ONM: Nuk justifikon pasurinë? Burg për gjyqtarët e prokurorët
Duke filluar nga muaji shtator pritet të nis konkretisht zbatimi i Vettingut në drejtësinë shqiptare. Pas emërimeve në institucionet e reja të drejtësisë do të nis dhe kontrolli i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Çdo funksionar i sistemit të drejtësi në vend do të jap llogari për pasurinë, do të testohet për aftësitë profesionale, si dhe do të verifikohet për pastërtinë e figurës gjatë gjithë jetës së tij. Ky operacion pritet të jetë më masivi në gjithë historinë e drejtësisë shqiptare. Një pjesë e tyre kanë dhënë dorëheqjen ende pa nisur zbatimi i bazës ligjore për Vettingun, edhe nga frika se kontrolli i imët i pasurive dhe vendimeve që kanë dhënë mund t’i penalizojë. Ndërkohë që mes dhjetra emrave të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë në detyrë pritet të ketë jo pak prej tyre që do të ndëshkohen nga ligjet e reja të drejtësisë. Kjo reformë pritet të ndryshojë gjithë pamjen e sistemit të drejtësisë. Drejtues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit deklaruan dje për mediat se Vetitingu do të pastrojë sistemin e drejtësisë shqiptare nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. “Ne besojmë se puna në kuadër të procesit të Veting-ut do të jetë tërësore dhe më në fund do të mundësojë pastrimin e sistemit të drejtësisë, nga ata të cilët nuk do të shërbejnë në interes të qytetarëve shqiptarë, por që kanë ndjekur praktika korruptive dhe/ose kanë pasur lidhje me rrjetet e krimit të organizuar. Përtej punës së Vetting-ut, zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse të drejtësisë, ka vendosur themelet për të konsoliduar një sistem gjyqësor më efikas. Prandaj është në detyrë të organeve përkatëse të sigurojnë, sa herë që është e nevojshme, që hetimet efektive kundër krimit dhe lufta kundër korrupsionit, të kryhet në të gjitha nivelet”,- deklaroi dje zyra e Operacionit Ndërkombëtarë të Monitorimit.
Jo rastësisht në gjithë qëndrimet e zyrtarëve të ONM theksohet se do të verifikohen lidhjet e njerëzve të drejtësisë me krimin e organizuar. Ky qëndrim i ONM parashikon se shumë shpejt, pas verifikimeve do të ketë dhe arrestime në radhët e sistemit të drejtësisë. Ndërkohë që pjesa më konkrete dhe më e verifikueshme është ajo e pasurive të njerëzve të drejtësisë. Në rast se gjyqtarët dhe prokurorët nuk do të jenë në gjendje të justifikojnë pasuritë që kanë, jo vetëm do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë, por dhe do të kalojnë për ndjekje penale. Dhe pasuria do t’ju sekuestrohet.
Procedura fillestare për verifikimin e pasurive të njerëzve të drejtësisë ka nisur që këto javë. Zyra e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive dhe drejtoritë e hipotekave në gjithë vendin kanë nisur verifikimet për pasuritë e paluajtshme dhe pronat që kanë njerëzit e drejtësisë. Për shkak se bëhet fjalë për një punë voluminoze që kërkon mbledhjen e informacionit në gjithë vendin, këto institucione kanë nisur që tani të hartojnë dhe verifikojnë dosjet përkatëse. Më pas këto dosje do të dërgohen në organet e Vettingut të cilat do të bëjnë dhe kontrollin e imtësishëm në çdo rast.
Deklaratat e pasurisë së një pjese të mirë të gjyqtarëve shqiptarë, edhe pa u kontrolluar për fshehje, rezultojnë jo me pak probleme. Shumica e njerëzve të drejtësisë rezultojnë me disa apartamente, vila luksoze dhe me biznese të pajustifikuara. Sigurisht, në letra justifikohen si prona të trashëguara, të dhuruara, ose me kontrata biznesi, por është pak e çuditshme që jo pak gjyqtarë rezultojnë me prona të falura. Ka raste skandaloze të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, tregojnë burime të rezervuara nga hetimi. Por e sigurtë thonë burime nga organet e vettingut se një pjesë e tyre do sekuestrohen dhe njërëzit e drejtësisë do arrestohen.
Nisja e reformës në drejtësi pritet të sjellë jo pak debate dhe reagime brenda vetë sistemit të drejtësisë. Shoqatat e gjyqtarëve kanë ankimuar disa nene të ligjeve në Vetingut në Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë ka caktuar datën 28 shtator për shqyrtimin e padisë. Nuk dihet se cili do të jetë vendimi i Kushtetues, në kohën që disa prej anëtarëve të saj kanë dhënë dorëheqjen. Por pavarësisht këtij procesi, zbatimi i vettingut është i pandalshëm. Një pjesë e vëzhguesve ndërkombëtar kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë nisur punën me dosjet e magjistratëve shqiptarë. Hipotekat dhe ILDKIPI kanë nisur verifikimet e pronave. Pritet vetëm vendimet e fundit procedurale të Kuvendit të ri dhe në shtator nis tërmeti në sistemin e drejtësisë.
Saktësohet se dosjet e pronave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, të njohur, rezultojnë me probleme burimi pasuror, ndaj jo vetëm sekuestro e tyre, por edhe arrestimi do jetë i shpejtë, shprehet një burim i sigurtë në organet e Vettingut.
Q.Xh.