Numri dy në PS, Taulant Balla po rrezikon Ramën
Historia e biznesmenit të ri Edmond Bego, ish i dënuar në Itali si pjesë e bandës së Aldo Bares në Lushnje, siç akuzon PD, nuk do të ishte bërë publike nëse nuk do të ishte arrestuar në Greqi një javë më parë. Informacione të besueshme të një ambasade të rëndësishme perendimore në Tiranë thanë për KJ se dosja e tij ka qenë në tavolinë dhe u aktivizua pikërisht për ti treguar kryeministrit dhe politikës se numri dy në PS ka probleme me njerëzit e krimit. Pra Bego aty ishte, dihej se kush ishte dhe çfarë bënte. Mesazhi ishte për Edi Ramën për ti thënë se duhet të jetë syhapur edhe në kupolën e PS-së. Dikush pohon se Rama i di të gjitha, edhe çfarë ndodh në qeveri, por edhe në selinë rozë. Mund të jetë e vertetë, por gjithsesi sinjalin ndërkombëtarët dhe shërbimet intelegjente ia “postuan” kryeministrit nga Greqia me ndalimin e mikut më të ngushtë të sekretarit të përgjithshëm.
Zyrtarisht ndaj Edmond Begos, që në sistemin e policisë shqiptare dhe asaj italiane figuron me pesë emra, nuk ka asnjë hetim dhe asnjë dënim për të kryer, ndaj dhe u lirua tre ditë më parë nga autoritetet e Greqisë. Por ndalimi në Greqi, pas denoncimeve të Partisë Demokratike, zbuloi lidhje të Edmond Begos me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste. Nën sulmin e akuzave të PD, Sekretari i Përgjithshëm i PS dhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla pranoi para mediave se kishte njohje familjare me Edmond Begon. Taulant Balla, zyrtarisht numri dy i Partisë Socialiste, theksoi se edhe pse kishte miqësi me Begon asnjë herë nuk i kishte ofruar mbrojtje apo mbështetje politike. Zyrtari i lartë i PS kërkoi dhe nga mediat që të ishin më të kujdesshme kur akuzonin një qytetar të lirë, i cili sipas ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, i ka shlyer detyrimet e tij ndaj drejtësisë. Si rrallë herë në debatet e politikës shqiptare, në mbrojtje të Edmond Begos doli dhe hoxha i një xhamie në Tiranë, Ahmet Kalaja. Njeriu i fesë ndërhyri në punët e shtetit dhe politikës duke thënë se një njeri që ka kryer dënimin nuk mund të sulmohet publikisht për të njëjtin faj. Në denoncimet e fundit të Partisë Demokratike ka fakte të reja që nuk merren me të kaluarën e Edmond Begos, por me aktivitetin e tij si biznesmen, pas vuajtjes së dënimit. Që nga viti 2015, një nga kompanitë ku Edmond Bego është pronar rezulton se ka 20- fishuar fitimet. Bëhet fjalë për shuma marramendëse që asnjë kompani tjetër biznesi nuk ka arritur ti realizojë. Deri këtu nuk ka asnjë problem ligjor, çdo biznes është në të drejtën e tij t’i 100- fishojë fitimet. Problemi del te mënyra sesi janë bërë kontratat. Sipas Partisë Demokratike, kompania e Begos rezulton se ka shtuar fitimet duke marrë tendera nga institucionet shtetërore. Në denoncimin e PD thuhet se “rasti më flagrant është ai i ndërtimit të autostradës së Elbasanit. Partia Demokratike ka vërtetuar se kompania “Inerte Express” e trafikantit të drogës dhe mikut të familjes së Taulant Ballës ka përfituar 10 milionë euro që nga viti 2015 deri më sot nga paratë e taksapaguesve shqiptarë”.
Në të vertetë është shumë e madhe fitimi kjo në kushtet e Shqipërisë, ndonëse Bego mund të jetë organizator shumë i mirë. Fakti që fitimet janë shtuar me tenderime nga buxheti i shtetit të bën të dyshosh. Edhe vetë Taulant Balla, nëse nuk ka gisht në këtë pasurim të mikut me pushtetin e tij politik, duhet të jetë habitur se si ka mundësi ka shumë miliona euro një firme në pak vite. Dhe të gjitha në vitet e PS-së. Ndërkohë në një tjetër denoncim nga selia blu deklarohet se e njëjta kompani ka marrë tenderin e ndërtimit të nënstacioneve elektrike në Librazhd. Vlera e këtij tenderi llogaritet një miliardë lekë. Në këtë pikë nisin dyshimet për lidhjet e Edmond Begos me zyrtarët e PS dhe konkretisht Sekretarin e Përgjithshëm, Taulant Balla. “Dokumentat tregojnë se tenderi i OST-së me vlerë 100 milionë lekë (të reja) i është dhënë trafikantit të dënuar me 21 vjet burg për drogë, në fillim të verës, në zemër të zonës elektorale të Taulant Ballës, në Librazhd”,- akuzoi dy ditë më parë deputeti i PD, Edmons Spaho. Ndërkohë profili i kompanisë së Edmond Begos nuk ka asnjë lidhje me ndërtimet në sektorin e energjisë.
Në denoncimet e PD të dy tenderat me shifra të konsiderueshme lidhen me zonën elektorale të Taulant Ballës në Qarkun e Elbasanit. Gjithashtu edhe fakti që biznesi i Edmond Begos është 20-fishuar pas ardhjes në pushtet të PS, sipas opozitës, tregon se biznesmeni dikur i dënuar për trafik droge, është ndihmuar nga zyrtari i lartë i Partisë Socialiste. Edhe zoti Balla ka mundësi të ndodhet ngushtë, kur dëgjon këto shuma të mëdha që lëvrijnë nga buxheti i shtetit të një firmë private. Flasim poqëse nuk ka gisht Balla si numri dy në PS. Edmond Bego nuk po akuzohet nga PD për lidhjet e dikurshme me bandën e Lushnjës, për të cilat ka kryer dënimin, sipas ligjeve. Nuk po akuzohet se përse merret me biznes, por për mënyrën sesi kompanitë e tij mund të jenë ndihmuar nga zyrtari i PS, Taulant Balla, i cili e pranon vet se e ka mik familje. Pikëpyetjet për tenderat e fituar qëndrojnë dhe ato kërkojnë një përgjigje publike nga Taulant Balla. Në këtë histori nuk diskutohet miqësia e Ballës, por roli i tij si njeriu më i pushtetshëm pas Edi Ramës në Partinë Socialiste dhe në qeveri. Sekretari i Përgjithshëm i PS dhe kryetari i grupit, sipas statutit të partisë, mund t’u kërkojë llogari ministrave, mund të thërrasë në raportim çdo anëtar qeverie dhe drejtor. Gjithë ky pushtet që Taulant Balla ka grumbulluar në këto pak vite, siç thotë PD, mund të jetë përdor për të favorizuar miq të tij që rezultojnë se kanë shumëfishuar të ardhurat. Indirekt nga kryetar i deputetëve të PS, nga ato që pretendon PD-ja, rezulton të jetë kthyer në kryetarin e grupit të biznesmenëve afër qeverisë. Për të gjitha këto akuza të bëra nga PD duhet që Taulant Balla, por edhe vetë kryeministri Edi Rama të reagojnë publikisht. Nëse Sekretari i Përgjithshëm i PS ka kaq shumë pushtet, sa ndikon edhe në firmat e ministrave dhe drejtorëve të rëndësishëm të qeverisë, kjo histori ngre dhe shumë dilema për vendimmarrjen e kryeministrin Edi Rama. Sepse nëse akuzat e PD vërtetohen dhe nga institucionet e tjera, numri dy i PS, Taulant Balla rrezikon dhe numrin një të qeverisë, Edi Rama.
Nuk ka njeri që e beson se Taulant Balla merr frymë pa lejen e Edi Ramës. Sepse nëse është ndryshe, pra që nën hijen e kryeministrit-kryetar të PS-së numri dy në selinë rozë ka më shumë pushtet mbi ministrat, atëhere del se Edi Ramën e kapin për hunde.
E fundit, duhet pranuar se ky skandal publik prodhon kosto të madhe mbi PS-në dhe kryesisht te Edi Rama.
Qamil Xhani