Opozita e sulmon, kurse amerikanët e presin në ambasadë Ministrin Xhafaj

Ministri Fatmir Xhafaj pas daljes me ambasadoren e Gjermanisë, fill pas sulmit të opozitës, sot është parë të pritet në ambasadën amerikane në Tiranë.

Çdo dalje amerikanët e llogarisin mirë dhe nuk gabojnë. Ndaj janë shteti më i fuqishëm i botës.

Pas një aksioni intensiv të opozitës që kërkoi me ngulm dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, ky i fundit është shfaqur sot në ambasadën amerikane në një ceremoni për dekorimin e oficerit amerikan të Jan Hiemstra. Ministri Xhafaj u prit nga zv.ambasadori Rajan Roberts.

“Dëshiroj të vlerësoj bashkëpunimin shumë të mirë që ne kemi në fushën e sigurisë ndërmjet vendit tonë dhe SHBA-së, veçanërisht asistencën mjaft të vyer që SHBA japin ndaj agjencive të sigurisë në vend dhe veçanërisht Policisë së Shtetit, në shumë fusha. Ju sot po e përmbyllni këtë detyrë, duke lënë pas një kontribut të spikatur në mbështetje të Policisë së Shtetit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme”, ka thënë ministri Xhafaj, sipas njoftimit për shtyp të policisë. Medalja iu dha me motivacionin “Për kontributin e jashtëzakonshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë dhe SHBA-së në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme, në interes të forcimit të sigurisë publike” thuhet në njoftimin e policisë.

“Është bashkëpunimi i shkëlqyer dhe i veçantë i Policisë së Shtetit dhe Zyrës së Sigurimit Rajonal që krijon një atmosferë të tillë të jashtëzakonshme dhe vazhdon të korrë sukses për të dy palët. Megjithëse kisha ndjenja të përziera për sa i përket ardhjes në Shqipëri, unë largohem me kujtimet më të bukura të jetës në Shqipëri si në aspketin personal dhe atë profesional”, theksoi oficeri i dekoruar Hiemstra.

Në ceremoni ka folur edhe zv.ambsadori i SHBA në detyrë Ryjan Roberts, që tha se shembulli i oficerit Hiemstra ishte frymëzues për djalin e tij.

“Unë kam një djalë 13 vjeç. Disa vjet më parë ai më tha se donte të bëhej pilot ushtarak, kur të rritej. Kur ai takon Jan për herë të parë, u mahnit, që Jan kishte drejtuar helikopter në ushtrinë e SHBA-ve. Së fundmi, djali im ka vendosur që do të bëhet oficer policie. Ai gjithashtu është shumë i zhgënjyer që puna ime është e mërzitshme, kurse puna e Jan është shumë më e mirë, emocionuese dhe ndonjëherë shumë e rrezikshme. Ndoshta im bir do të ndryshojë prapë mendim dhe do të vendosë që nuk do të bëhet pilot apo oficer policie, i zbatimit të ligjit, nuk më intereson se çfarë karriere do të zgjedhë, por do të isha shumë i nderuar nëse ai do të bëhej si Jan kur të rritej”, shtoi ndër të tjera diplomati.

Këtë ditë pritet të vijë përgjigja e agjensisë italiane për “audiopërgjimin” dhe me sa duket amerikanët e kanë përgjigjen, ndaj e ftuan ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj në ambasadë.

Kush kupton politikë e merr përgjigjen me këtë vizitë të ministrit Xhafaj në ambasadën amerikane.

SHKARKO APP