Parajsa e politikanëve shqiptarë është Qipro
-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla planifikon të hetojë edhe paratë në ishullin qipriot në bashkëpunim me sherbimet e huaja perendimore
– Ligjvënës, zyrtarë, biznesmenë, gjyqtarë,trafikatë,
mafiozë,etj kanë fshehur pasuritë e tyre kriminale
Skandali i “Panama Papers” po nxjerr në dritë të dhëna të frikshme për fshehjen e pasurisë që nuk lidhen vetëm me Panamanë, por edhe me vende të tjera, ku fshehin pasuritë dhe paratë në “parajsa fiskale”. Historia e fshehjes së pasurisë nga politikanë të lartë në firma dhe emra fiktivë në vende të tjera duket se zë fill që pas viteve 1990. Këtë gjë e konfirmon ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), Fatos Klosi. Në një intervistë dhënë për emisionin “Dritare” të gazetares Rudina Xhunga, ish-shefi i sherbimit sekret Klosi ka bërë një deklaratë nga ato që quhen “bombë”. Ai pranoi se në vitin 2001 shërbimi sekret amerikan CIA i ka kaluar informacione SHIK-ut për pasuritë e politikanëve shqiptarë në Qipro. Në mënyrë direkte shefi i shërbimit pranoi se ka pasur të dhëna për politikanë të lartë shqiptarë që kanë transferuar në vende të tjera pasuritë e tyre. Por pas këtij konfirmimi, Fatos Klosi shtoi se nga ana e autoriteteve shqiptare nuk u bë asnjë lëvizje. Këtë mungesë reagimi ai e justifikoi me faktin se Shërbimet Sekrete punojnë për qeverinë, pra SHIK nuk mund të hetonte qeverinë dhe politikanët e asaj kohe. Por dhe më pas ndër vitet 2004-2013 ka patur kalime të shuma të mëdha të parave në Qipro. Ish-ministra, deputetë, biznesmenë e zyrtarë të lartë kanë transferuar nga banka të ndryshme paratë e tyre të krimit në ishullin e Qipros.
Qiproja është cilësuar prej kohësh si një parajsë fiskale e gjithë politikanëve të korruptuar, kriminelëve dhe trafikantëve ndërkombëtarë të drogës. Është vendi, ku për shkak të ligjeve që favorizojnë fshehjen e të dhënave bankare kushdo mund të depozitojë miliona dollarë pa ju zbuluar emri. Me deklaratën e ish-kreut të SHISH nuk kemi vetëm hipoteza, por një pistë konkrete, emrat politikanëve janë aty dhe po ashtu paratë e tyre. Kaq duhet të mjaftoj për të nisur një hetim. Informacioni është dhënë nga CIA dhe në arkivin e SHISH duhet të ketë ndonjë dokument të vitit 2001 nga ku duhet të nis hetimi. Siç edhe tani nga sherbimet e specializuara se deputetë e zyrtarë të PD-së dhe PS-së, sidomos, kanë fshehur shuma të mëdha në Qipro.Mjafton që prokuroria të shikojë lëvizjet e 10 viteve të fundit të politikanëve me destinacion Qipron dhe dalin emrat. Qipro nuk shquhet për turizëm si fjala vjen Korfuzi, Kreta apo ishujt grekë. Pra kanë shkuar tek milionat e tyre të fshehura!
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani paralajmëroi dje nisjen e ndryshimeve ligjore për të kontrolluar të gjitha kompanitë që investojnë në Shqipëri nga parajsat fiskale. Si bazë për këtë do të merret modeli i ligjeve gjermane që detyron çdo kompani të tregojë aksionerët e vërtetë. Kjo është një nismë që do të zbardh disa të vërteta, por fillimisht duhet një hetim për pasuritë e shqiptarëve në Panama, Qipro, Ishujt Virxhin, Ishujt Kanarie, Ishujt Bahamas, Ishujt Kajman, Qipro, Luksemburgu, Lihtenshtajni, San Marino, ishujt Sejshel, etj. Tek e fundit vetëm një pjesë e vogël e shqiptarëve që kanë depozituar para janë biznesmenë, të tjerët janë politikanë që pasi kanë vjedhur, kanë gjetur forma të tjera për të fshehur pasuritë. Në Qipro nuk janë pasuritë e ligjshme të tyre, por janë paratë e korrupsionit, vjedhjes, krimit dhe trafiqeve.
Deklarata e ish-kreut të shërbimit sekret bëhet në momentin kur gjithë vendet e botës, përfshi edhe Shqipërinë janë tronditur nga skandali më i madh financiar “Panama Papers”. Të dhënat që kanë dalë deri më sot për Shqipërinë nga ky skandal janë vetëm një pjesë e vogël. Flitet vetëm për një biznesmen shqiptarë, Ismail Mulleti, i njohur si njeri i afërt me lidershipin e PD-së. Mulleti përveç se mund të ketë fshehur paratë në vende që njihen si Parajsa Fiskale është rikthyer në Shqipëri si investitor duke marrë një koncesion prej 150 milionë eurosh. Pra jo vetëm ka fshehur para që mund të mos jenë të tijat, por ka marrë para të tjera nga buxheti shqiptar me anë të koncesioneve, duke i transferuar paratë sërish në vende ku nuk zbulohet pronari i vërtetë. A janë paratë e tija si biznesmen dhe në këtë rast nuk ka ndonjë shkelje të madhe, apo janë paratë e një politikani të fuqishëm shqiptar, kjo mbetet një çështje që duhet të zbardhet nga organet e drejtësisë. “Panama Papers” ka dhënë vetëm detajet e para sesi funksionon skema e dyshuar e fshehjes së parave. Tashmë është në dorën e institucioneve tona të zbulojnë se kush fshihet pas saj.
Megjithatë ky është një skandal që duket se nuk do të ndalet me kaq. Në raportimet e gazetarëve ndërkombëtarë dhe rrjetit të gazetave investigative ballkanike, të cilët kanë në dorë dokumentet sekrete, thuhet se pjesa kryesore për politikanët e Ballkanit nuk ka dalë ende nga “Panama Papers”. Pritet që gjatë fillimit të muajit maj të hapet dosja e Ballkanit. Për Shqipërinë thuhet se ka një numër rekord prej mijëra faqesh me kontratat dhe kompani që kanë operuar në Panama.
Por Qipro dhe disa vende të tjera po qëndrojnë në heshtje, derisa të plasi skandali qipriot, pasi CIA dhe sherbimet e intelegjences amerikane nuk falin asnjë shkelje ligji. Ata hyjnë edhe aty ku nuk hyn drita e diellit. Edhe Kryeprokurori Llalla ka hapur dosjen “Qipro” dhe “parajsat fiskale”.
Ndaj kanë filluar teë dridhen disa politikanë dhe biznesmenë nga Shqipëria për Qipron.