Opozita ngjallet, fillon protestat
Lulzim Basha tha se hapi i fundit, nëse qeveria nuk do të dëgjojë qëndrimet e qytetarëve dhe të opozitës do të jenë protestat. “Vendosmëri për të mbështetur qytetarët me të gjitha mjetet. Hapi i fundit kur qeveria nuk do të dëgjojë janë protestat popullore. Protesta për diçka themelore, ekzistenciale për shqiptarët, për bukën e gojës. Garantojmë mbështetje të gjithanshme”,- deklaroi Basha. Duke marrë për bazë kërkesën që ka bërë dje Korporata Elektroenergjetike për rritjen e çmimit të energjisë, protesta e PD ka dhe një motiv më shumë për të nxitur turmat kundër qeverisë. Në krah të opozitës, në takimet e djeshme kanë dalë dhe drejtuesit e sindikatave. Si forcë e dalë nga protestat, PD-së nuk i është dashur ndonjëherë suporti i sindikatave, por deklaratat e bëra në tryezën e djeshme ishin një gjetje marketingu për të treguar se nuk është vetëm opozita që kërkon të protestojë, por janë qytetarët me bindje të ndryshme politike. Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha konfirmoi zhvillimin e protestave me 22 nëntor, duke certifikuar nisjen e aksionit opozitar. Berisha si një katalizator i përhershëm i protestave, po nxit çdo element antiqeveritar për tubimin e madh të 22 Nëntorit.
Axhenda e opozitës për të ndjekur rrugën e mitingjeve duket se është përshpejtuar pas zhvillimeve të fundit. Nisja e aksionit për arrestimin e personave që vjedhin energjisë elektrike ka qenë një nga arsyet ku PD mund të dilte për protesta, sipas saj. Por në këtë rast, mitingjet e saj do të interpretoheshin nga mazhoranca si dalje në mbrojtje të shkelësve të ligjit. Strategjia e fundit është më bindëse për opozitën. Rritja e çmimit të energjisë, sipas PD-së, do të prek gjithë qytetarët dhe ky është një argument i mjaftueshëm për të thirrur njerëzit në sheshe. Veç kësaj, PD-ja prej disa javësh po i mëshon idesë se duhet të ngrihemi jo ndaj mazhorancës, por ndaj një shteti policor që po tenton të vendosë Edi Rama. Pjesë e kësaj strategjie janë dhe qëndrimet e fundit lidhur me rastin e Konstandin Xhuvanit. Partia Demokratike pritet të paraqesë këto ditë dhe një listë më kërkesa për mazhorancën. Mos rritjen e çmimit të energjisë, uljen e çmimit të karburanteve, uljen e tarifave për studentët dhe rritjen e pensioneve, mos rritjen e disa taksave ndaj biznesit të vogël dhe sidomos atij të mesëm, sektor që punëson mijëra qytetarë. Duke paraqitur këto kërkesa Partia Demokratike synon të afrojë në tubimet e saj sa më shumë qytetarë që prekën nga vendimet e qeverisë.
Nisja e protestave, sipas burimeve nga PD-ja, pritet të bëhet pas përfundimit të ristrukturimit të gjithë forumeve të saj. Ditën e sotme, kreu i PD-së do të prezantojë Koordinatorët Kombëtarë të partisë dhe më pas pritet faza përfundimtare e plotësimit të forumeve. Në këtë mënyrë, kreu i PD-së Basha mbyll procesin e zgjedhjeve brenda parti dhe është gati për nisjen e një opozite të fortë ndaj mazhorancës. Dy janë strategjitë ku mbështetet Partia Demokratike, pakënaqësia e qytetarëve ndaj vendimeve të mazhorancës dhe shfrytëzimi i çdo qefmbetje brenda radhëve të PS-së, sidomos nga deputetët që nuk pyeten për vendimet në zonat e tyre. Pas hutimit nga humbja e zgjedhjeve dhe periudhës së largimit nga drejtimi të kryetarit Sali Berisha, duket se Partia Demokratike është ringjallur. Shenja e parë është dhënë dje më nisjen e përgatitjes së opinionit për protestat ndaj mazhorancës. Fillimi i stuhisë së protestave në këtë prag dimri, që siç duket do të jetë i vështirë edhe për popullin, edhe për qeverinë është një shenjë se PD-ja do të jetë gjithnjë edhe më e rrezikshme për qeverinë e Ramës, pasi vitin e ardhshëm janë edhe zgjedhjet vendore, sipas ndarjes së re, e ku siç dihet selia blu nuk i njeh këto zgjedhje me këtë ndarje të bërë nga mazhoranca.
Lulzim Basha e kaloi fazën e ngjitjes në kupolën e PD-së dhe tani do të jetë përherë e më i egër ndaj Ramës, pasi jo vetëm forcon rolin e tij si lider, por edhe krijon premisat për t’u rikthyer në pushtet. Megjithatë, duke ditur se ka përballë një kryeministër të dorës së fortë, përsëri duket se përplasja do të jetë e tillë që njëra “kokë” do thyhet. Momentalisht, Edi Rama mbetet jo vetëm në krye, por edhe në ngjitje, çka e bën Lulzim Bashën të përdorë të gjitha mënyrat për ta dobësuar kundërshtarin e tij politik, aq më tepër që PS-ja ka krijuar një farë shkëputje nga baza e saj, sepse është LSI-ja e cila ka marrë e po merr përditë çdo post për njerëzit e saj. Ndërsa Rama, me idenë e tij se po bën shtet, dhe nuk është gabim nëse e ka seriozisht deri në fund, ka krijuar një njëfarë pakënaqësie tek militantët e tij.
Gjithsesi PD po ndez motorët e protestës dhe po planifikon që vitin e ardhshëm të rrëzojë, sipas saj, me protesta pa ndalesë Edi Ramën. Nga ana tjetër kryeministri Rama po vazhdon të rrisë forcën e vendosjes së ligjit, edhe me dorë të fortë, dhe ka mbështetje popullore. Këtë thonë në selinë rozë, por se cila është e vërteta e mbështetjes popullore do të fillojë të duket me datë 22 nëntor nga numri i pjesëmarrësve në protestë.