Paralele e frikshme: 28 maj 1996 dhe 31 mars 2018

Si rregull çdo krahasim çalon, por prapë duket se dhuna, përplasja dhe arrestimet e ditës së shtunë, datë 31 mars 2018 kanë një ngjashmëri me 28 majin e vitit 1996.

Për të rinjtë të cilët nuk e dijnë se çka ngjarë me 28 maj 1996 po sqarojmë shkurt se pushteti i Sali Berishës vodhi zgjedhjet parlamentare të 26 majit. I mori me SHIK-un, dhunën, vjedhjen, manipulim dhe më pas populli doli në rrugë me datë 28 maj 1996 për të prostestuar. Plasi druri e dajaku mbi popullin e thjeshtë. U gjakosën. Më pas filloi rrënimi i pushtetit derisa në janar-shkurt-mars 1997 nuk kishte me qeveri, shtet. Kishte kaos.

Sikur pushteti i Berishës të mos kishte vjedhur zgjedhjet, nëse nuk do të përdorte atë dhunë shtetrore të tmerrshme, pasi e bëri raprezaljen policore me një qëllim: Që opozita dhe populli të mos guxonin të dilnin më në rrugë e në protestë kundër qeverisë.

Por bëri efektin e kundërt: Mësoi popullin me dajak e dhunë, aqsa populli nuk donte t’ia dinte më për shtetin e Saliut, derisa e rrëzoi.

Edhe kjo e ditës së shtunë, ndonëse nuk ka shumë paralele, por prapë arrin në një paralele për të cilën biem të gjithë dakort: Dhuna e mëpasme nga ana e pushtetit, duke përdorur prokurorinë dhe krejt instrumentat policorë, është e pajustifikueshme. Dhunën në djegien në Rrugën e Kombit të gjithë e dënojnë, asnjë nuk do flakë e djegie në vend. Por, si kudo në botën demokratike, kur ka protesta, ndodh që vjen edhe dhuna, djegie, tym e tmerr. Kemi parë në Athinë se ç’ndodh dhe sot Greqia ka votën për Shqipërinë nëse do të pranohet si kandidate në BE. Në Francë apo Itali digjen rrugë, objekte, etj.

Edhe kjo është pjesë e demokracisë. Nuk duhet, por ja që ndodh. Kurrsesi pas këtyre ngjarjeve nuk turret pushteti duke arrestuar sikur të ishin drogmenë apo vrasës serial.

Edhe në ngjarjen e Kukësit apo te Rruga e Kombit ishte faji i qeverisë për tarifën e lartë. E para qeveria nuk bëri fushatë ndërgjegjsuese dhe debate masive për këtë që kishte ndërmend të miratonte. Janë zona shumë të varfëra andej nga Kukësi, dhe rrugën nacionale nuk e kanë për xhiro, por si lëvizje gjatë ditës, nga një fshat në tjetrin për të punuar dhe mbajtur familjen. Imagjinoni një familje normale në ato zona, ku fjala vjen një familje me pesë veta që kanë të ardhura diku te 150 mijë lek të vjetra në muaj dhe për të kaluar rrugën tashmë iu duhet 13 mijë lekë të vjetra çdo ditë! Nuk iu del as për 10 ditë. Ndaj ishte qeveria e cila e nisi sherrin e para në raport me banorët. Nuk u konsultua dhe nuk dërgoi asnjë ministër apo deputet të saj në zona që ta debatonte dhe mundet të bindej kryeministri se tarifa mund të ishte shumë më e ulët, fjala vjen edhe 1 apo 2 euro. Kjo është çështje përceptimi, edukate, pasi deri tani nuk jemi mësuar të paguajmë për rrugën siç ndodh jashtë shtetit. Dhe si rrugë e parë me pagesë ka nevojë për një kulturë të re popullore, por jo që herën e parë me çmim marramendës dhe sjell më pas kaos, djegie dhe përplasje.

Ndaj mendoj se ishte qeveria gabim dhe që ishte shkaku. Pasoja erdhi e dhunshme, por duhet gjykuar pikësëpari shkaku. Shkaku ishte qeveria. Nëse nuk do ishte tarifë e lartë nuk do të kishte as protestë, as djegie e as arrestime.

Nuk duhej të ishin krye arrestime të mëdha, në mënyrë arbitrare dhe si formë presioni ndaj banorëve të varfër të atyre zonave. Ndëshkimi ndaj kundërshtimit me gurë ndaj policisë dënohet, por prapë gjendet një mënyrë me elokuente ligjore për ndëshkime të tilla kur flitet për arësye ekonomike, mbijetese.

Kryeministri nuk kishte pse bënte paradë force në Kukës. Kjo tregon arrogancë dhe përceptimin e një dëshire për diktaturë, gjë e cila përfundon keq.

S.P.

 Fotot nga 28 maj 1996, Tiranë

Fotot nga 28 maj 1996, Tiranë

Fotot 31 mars 2018

 

SHKARKO APP