OSBE: Jo më blerje votash!

-Shuplaka e misionit të vëzhguesve për marrëveshjen PS-PD: Pakti Rama-Basha shmangu krizën politike, por shkeli ligjet dhe Kushtetutën.

Doli më në fund raporti final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 qershorit. Ndërkombëtarët janë kujdesur që në shënimet e tyre të mos shkaktojnë tërmet politik në vend dhe të mos ngrenë pretendime për deligjitimin e mazhorancës së re. Por kjo është vetëm një pjesë e medaljes. Pjesa tjetër e raportit jep rekomandime për zgjedhjet e ardhshme, duke nënkuptuar se këto zgjedhje nuk ishin me standardet e kërkuara. Kryeministri Edi Rama deklaroi se më 25 qershor vendi zhvilloi zgjedhjet më të mira që janë bërë ndonjë herë. Në fakt, raporti nuk e thotë në asnjë vend këtë gjë. Përkundrazi, rekomandimet tregojnë se  zgjedhjet janë po aq të këqija sa ato të kaluarat, madje në disa raste janë bërë hapa pas.

Bashkë me vlerësimet, në raportin e OSBE/ODIHR, vijnë një seri kritikash që tregojnë se këto zgjedhje do të shoqërohen nga njolla e blerjes së votave dhe ndikimi i grupeve kriminale. Ndryshe nga herët e tjera, raporti vendos në rekomandimin final se shitja dhe blerja e votave të eliminohet. Në këtë mënyrë, edhe pse nuk e përcakton qartë se çfarë ndikimi patën në mandate deputetësh blerja e votave, OSBE/ODIHR e vë si kusht në zgjedhjet e tjera që kjo praktikë duhet të marrë fund. Qëndrimi i ndërkombëtarëve nuk bën gjë tjetër veçse fakton atë që është thënë gjatë fushatës nga LSI për blerje masive votash. Nëse edhe Partia Demokratike si forcë kryesore opozitare do të kishte folur dhe denoncuar me fakte, fenomenet e blerjes nga bandat kriminale gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve, raporti do të kishte tjetër përmbajte. Por në atë kohë PD ishte në qeveri dhe sot një pjesë të raportit nuk mund ta kontestojë.

Veç blerjes së votave, OSBE/ODIHR raporton edhe pse disa fakte skandaloze të cilat qeveria e PS nuk i ka pranuar asnjë herë. Bëhet fjalë për ndikimin e grupeve kriminale në zgjedhje. Në këtë pikë, OSBE/ODIHR nuk citon partitë, por vëzhguesit e saj që ishin në Shqipëri. “Shumë prej vëzhguesve të OSBE-ODIHR shprehen shqetësim që individë me precedentë kriminalë kanë luajtur rol të rëndësishëm gjatë fushatës, qoftë si kandidatë, qoftë si mbështetës”,- thuhet në raport. Për shkak se dokumentohen dëshmi të vëzhguesve, akuza është direkt ndaj qeverisë dhe partisë që fitoi zgjedhjet.

Ndërkohë kritikat e ndërkombëtarëve ndalen edhe në reprezaljet që u bënë në administratë nga ministritë kundër mbështetësve të LSI-së. Raporti thekson se pati abuzime me paratë shtetërore dhe presione për vendin e punës, duke shtuar se këto akuza bën që “qytetarët të mos besojnë në sistemin zgjedhor”.

Raporti i kushton një rëndësi të veçantë dhe marrëveshjes PS-PD. Edhe pse e cilëson si një pakt që shmangu krizën politike, nga pikëpamja ligjore pazari Rama-Basha vlerësohet i dëmshëm. Raporti thekson se ndryshimet ligjore u bënë brenda ditës duke shkelur dhe Kushtetutën. Ndërkohë që vë re se zbatimi i ligjit u bë në dëm të aktorëve të tjerë politikë. “Ndërsa marrëveshja kontribuoi në një proces zgjedhor më përfshirës dhe në fushatën më pak të polarizuar, zbatimi i tij shpesh rrezikoi parimet themelore të sundimit të ligjit”,- thuhet në raport. OSBE/ODIHR thotë se ndryshimet ligjore u bënë në “kundërshtim me angazhimet e OSBE dhe standardet e Këshillit të Evropës, procesit i mungonte transparenca dhe konsultimi me palët e interesuara, ndërkohë që koha e vonuar krijoi vështirësi të mëdha në zbatimin e aspektet kyçe të administratës zgjedhore”.

Të gjitha këto vërejtje të thëna nga OSBE/ODIHR faktojnë se marrëveshja Rama-Basha bëri të mundur që të zhvillohen zgjedhjet, por dëmtoi standardet dhe vetë procesin. Sot ky pakt rezulton si eksperimenti më i rrezikshëm politik në vend, që pati vetëm një të fituar, Partinë Socialiste. Ndërsa zgjedhjet do të kenë njollën e blerjes së votave dhe bandave kriminale që ishin pjesë e fushatës.

Nga pakti PS-PD një gjë ishte pjesë e pazarit të tyre; sulmi dhe dëmtimi që LSI-ja të mos dalë forcë e parë politike apo të jetë qeveribërëse. PD-ja në vend që të sulmonte direkt PS, u morë vetëm me LSI.

Tashmë kohët kanë ndryshuar, ndaj duhet patjetër një përbashkim opozitar PD-LSI për të përballuar PS dhe Edi Ramën, të cilin vetë Lulzim Basha e mbajti në pushtet, bile i dha mbipushtet.

SHKARKO APP