OSBE: Ligji i propozuar nga pronarët e televizioneve private dëmton RTSH

OSBE ka reaguar për projektin e propozuar nga pronarët e mediave vizive në Shqipëri për financimin e mediave private nga taksat e qytetarëve. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, tha sot se ishte i shqetësuar për propozimet e kohëve të fundit për ndryshimin e ligjit “Për median audiovizive” në Shqipëri.

Jam i shqetësuar se ky propozim mund të dëmtojë qëndrueshmërinë financiare të RTSH-së”, tha Désir. “Transmetuesit publikë kanë një rol të rëndësishëm në dhënien e informacionit cilësor dhe në mbulimin e tërë territorit, dhe duhet të kenë burimet e duhura për të përmbushur detyrën e tyre”,- tha Herlam Desir.

Përfaqësuesi i OSBE thotë se çdo diskutim për financimin e mediave duhet të përfshijë jo vetëm teleivizione, por edhe shtypin e shkruar dhe mediat lokale. “Çdo sistem subvencionesh shtetërore për median duhet të jetë objekt i një konsultimi publik, ku të përfshihen të gjithë aktorët e medias. Gjithashtu, ai duhet të ketë një objektiv të qartë dhe të gjerë për mbështetjen e të gjithë sektorëve të medias, përfshirë atë online, shtypin dhe median lokale, me kritere dhe procedura transparente, pa ndërhyrje politike dhe me qëllimin për të forcuar pluralizmin në media”, shtoi ai.

Në njoftimin për mediat, zyra e OSBE në Tiranë sqaron dhe përmbajtjen e ligjit. “Autoriteti i Medias Audiovizive në vend i transmetoi Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë disa ndryshime në ligjin “Për median audiovizive”, më 8 qershor. Ndryshimet u hartuan nga pronarët dhe drejtuesit e katër stacioneve televizive lokale dhe dy kombëtare në Shqipëri. Një nga kërkesat e tyre kryesore është që transmetuesve privatë t’u jepet një pjesë e tarifës të shërbimit për përdorimin e aparateve televizive, me të cilën momentalisht financohet transmetuesi publik, RTSH. Përfaqësuesi ofroi mbështetjen e Zyrës së tij për një analizë ligjore të çdo projektligji për median, pasi ai të propozohet zyrtarisht nga qeveria”,- thuhet në njoftimin e OSBE.

SHKARKO APP