Oborri i mëkatarëve

 

 

Nga Dritan Hila.

Tashmë pas dy vjet të plota qeverisjeje dhe pasi kanë kaluar 3/5 e mandatit efektiv, kemi të qartë disa të vërteta mbi personazhin Edi Rama, si figurë e nivelit kombëtar, cilësim jo domosdoshmërisht i përputhshëm me atë çka ai ofron.

Si fillim u vërtetua katërcipërisht që Rama ka lidhje mjaft relative me të vërtetën, ku e vërteta është ajo që i duhet atij dhe jo ajo që është. Modeli i përzgjedhur prej tij për të bërë politikë është ai i Berishës.

Mësuam se këmbëngulja për mos të ndërruar qeverinë, tashmë nuk ka lidhje me përgjegjësitë që ka një kryetar qeverie për të ndërruar kuajt e karrocës për shkak të zgjedhjes së gabuar në fillim, qoftë për shkak të qorrollepsjeve që mund të kenë bërë këta kuaj në rrugë e sipër. Por është këmbëngulja e një shefi i cili i ka urdhëruar vartësit e tij të bëjnë shkelje, favorizime, faje financiare, duke i shpërblyer më pas për këtë sakrificë me mbështetje politike dhe financiare, gjithmonë me paratë e buxhetit të shtetit. Ndaj nuk ka asnjë arsye pse duhet të ndërrohet ndonjë ministër, pasi ata janë zbatuesit direkt të urdhrave të tij.

Aleati i tij mediatik do të jetë Televizioni Klan dhe pronari i tij Aleksandër Frangaj, çka e deklaroi brenda studiove të Top Channel, duke konfirmuar edhe një herë se mirënjohja për të nuk është një virtyt njerëzor por një ves qeni. Njeriu që mori pjesë në marshimin solidar për lirinë e shtypit në Francë me rastin e atentatit ndaj “Charlie Hebdo”, nuk nguron ta vërtetojë se e përdor median si mantenutë, kur deklaron gjithë arrogancë se nuk e lexon, ndërkohë i përdor nën rrogoz duke shkelur parime ligjore dhe morale.

Me dhënien e lejes së ndërtimit për Delijorgjin, përgjegjësin direkt të tragjedisë së Gërdecit, ra edhe karta e fundit morale e tij, duke kompromentuar rëndshëm edhe kredon e partisë që përfaqëson. Viktimat e asaj tragjedie, të vrarët e ngjarjeve që erdhën më pas, nuk do të marrin kurrë drejtësi. Edi Rama, si kryeministër dhe kryetar i PS, duhet të luante çdo gur që kjo mos të ndodhte. Mesa duket është i pa ndjeshëm ndaj kauzave politike, të vrarëve për ato kauza, dhe me dobësi patologjike ndaj njerëzve që kanë para dhe e përdorin atë për korruptimin e pushtetit siç Delijorgji e përdori në ngjarjen e Gërdecit, dhe nuk ka arsye pse mos ta përdorë tani dhe më tej.

Biznesi i madh janë miqtë e tij dhe ai është përfaqësuesi i tyre. Në vend të aleancave me njerëzit që e kanë votuar, të papunët, pensionistët, biznesin e vogël dhe të mesëm, ka zgjedhur biznesin e madh. Koncesionet dhe favorizimet për Vilma Nushin, Agron Papulin, Pandi Carapulin, e të tjerë personazhe të botës së biznesit të madh, edhe nëse do të ishin në përputhje me ligjin duhet të kishin sjellë ndërhyrjen e kryeministrit për thyerjen e një situate monopol, ku një grusht biznesmenësh marrin gjithçka, pasi kjo sjell bllokimin e ekonomisë. Favorizimi i tyre prej shefit të qeverisë, nxit dyshime të rënda të interesave të mëdha korruptive.

Sa i takon Partisë Socialiste, tashmë ajo është kthyer në një lodër të tij. Zërat sporadikë, ose shtypen, ose blihen. Rasti i Valentina Leskajt, djalit të së cilës iu dha një pjesë e tërë e sistemit hekurudhor, kompromentoi të ardhmen e hekurudhave, por dhe tregoi mënyrën e paskrupullt ku është katandisur menaxhimi i kësaj partie. Aleatët të tij elektoralë do të jenë bizneset e mëdha dhe njerëzit e lidhur me punën e shtetit. Të tjerë do të jenë nostalgjikët e lidhur me siglën e PS-së, të cilës i ka mbetur vetëm lëvozhga.

Gjatë këtyre dhjetë vjetëve në krye të së majtës, Rama nuk ka ngurruar të dekurajojë çdo frymëzim që vjen nga jashtë dhe mund t’i rrezikonte qenien e tij. Me nuhatjen proverbiale që i kompenson mungesën e fantazisë politike, ka vjedhur ngjyrat e Podemos-it spanjoll dhe ka tejkaluar Tsiprasin e Greqisë duke hequr kollaren dhe veshur xhinse. Instinkti i mprehtë i intrigës, i ka këshilluar që krahas sabotimit të alternativave të majta që mund të shpojnë flluskën e tij politike, të akaparojë edhe imazhin e tyre nëpër botë, duke lënë kundërshtarët potencialë përballë një shkretie politike që e stimulon vazhdimisht. Dhe deri më sot ia ka dalë.

Problemi i mprehtë i Ramës mbetet me të ardhmen. Në kushtet e një krize të madhe ekonomike, lehtësia me të cilën po e polarizon vendin, do të çojë ose në kaos social, në revolucion të drejtësisë, ose në përmbysje totale politike. Për të shmangur kaosin, jep çdo ditë shfaqje mediatike. Për të shmangur goditjen nga drejtësia, do të shërbejë reformës që po ndërrmer, pasi vetëm një naiv mund të mendojë se pas gjithë këtyre shkeljeve të tij, Rama ka vullnetin e një gjyqësori të pavarur. Por nëse për një çudi të Zotit revolucioni në politikë a drejtësi ndodh, atëherë nuk do jetë e vështirë për të gjetur fajtorët. Do jenë një grusht njerëzish që kanë grabitur në këto 25 vjet pasurinë kombëtare dhe sot gjenden në oborrin e Edi Ramës.

SHKARKO APP