Opozita: Edi, kërko strehim jashtë Tirane!
Situata politike do te shkojë shumë keq duke nisur nga java e ardhshme. Opozita ka nisur seriozisht përgatitjen për ngritjen e barrikadave dhe bllokimin e rrugëve në të gjithë Shqipërinë për protestën e ditës së hënë. Orët e para të mëngjesit të së premtes, një kamion me blloqe betoni u ndalua nga Policia e Shtetit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar nga PD, synimi ishte që blloqet e betonit të përdoren për bllokimin e bulevardit dhe rrugës kryesore të Unazës së Tiranës. Situata të ngjashme thuhet se po përgatiten në çdo qytete të vendit. Vëmendja kryesore e demokratëve është të akset nacionale dhe qytete kryesore, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Lezhë, Dibër, Fier, Korçë Durrës dhe Gjirokastër. Po kështu dhe Rruga e Kombit, e cila do mbushet me blloqe të mëdha betoni prej militantëve të PD-së. Degët e Partisë Demokratike janë udhëzuar që të marrin të gjitha masat për të shkaktuar një bllokim total të trafikut. Protestuesit do të bllokojnë qendrat e qytetit dhe akset ku mund të paralizohet gjithë lëvizja normale e qytetarëve.
Këto masa edhe pse janë një formë e re proteste, janë cilësuar nga demokratët vetëm si tubim paralajmërues për mazhorancën dhe do të synohet që mitingjet të jenë paqësore. Por e hëna, sipas burimeve në selinë blu, është vetëm fillimi i tubimeve të demokratëve në gjithë vendin dhe me pjesëmarrjen masive kërkohet që t’i jepet një masazh jo vetëm Kryeministrit, por edhe ndërkombëtarëve për situatën në Shqipëri.
Sipas selisë blu, nëse me protestat e para nuk do të ketë reflektim nga ana e mazhorancës, atëherë do të kalohet në planin B të opozitës. Data 30 prill është parashikuar si data e zhvillimit të një proteste edhe më masive nga ana e partive opozitare ku qendra e bllokimit do të jetë krejtësisht Tirana. Ndryshe nga protesta më bllokim rrugës në gjithë vendin, protesta e datës 30 prill do të synojë bllokimin e kryeqytetit dhe do të përqendrohet më pas në darkë përballë Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nuk dihet sesi do të merren masat nga PD për mbarëvajtjen e kësaj proteste, por qëllimi është demonstrimi i forcës përballë Kryeministrit Edi Rama. Një pjesë e drejtuesve të Partisë Demokratike thonë se protestat do të jenë paqësore, por në rast se provokohen nga Policia apo edhe nga Kryeministri Edi Rama situata mund të dalë jashtë kontrollit. Në protestat e fundit, Edi Rama i ka ndjekur zhvillimet ne zyrën e tij në Kryeministri, madje edhe ka postuar në Facebook video live nga mitingu i opozitarëve. Por këtë herë demokratët mund ti marrin provokime këto gjeste të kreut të maazhorancës, ndaj një pjesë e tyre thonë se do të ishte mirë që Edi Rama gjente strehim jashtë Tiranë në ditën e zhvillimit të protestës. Një zyrtar në selinë blu tha se Rama të kërkoj strehim në Dajt, pasi edhe në Surrel nuk ta lenë protestuesit.
Ndërkohë pas 30 prillit demokratët kanë shënuar në kalendarë dhe një protestë tjetër të madhe që do të zhvillohet në 7 maj në Kavajë. Më shumë se protestë, kjo e fundit do të jetë tentativë për bllokim me forcë të procesit zgjedhor për kreun e ri të Bashkisë së Kavajës. Edhe në këtë rast duket se tensioni është i pashmangshëm, pasi në shesh nuk do të jetë vetëm demokratët dhe forcat e policisë, por edhe votues socialistë dhe mbështetës të kandidatit të majtë që garon në zgjedhje.
E gjithë situata në vend duket shpërthyese. Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policinë së Shtetit kanë kaluar në situatë gadishmerie maksimale. Sipas Kodit Penal, bllokimi i qëllimshëm i trafikut dhe organizimi i mitingjeve të paligjshme dënohet me gjobë ose deri në 3 vjet burg. Nuk dihet nëse Policia e Shtetit do të zbatojë ligjin në këtë rast për të ndaluar protestat, apo do të kujdeset që demokratët të bllokojnë vetëm disa pjesë të rrugëve. Në rast se Policia zgjedh të ndalojë protestat, konflikti do të jetë edhe më i ashpër, pasi demokratët do të kenë një arsye më shumë për të protestuar, pasi përherë skenarët i kanë në xhep kur flitet për përplasje fizike.
Politika duhet ti thërrasë arësyes dhe të ulet në bisedime për zgjidhje. Populli nuk ka pse vuan nga përplasjet mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.
Lideri i opozitës Basha po del më i fortë se sa u mendua në fillim. E morën lehtë dhe si një kukull në PD, por po manifeston kurajo e vendosmeri që do përfundojë në thyerjen e një koke në politike: ose të kryeministrit ose të veten!
Qamil Xhani