Pakti politik që po shkatërron institucionet
Ajo që po ndodh në administratën shtetërore është e paprecedentë. Pas marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës gjithë trupa e zyrtarëve profesionistë shtetit është vënë nën presion për shkak të orekseve politike të PS-PD. Pakti politik ka bërë që demokratët, si aleatë të rinjë të Partisë Socialiste, ta shohin koalicionin si mundësi për të marrë vende pune dhe kontroll të administratës. Në emër të ministrave teknikë po tentohet të largohen nga puna zyrtarë profesionistë për t’i zëvendësuar me përfaqësues të Partisë Demokratike që sillen si njerëz teknik. Por veç marrëveshjes teknike që po spastron administratën, pakti Basha-Rama po prodhon vendime të jashtëligjshme për nëpunësit e shtetit. Ministritë, drejtoritë apo zyrat e administratës në rrethe janë kthyer në burgje izolimi, ku edhe për marrë frymë, u thonë “Ku more frymë?”.
Kështu që nga dita kur ka nisur fushata, ministrat teknikë të qeverisë janë vënë në “gjueti” të zyrtarëve që marrin pjesë në fushatë. Në një javë janë shkarkuar pa motive të qarta juridike të paktën 8 drejtor të rëndësishëm të administratës shtetërore. Ndërkohë dje, në bazë të marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ka hyrë në fuqi një vendim që synon të mbajë administratën jashtë zgjedhjeve.
Në parim nuk ka asnjë gjë të keqe që merren masa. Përdorimi i administratës është një prej problemeve më të shpeshta gjatë çdo fushate zgjedhore dhe sigurisht që duhet zbatuar ligji, kur ka shkelje. Por vendosja e gjithë qeverisë PS-PD në përgjim të zyrtarëve 24 orë në ditë është një skandal i pandodhur më parë. Edhe me absurde ngjan kjo situatë kur lexon urdhrat qeverisë “Rama-Basha” për administratën. Zëvendëskryeministrja e Qeverisë “Rama-Basha” e interpretoi kështu dje ligjin për Nënpunësin Civil. “Nëpunësi civil jashtë orarit zyrtar ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike, por nuk i lejohet të shprehë publikisht bindjet dhe preferencat e tij politike”. Praktikisht, Rama dhe Basha pranojnë që jashtë orarit zyrtar nëpunësit mund të mbajnë parulla, të marrin pjesë në mitingje edhe mund të bërtasin, por nuk duhet të flasin!! Kuptohet që një zyrtar nuk bën dot fushatë gjatë orarit të punës, por me çfarë ligji qeveria u heq nëpunësve të drejtën për të shprehur bindjet politike pas orarit zyrtar. Nëse një njeri nuk i shpreh bindjet në publik, jashtë orarit zyrtar, ku duhet të flasë për politikë, në lokal, në shtëpi, apo në oborrin e lagjes.
Që administrata është e politizuar nuk ka asnjë dyshim, por zyrtarëve duhet tu ndalohet që të përdorin buxhetin e shtetit për fushatë dhe të mos jenë aktiv gjatë orarit zyrtar, jo t’u ndalohet e drejta e fjalës. Sepse vendime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me pluralizmin në vend. Janë vendime që të kujtojnë kohën e regjimit të kaluar, kur ndaloheshe të flisje. Vendime të tilla mund të shpjegohen vetëm me ligjin e regjimit komunist për agjitacion dhe propagandë. Por duket se ka një marrëveshje mes PD dhe PS që heqin ndonjë drejtor të rangut të dytë e të tretë nga radhët e tyre, kursë nga LSI largojnë drejtorë të përgjithshëm.