjë.