Palmat e qeverisë
Rikonstruksioni i rrugës Tiranë-Durrës do të mbetet modeli më abuziv i shpërdorimit të fondeve nga qeveria “Rama”. Në vitin 2014 qeveria investoi për rregullimin e një pjese të autostradës, nga Qafa e Kasharit deri në Tiranë. Është investimi më luksoz i bërë në rrugët e Shqipërisë. Riasfaltim i rrugës, sinjalistikë moderne dhe gjelbërim. Risia e këtij projekti ishin palma të ngjashme me ato të vendeve ekzotike. Vetëm vlera e palmave llogaritet të jetë rreth 600 mijë euro. Ndërsa rikonstruksioni i rrugës ka arritur në disa milionë dollarë. Pavarësisht kritikave për ngjyrat e zgjedhura, për sinjalistikën dhe faktit që palmat janë bërë shpesh burim aksidentesh dhe përmbytjesh gjatë reshjeve të shiut, duhet thënë se rruga është ndër më të mirat në Shqipëri. Por e tillë nuk do të jetë për shumë kohë.
Ministri i Transporteve në detyrë, Edmond Haxhinasto konfirmoi dje ekzistencën e një projekti për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës. Projekti që kushton rreth 120 milionë dollarë parashikon t’i japë zgjidhje trafikut të rënduar mes dy qyteteve më të mëdha në vend. Parashikohet që autostrada nga 4 korsi që është aktualisht të bëhet me 6 të tilla. Llogaritet se kjo rrugë e re do të jetë në gjendje të përballojë trafikun e 64 mijë makinave në ditë. Ndërkohë që, pritet të ndërtohen një sërë mbikalimesh dhe nënkalimesh që do të kthejnë këtë rrugë në autostradën më të mirë dhe më të madhe në vend.
Ky projekt, i cili ende nuk ka një afat nisje dhe mbarimi, do t’i jepte zgjidhje përfundimtare trafikut dhe zhvillimit të zonës Tiranë-Durrës. Nisur nga detajet që janë bërë publike rezulton se është një investim që duhet të ishte bërë më parë. Por gjithsesi mjafton të bëhet sepse është mëse i domosdoshëm.
Problemi nuk është tek projekti i ri, por te shpërdorimi pa kriter i parave për projektet e mëparshme. Ndërtimi i segmentit aktual me palma u bë dy vite më parë. Ndërkohë që, projekti i ri që po diskutohet këto ditë ishte në diskutim dhe njihej nga institucionet para se të ideonin rrugën me palma. Ajo që duket absurde dhe nuk ka inxhinier që arrin që ta shpjegojë është se si qeveria hedh miliona euro për asfalt dhe zbukurime, në një rrugë që do prishet shumë shpejt? Më absurde situata bëhet nëse merret parasysh konteksti politik dhe ekonomik, kur u krye ky investim palmash. Kryeministri Edi Rama kishte vetëm pak kohë që kishte ardhur në pushtet dhe kritikonte paraardhësin e tij se i kishte lënë rrugët –rrugëve. Se kishte shpenzuar pa kriter për projekte të mëdha dhe pa përfitim ekonomik. Po ashtu, deklaronte se Buxheti i Shtetit ishte trokë dhe nuk kishte para për të kryer investime. Në gjithë këtë krizë, Kryeministri sugjeroi dhe ideoi personalisht investimin në një rrugë që do të përdorej vetëm disa vite. Madje, ishte vetë ai që sugjeroi edhe ngjyrën e dritave anësore dhe në qendër të rrugës.
Arsyeja pse u investua personalisht nga kreu i qeverisë lidhej me faktin se rruga ishte pjesë e segmentit Rinas-Tiranë. Në vitin 2014-2015 Shqipëria u vizitua nga një sërë personalitetesh si: Angela Merkel, Papa Françesku dhe kreu i qeverisë serbe, Aleksandër Vuçiç. Qëllimi i Kryeministrit ishte ndërtimi i një rrugë që duhet të linte imazh pozitiv për vendin. Por në gjithë këtë nismë pozitive u harrua një detaj, përse duhet paguar dy herë për një rrugë? Për më tepër kur nuk flitet thjesht për rrugë, por për palma dhe lule që do të shkatërrohen me vënien në zbatim të projektit të ri.
Kjo sjellje, jo vetëm është mungesë vizioni, por paaftësi dhe tallje me taksat e qytetarëve. Të paktën palmat t’ia çojnë Kryebashkiakut të Durrësit.