Opozitë e dhjamosur

 

Prej tre vitesh,që kur mori votën e qytetarëve për të dalë në opozitë, Partia Demokratike nuk po arrin të krijojë besim të madh në aksionet e saj. Konfuzioni që krijohet shpesh mes Bashës dhe Berishës, sigurisht që ka kosto te strukturat dhe mesazhi i dyzuar që përcjellë një forcë opozitare. Por nuk është vetëm ky problemi i sotëm i saj. Basha me stilin perëndimor dhe Berisha me metodat e tij të forta, mund të ishin një dyshe e suksesshme, nëse pjesa tjetër e asaj që quhet opozitë do të kuptonte rëndësinë që ka kjo dyshe dhe kurajo për t’u përballur. Por Opozita nuk janë vetëm dy persona, sado anë pozitive dhe të meta që të kenë si liderë. Në një vend si Shqipëria, partia më e madhe në opozitë nuk është thjesht një subjekt politik. Opozita, më shumë se kaq është frymë, është ide dhe reagim. Është forca politike që kontrollon dhe denoncon vendimet e abuzimet e mazhorancës. Është forca që kur preken shtresa të caktuar nga ligje të veçanta u del në krah. Mbron interesat e qytetarëve, reagon në institucione, por reagon edhe në rrugë kur sheh se me qeverinë nuk mund të dialogohet. Përballjen në rrugë e ka harruar fare PD-ja.

Nëse sheh aksionet e PD-së në këto vite dhe sidomos muajt e fundit, vë re se opozita ka ndërruar rolet me shoqërinë civile. Janë qytetarët që protestojnë, siç ishte rasti i plehrave, dhe opozita u bashkohet disa javë më vonë. Po ashtu dhe me tregtarët që protestonin për taksat disa muaj më parë. Pasi vërëjti se numri i të pakënaqurve me taksat ishte i madh, PD-ja shkoi në protesta vetëm disa javë më vonë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për kauzën e saj më të re, atë të hashashit. Mediat kanë më shumë se një vit që flasin për rrezikun e kanabizimit dhe mbjelljen e mijëra hektarëve. PD-ja u kujtua në muajin shtator ta kthej këtë çështje në problem kombëtar. Por edhe mënyra sesi e trajtojnë këtë çështje nuk është bindëse. Në vend të shkojnë në zonat e mbjella me kanabis dhe të flasin, PD nxjerr deputetët te selia e SHQUP për t’u treguar banorëve në fshatra se po mbillet drogë me mbrojtjen e qeverisë. Në vend të shkojnë vetë, lidershipi, duke marrë dhe mediat për të denoncuar kanabisin postojnë nganjëherë foto të dyshimta nga interneti që i nxjerrin bllof me hashash nga Meksika.

Në vend që deputetët e opozitës të shkojnë dhe të shohin nga afër sesi është gjendja e grupeve të ndryshme sociale, i sheh në media duke bërë rolin e analistit. Në vend të dëgjohen në Kuvend apo komisione, ku fjala ka tjetër peshë, i lexon në Facebook, ku shajnë qeverinë “part time”. Këto janë disa nga rastet kur të paktën ka folur. Sepse ka dhe ngjarje të tjera, si koncesione të dyshimta dhe abuzime qeveritare, ku për shkak të implikimit të politikanëve nga të dy kampet, është heshtur.

PD-ja ka mjaft politikanë profesionistë dhe intelektualë. Njërëz që e njohin shtetin dhe që e dinë se ku duhet bërë opozitë dhe ku duhet thënë ndonjë fjalë më shumë kundër qeverisë. Në PD ka personalitete që dinë si bëhet opozitë, por nuk guxojnë të flasin se përse opozita nuk po funksionon si një frymë që ngjall shpresë.

Arsyeja është e thjeshtë dhe nuk ka të bëjë as me shumicën e frikshme të numrave PS-LSI-PDIU në Kuvend dhe as me apatinë e qytetarëve. Arsyeja ka të bëjë me faktin se rreth lidershpit të PD-janë janë grumbulluar disa emra që nuk kanë asnjë lidhje me opozitën, ose misionin e tyre në politikë e kanë përfunduar me kohë.

Ata që diskutojnë sot aksionet e PD-së janë ish-ministra dhe ish-zyrtarë  që për tetë vite “molën” lopën e pushtetit. Trafikuan interesa, blenë vila dhe prona, hapën biznese dhe krijuan perandori ekonomike. Sot mund t’i quash pronarë, biznesmenë, sekserë, por jo opozitarë. Tetë vitet e pushtetit i kanë majmur, ndaj dhe opozita e tyre është e dhjamur; pa nervë shoqëror, pa ide, pa forcë dhe pa shpresë për pjesën tjetër të qytetarëve.

Kësaj kategorie opozitarësh nuk i bëhet vonë se si janë sot demokratët. Nuk i intereson as ndërrimi i pushteteve, për sa kohë që mazhoranca e sotme nuk ua prek bizneset, apo u jep ndonjë koncesion të vogël, sa për t’i mbajtur nën kontroll. Të tjerët, kanë frikën e hapjes së dosjeve të korrupsionit dhe janë ata që rrinë më urtë sa herë Kryeministri Rama flet për arrestime.

Çështja është se hallet e tyre personale me drejtësinë dhe xhiroja e bizneseve të tyre, janë kthyer edhe në problemet e PD-së. Në mënyrë direkte dhe indirekte po ndikojnë dhe në qëndrimet që mban Lulzim Basha. Ndaj, kreu i PD-së Basha duhet të përcaktoj që tani para zgjedhjeve, nëse do të bëjë opozitë për demokratët e qytetarët thjeshtë që janë pa punë dhe në mëshirë të fatit, apo të dëgjojë ankesat e ish-ministrave, të cilat nuk kanë asnjë interes më të dalin e të përballen me pushtetin në rrugë e demonstrata. Nuk kanë interes, pasi shtëpinë e tyre e kanë plot e përplot, dhe nuk iu leverdis të prishin kostumin e shtrenjtë mes popullit në përplasje me policinë e Ramës.

Lulzim Basha nëse don të fitojë apo të ngjallë së paku shpresë duhet të mbledhë popullin kundër qeverisë, porse edhe me presionin e popullit të bëjë të struken edhe antiBashët në PD.

Ndryshe ta gëzoni Edi Ramën edhe katër vite të tjera!

Spiten Prulli

SHKARKO APP