Pak nga Tsipras për Edi Ramën

Nga Andi Bushati*

Fitorja tronditëse e radikalit të majtë Aleksis Tsipras në Greqi, nuk erdhi vetëm si pasojë e premtimeve, për t’i dhënë fund masave shtrënguese, për të shtyrë pagesën e borxhit, për të dënuar një klasë politike që nuk qe e aftë që edhe pas krizës t’i kundërvihej oligarkëve dhe të bënte ata të paguanin taksat. Suksesi pothuajse plebishitar i Syrizas u arrit edhe në emërt të vlerave të përjetshme të së majtës, si solidariteti dhe barazia sociale. Në të famshmen platformë që tmerroi Evropën konservatore, të njohur me emrin “programi i Selanikut” gjendeshin edhe propozime të tilla si shëndetësi pa pagesë për të varfrit, elektricitet falas për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë, bono ushqimi për ata që nuk kanë mundësi të ushqehen. Të gjitha këto masa derivojnë në thelb nga një këndvështrim i caktuar për shoqërinë: ai i mbrojtjes së shtresave të paprivilegjuara.

Aleksis Tsipras e ndërtoi fushatën nën këtë moto, duke anatemuar një sistem politik që i bënte të pasurit gjithnjë e më të pasur dhe të varfrit gjithnjë e më të varfër.

Pak a shumë të njëjtat motive u përdorën edhe nga lideri i PS-së Edi Rama në fushatën e fundit elektorale. Duke pretenduar një kthesë më të majtë, Rama foli gjithnjë e më tepër për një Shqipëri ku vetëm 5 % e popullsisë dispononte po aq pasuri sa 95% e shqiptarëve. Në emër të kësaj ai premtoi një sistem taksimi më të drejtë dhe shëndetësi falas, pra edhe për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë.

Por, me të ardhur në pushtet kryeministri shqiptar duket se e braktisi filozofinë e fushatës. 5%-shi i atyre që kontrollojnë pasurinë e këtij vendi po kthehen me shpejtësi në përkrahësit më të medhej të tij. Kësaj shtrese që mbështeti Berishën deri në fund, jo vetëm që nuk i hyri gjemb në këmbë, por po prosperon njësoj si më parë .

Faturën sërish po e paguajnë më të varfrit. Dhe kjëtu nuk është fjala për moszbatimin e premtimit të shëndetësisë falas, për të cilin Rama, tani, thotë se duhet të presim deri në fund të mandatit. Këtu është fjala për tradhëtimin e kësaj filozofie. Argumenti i shëndetësisë falas, që hasi shumë kundërshtime të egra deri nga aleatët e LSI-së, ishte një shprehje tipike e solidaritetit të majtë. “Kush nuk ka, nuk mund të lihet që të vdesë” ishte teza që e përligjte atë.

Por, pikërisht kjo tezë tani është lënë në haresë. Pasi nuk ka kuptim të kesh këtë mendësi dhe  të mbushësh burgjet me qindra e qindra fukarenj që nuk paguajnë dot energjinë. Nuk ka sesi të besosh tek kjo kredo e t’i heqësh mijra familjeve të drejtën për të pasur një llampë të vetme në tavanin e shtëpisë së tyre.

Rasti i fushatës të denjë prej të djathte ekstreme, për pagimin e energjisë, e nxjerr zbuluar “solidaritetin”  elektoral të Ramës për tu dhënë dinjitet edhe atyre që nuk kanë të paguajnë. Ai është shembulli më i mirë se tek socialistët e sotëm nuk ka mbetur asnjë fije sensibiliteti prej të majte reale.

Po të shkojmë pak më tej në Greqi, Aleksis Tsipras dhe koalicioni Syriza, nuk e kanë vetëm në program fushate këtë solidaritet. Ata e kanë dëshmuar atë edhe gjatë ushtrimit të pushtetit. Që prej majit të vitit 2014, një tjetër yll i së majtës greke, 39 vjeçarja Rena Duru, është guvernatore e rajonit të Atikës, një zonë që përmbledh 40% të popullsisë dhe pasurisë të Greqisë. Dhe gjëja e parë që ajo bëri pas ardhjes në pushtet, pas një periudhe 5 vjeçare shtrëngimesh të imponuara nga trojka, ishte rritja me 600% përqind e buxhetit social. Kjo grua tipike e majtë vendosi të shpenzoje plot 13 milionë euro (nga 1,9 që ishte më parë) të të çuar fëmijët e handikapuar në shkolla, apo për të paguar energjinë për ata që nuk kishin vërtet mundësi. Aty ku të varfërve u pritej energjia, menjëherë nxitonte administrata e re e Syrizas, për ta rikthyer atë.

Natyrisht këto prova solidariteti kanë ndihmuar në rezultatin e djeshëm të Syriza. Ato e kanë bërë atë një formacion politik që tregon se ka disa parime, se beson tek ato që thotë, dhe i përmbahet versionit të saj për shoqërinë.

Ndaj ato mund të shërbejnë si një shembull edhe për “të majtin” shqiptar Edi Rama, së paku për t’i treguar se vlerat e solidaritetit dhe të mbrojtjes së shtresave në nevojë, nuk janë thjeshtë lodra fushate.  E nëse ai i sheh vetëm si të tilla, rasti i Aleksis Tsipras, këtë 25 janar, mund t’i dëshmojë se përpos gënjeshtrës edhe mbajtja e parimeve dhe mbrojtja e ideve, është një armë e mirë e suksesit në luftën për pushtet.

*Lapsi.al

SHKARKO APP