Opozita të fitojë marrëveshjen me shqiptarët

Një ditë pas firmosjes së paktit për reformën zgjedhore, qytetarët që do marrin pjesë në zgjedhje nuk kanë shumë gjëra për të festuar. Marrëveshja nuk do të shmang vjedhjen e votave dhe as do tu japë më shumë pushtet qytetarëve në zgjedhjen e deputetëve dhe kontrollin e pushtetit. Sistemi do të jetë ky që është dhe sërish do të kemi deputetë që i njeh vetëm kryetari i partisë, por jo shqiptarët. Emigrantët do vazhdojmë t’i duam për të na sjellë eurot dhe kursimet e tyre në Shqipëri, por votat nuk ua duam dhe as i lejojmë të vendosin për çfarë ndodhë këtu. Blerja e votave me miell, euro dhe kërcënime do të jetë problem si në zgjedhjet e tjera dhe të fortët e pushtetit do të komandojnë njëlloj si më parë.

Një marrëveshje ku edhe vet Edi Rama ka merak që opozita të mos dalë sikur humbi dhe thotë se “Basha fitoi”, normalisht që të shijen e hidhur të reformës që s’ka reformuar asgjë në thelb. Edi Rama do vijojë të ketë pushtetin e plotë mbi qeverinë, partinë, administratën, listat dhe kontrollin total të sistemit social, ekonomik dhe politik në vend. Marrëveshja nuk ka prekur asgjë nga super pushteti i paligjshëm që ka grumbulluar kryeministri në një dorë dhe Edi Rama duhet të jetë më i kënaquri me këto negociata. Do të vijojë të ketë deri ditën e zgjedhjeve, qeverinë, parlamentin, gjykatat, policinë, bashkitë dhe çdo segment të sistemit shtetëror në vend. Duke e ditur se të gjitha i ka marrë në mënyrë të paligjshme dhe mbajta e tyre nuk është pak për Edi Ramën.

Opozita mund të bërtasë për fitore me marrëveshjen, por realisht e vetmja gjë që mori ishte se mbajti larg, për ca kohë, ushtarët e PS në administratë nga kutitë e votimit. Në situatën ku ishte nuk mund të vendoste kushte. Me presionin ndërkombëtar që kërkon vetëm stabilitet, opozita mund të merrte vetëm atë që i jepnin pa të drejtë refuzimi. Në këto kushte mund të thuhet se ishte një negociatë e mirë për të, por jo ajo që i duhej realisht opozitës dhe Shqipërisë.

Opozita mbase kaq mund të merrte sepse ka dalë nga parlamenti, atje ku ia merrte frymën kryeministrit. Super pushtetin e Edi Ramës që mbrohet në mënyrë të çuditshme nga ndërkombëtarët, nuk mund ta mundte me negociata. Tek e fundit, zgjedhjet asnjëherë nuk janë fituar në tavolinë, por janë fituar te kutia e votimit dhe te mbështetja e qytetarëve. Tashmë që reforma u mbyll dhe mënyra sesi do të kalojë në Kuvend është vetëm problem i Ramës dhe jo opozitës, Fronti Opozitar nuk duhet të merret më me detaje. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë përplasja më e fortë politike e 30 viteve pluralizëm dhe opozitës i duhet të bëjë marrëveshjen më të madhe kombëtare me shqiptarët. Opozita duhet të krijojë frymën e ndryshimit, programin fitues dhe duhet të sjellë para shqiptarëve modelin më të mirë për të qeverisur. Tashmë që pranuan kushtet e Edi Ramës duhet ta dinë se përballë do të kenë një bandë edhe më të madhe se ajo që kishin në zgjedhjet e kaluara. Opozita ka detyrën t’i qëndrojë përballë bandës dhe të ngrejë në këmbë çdo shqiptar. Opozitës nuk i duhen thjesht votat e saj, që realisht nuk janë të pakta për të mundur Edi Ramën, por një lëvizje kombëtare kundër rilindjes.

Opozita duhet të jetë bashkim i madh e të krijojë frymë e vendosmeri se këtë pushtet do ta rrëzojnë me  votë dhe me forcën e përballjes.

Edi Rama nga përballja, nga bashkimi i opozitës dhe nga fryma e revoltës mbarë popullore, ka frikë.

Edhe pothuaj 10 muaj kanë mbetur deri në zgjedhje, ndaj beteja ka filluar që tani për të larguar pushtetin e Surrelit.

SHKARKO APP