Opozita me projektligj: Oligarkëve duhet verifikim, sekuestrim dhe penalizim

-Shifra që deklaron PD është e frikshme, pasi flitet për 2.2 miliardë euro abuzim me paratë e taksapaguesve dhe buxhetit të shtetit. Një pjesë e parave janë dhënë gjatë 5 viteve të fundit, ndërsa efekti i koncesioneve do të ndjehet edhe për 10-30 vitet e ardhshme, pasi një pjesë e kontratave kanë afate të mëdha kohore.

-PD: Oligarkët që kanë përfituar para nga buxheti i shtetit në mënyrë abuzive e që do të kontrollohen janë emrat si Vilma Nushi, Ilir Rrapaj, Jani Karathano, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Shefqet Kastrati, Pëllumb Salillari, Rrok Gjoka, Bashkim Ulaj, Lorenc Gjukuria, Agim Kola, Endri Meksi, Gentian Sula, Edmond Bego, Arjan Leskaj, Besnik dhe Gramoz Murataj, Albano Aliko, Besnik Sulaj, Alban Xhillari, Shkëlqim Fusha,  Idajet Ismailaj, Sinan Idrizi.

Partia Demokratike prezantoi dje “Platformën antimafia për çlirimin e ekonomisë”. Dokumenti i hartuar nga ekspertët e opozitës parashikon ndërhyrje të forta ligjore për të shmangur abuzimet dhe vjedhjen e fondeve publike. Si problem kryesor i bllokimit të ekonomisë së vendit Partia Demokratike ka vlerësuar vjedhjen që i bëhet buxhetit të shtetit nga një pjesë e kompanive private dhe biznesmenëve që kanë lidhje dhe interesat ekonomike me qeverinë. Sipas PD, shpëtimi i ekonomisë së vendit mund të vij vetëm pasi të jenë verifikuar dhe sekuestruar pasuritë e paligjshme që ky grup biznesmenësh ka vendosur në mënyrë abuzive. Në dokumentin e Partisë Demokratike për herë të parë nuk flitet me terma të përgjithshëm për oligarkët, por me emra konkretë. Projekti i PD-së, i lexuar nga kryedemokrati Lulzim Basha shfaqi para publikut një listë me emrat e disa prej biznesmenëve më të njohur në vend. Sipas PD oligarkët që kanë përfituar para nga buxheti i shtetit në mënyrë abuzive janë: “Vilma Nushi, Ilir Rrapaj, Jani Karathano, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Shefqet Kastrati, Pëllumb Salillari, Rrok Gjoka, Bashkim Ulaj, Lorenc Gjukuria, Agim Kola, Endri Meksi, Gentian Sula, Edmond Bego, Arjan Leskaj, Besnik dhe Gramoz Murataj, Albano Aliko, Besnik Sulaj, Alban Xhillari, Shkëlqim Fusha,  Idajet Ismailaj, Sinan Idrizi”. Kjo ishte në ligjeratë të drejtë e deklaruar nga PD.

Lista e emrave të mësipërm, publikuar nga PD, është hartuar në bazë të tre kritereve kryesore. Në grupin e parë bëjnë pjesë emra të biznesmenëve që kanë marrë koncesione, sipas PD, krejtësisht abuzive dhe në shkelje të ligjit nga buxheti i shtetit. Ndërsa grupi i dytë përmban emra të biznesmenëve që janë trajtuar në mënyrë preferenciale nga qeveria duke shkelur rregullat e tenderëve. Veç emrave, ekspertët e PD, Florion Mima, Jorida Tabaku dhe Enkeljed Aliebaj kanë llogaritur dhe dëmin që i shkaktojnë buxhetit të shtetit këto koncesione dhe kontrata, sipas tyre, të parregullta. Shifra që pretendon PD është e frikshme, pasi flitet për 2.2 miliardë euro abuzim me paratë e taksapaguesve dhe buxhetit të shtetit. Një pjesë e parave janë dhënë gjatë 5 viteve të fundit, ndërsa efekti i koncesioneve do të ndjehet edhe për 10-30 vitet e ardhshme, pasi një pjesë e kontratave kanë afate të mëdha kohore.

Lulzim Basha premtoi dje se këto para do t’i kthehen buxhetit të shtetit dhe shpjegoi mënyrën sesi do të veprojë kur të vij në pushtet. Basha tha se do verifikohet çdo kontratë abuzive koncesioni, prokurimit publik, PPP, si dhe çdo licencë dhe leje e qeverisë do të verifikohet. Për të gjitha rastet kur do të verfikohen shkelje, pasuritë e biznesmenëve të përfshirë në këto kontrata do të sekuestrohen. Pra verifikim, sekuestrim dhe penalizim.

Por pjesa më e rëndësishme e platformës së PD ka të bëjë me emrat e biznesmenëve. Lista me emrat e publikuar nga Lulzim Basha do të futet në kontroll të imtësishëm. Sipas Bashës, biznesmenëve do t’u kontrollohen dhe verifikohen pasuritë njëlloj siç veprohet me organizatat kriminale. Gjë që do të thotë se çdo qindarkë e pajustifikuar e pasurisë do të sekuestrohet. Në paketën ligjore që do të propozojë PD-ja parashikohet që ligji të ketë dhe fuqi prapavepruese. Bashkë me biznesmenët do të hetohen dhe zyrtarët që kanë firmosur për dhënien e kontratave abuzime. Lidhja mes politikës dhe biznesit është një fenomen që ka shoqëruar politikën shqiptare të këtyre 28 viteve. Denoncimi i PD dhe Lulzim Bashës është ndër të rrallët me emra konkretë. Por në Shqipëri asnjëherë nuk ka qenë problem denoncimi, por zbatimi i asaj që premtohet. Lulzim Basha tani që e nisi, dhe bëri mirë, duhet ti shkojë deri në fund kësaj platforme. Sepse risku është që nëse abuzimet janë në shifrat që thotë Basha, një pjesë e këtyre biznesmenëve nuk e kanë problem ta shkrijnë pasurinë që PD të mos vijë kurrë në pushtet.

Opozita duhet të mbajë premtimin sepse nuk duhet të kthehet si Edi Rama, kur ishte në opozitë thoshte se do bënte namin, por sapo mori pushtetin u lidh pikërisht me këta oligarkë, të cilët një pjesë ishin të PD-së/Q. Xhani/

SHKARKO APP