Parisi pardje, sot në Tiranë
Mes problemeve të shumta ekonomike në vend dhe një imazhi përgjithësisht negativ në vendet perëndimore Shqipëria kishte se çfarë t’i ofronte botës pardje, mu në mes të Parisit. Për ata që mendojnë se lëvdatat dhe vetëmburrjet janë një sindromë e mbetur paskomunizmit, mjafton t’u hedhin një sy mediave prestigjioze perëndimore për vendin që zuri në faqet e tyre delegacioni shqiptar në homazhet e zhvilluara dy ditë më parë në Paris. Dhe nuk kishte pak, por mbi 60 krerë shtetesh apo kryeministra ishin në Paris në Marshimin e Madh. Pra media franceze dhe ato të tjerat kishin plot “lendë të parë” për shkrimet e tyre. Por zgjodhën edhe Edi Ramën e klerikët shqiptarë. Katër klerikët e besimeve fetare shqiptare, me duar të bashkuara, kanë qenë imazhi më pozitiv i protestës së francezeve, por jo vetëm, në rrugët e Parisit. Në kohën kur një keqinterpretim i mesazheve të një besimi fetar po shihet si motiv nga ku po burojnë tmerret e reja të Europës dhe gjithë Botës, shqiptarët treguan se besimet fetare jetojnë në paqe, bile në vllazëri. Shfaqja e dy ditëve më parë në Paris nuk ishte një shoë i sforcuar.Fatmirësisht diçka e tillë është realitet në Shqipëri. Kjo për meritë të vetë drejtuesve të fesë, por kryesisht të shqiptarëve, që deri më sot kanë arritur të bëjnë dallimin e duhur mes besimit dhe ekstremizmit. Shqipëria është një model që duhet ruajtur, si sytë ballit, siç e pohoi edhe kryeministri Rama dje në një takim me krerët e besimeve fetare e me drejtuesit kryesorë mediave shqiptare. Bile për Parisin përfaqesuesi i komunitetit mysliman shqiptar dje në takimin e pasditës në kryeministri, i cili mori pjesë në delegacionin e Shqipërisë, e lavdëroi disa herë dje kryeministrin Rama për marrjen e krerëve fetarë. ”Jam emocionuar shumë nga pritja e qytetarëve francezë-tha kleriku myslimanë Ylli Gurra- aqsa duhet të punojmë me mish e shpirt që të ruajmë vellëzarëinë fetare”.
Në homazhet e Parisit, duhet pranuar,në mënyrën e tij shkëlqeu dhe kryeministri Edi Rama. Me një gjetje të thjeshtë dhe shumë fine, tre lapsa me ngjyrën e flamurit të Francës në xhepin e xhaketës së tij, kryeministri shqiptar ra jo pak në sy. Natyrisht ishte Shqipëria në media, pasi ai përfaqëson vendin tonë. Kushdo gëzohet,edhe opozitari,kur kryeministri prezanton Shqipërinë. “Pikërisht kur mendon se lapsi është përdorur në çdo mënyrë të mundshme si simbol i fjalës së lirë dhe unitetit, ja ku vjen kryeministri shqiptar, Edi Rama, me xhepin e tij trikolor”,- shkruante dje e përditshme britanike “The Independent” për paraqitjen e Edi Ramës në homazhe. Një detaj i tillë ka bërë diferencën e Ramës mes drejtuesve të delegacioneve.Marshimi i Parisit ishte një ngjarje kundër ekstremizmit dhe intolerancës dhe Shqipëria dha mesazhin e saj kryesor, harmoninë fetare që si të vetmen mundësi për t’i thënë ndal dhunës. Natyrisht që Edi Rama ka plot për t’u kritikuar, por për finesën e gjetjes së faktit se duhej që krerët fetarë shqiptarë të ishin pjesë e delegacionit zyrtar në Paris, e sidomos “ parakalimi” i tyre në rrugën kryesore të Parisit, kreu i ekzekutivit duhet përgëzuar. Ishte gjetje që bëri jehonë. Ishte momenti që duhej një mendje ta nxirrte në pah Shqipërinë, dhe e nxori mu në Paris. Sikur 30 ditë të tjera të bënin “paradë” krerët fetarë shqiptarë në Paris apo Londër nuk do të tërhiqnin vëmendjen botërore siç ndodhi pardje.Ishte momenti, dhe kjo e bëri Shqipërinë lajm kryesor në mediat botërore. Parisi iku dhe mbeti në histori. Problemi është se këtë paraqitje në Francë ta ruajmë, pasi po përpiqen sherbime intelegjente të huaja aziatike që ta shkatërrojnë këtë harmoni, këtë imazh botëror, këtë shembull. Natyrisht nuk është se gjithçka po shkon përfekt në disa zona të Shqipërisë dhe sherbimet sekrete shqiptare kanë informacione të besueshme për persona të infiltruar që duan të prishin harmoninë fetare. Ndaj edhe mbrëmë kryeministri Rama tha se ministria e brendshme po kontrollon çdo lëvizje të disa elementëve problematikë. Edhe krerët fetarë dhe drejtuesit e mediave mbrëmë thanë se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të bllokojmë çdo tentativë që vjen nga disa elementë që kanë qenë në Siri e Irak.
Në gjithë Europën është ndezur alarmi për sulme të mundshme terroriste nga ekstremistët islamikë dhe Shqipëria nuk është jashtë këtij alarmi. Situata bëhet edhe më shqetësuese, nisur nga një sërë reagimesh online të individëve që çuditërisht kanë mbështetur sulmin në Francë. Fatmirësisht zërat kanë qenë të paktë dhe të papërfillshëm, por edhe kaq është shqetësuese, pasi tregon se terreni për radikalizëm është krijuar, edhe në Shqipëri. Që pas ngjarjes së 7 janarit në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” autoritet shqiptare të sigurisë dhe shërbimeve sekrete kanë kaluar në gjendje gatishmëri për t’u paraprirë sulmeve të mundshme në vend. Policia prej 4 ditësh ka nisur aksione në gjithë vendin për kapjen e elementëve kriminalë, por njëherësh ky aksion është kontroll dhe survejim i të gjitha pikave kryesore në vend, ku mund të kryhen akte terroriste. Që prej datës 7 janar, shërbimet inteligjente kanë vënë në survejim të gjithë personat që janë pjesë e rrymave ekstremiste të besimit islam. Gjithashtu janë vënë në përgjim persona që kanë shfaqur element ekstremistë në rrjetet sociale, apo kanë qenë aktiv në promovimin e ekstremizmit islamik. Mësohet se autoritet kanë krijuar një bazë të dhënash me gjithë individët që kanë shfaqur tendenca ekstremiste dhe janë vënë në monitorim.Kryeministri Edi Rama tha dje në një takim me përfaqësues të komuniteteve fetare dhe drejtues të medias se për të shmangur radikalizmin fetar në Shqipëri do të nis zbatimi i një projekti arsimor dhe kulturor. Kreu i qeverisë kërkoi nga mediat dhe komunitetet fetare angazhimin në një fushatë që do të shërbëjë për informimin forcimin e tolerancës dhe dialogut mes komuniteteve.
Në Paris manifestuam atë që është ndër shekuj dhe sot në realitet, atë çka duan krerët e besimeve fetare, vëllazërinë fetare. Lajmin nëpër botë për Shqipërinë e ka dhënë Papa Françesku si dhe vetë pardje krerët e besimit musliman e të krishterë. Ndërsa në Tiranë krahas bashkëvëllëzarisë, ministria e brendshme dhe sherbimi sekret po monitorojnë me kujdes situatën. Janë vënë në lëvizje gjithë strukturat e shtetit. Disa pika-bastione janë nën survejim të plotë.Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm për ta ruajtur këtë vlerë që kemi ndër shekuj.