Parku i Liqenit që ngriu Reformën në Drejtësi
Edi Rama ka deklaruar se brenda muajit mars reforma në drejtesi do të kalojë me çdo kusht dhe nëse nuk kalon atëhere kemi planin “B”. Planin “B” pak ditë më parë nga halli e kaloi në planin “C”. I dha kohë vetes dhe opozitës për të gjetur zgjidhje. Ndërkohë PD-ja u hodh në sulm. Vendosi kushte të prera ndaj Ramës, por me përplasjen e djeshme tek Liqeni ku palët u përplasën dhe u grushtuan tregon se reforma nuk duket në horizont. Kjo javë duhej të ishte përcaktuese për të ardhmen e reformës në drejtësi, por rritja e tensionit politik nëpërmjet protestave të opozitës tek Liqeni, duket se po i largon edhe më shumë drejtuesit politikë nga një vendimarrje në favor të kompromisit.
Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama si nxitës të dhunës kundër opozitës për të mbrojtur, siç tha, planin e tij të hershëm, klientelist dhe korruptiv të betonizimit të Tiranës.
“Nuk bëhet fjalë për mijëra metra katrorë gjelbërim në të vetmen mushkëri të kryeqytetit. Bëhet fjalë për rënien e shtetit ligjor, garancisë së vetme që qëndron mes dajakut arbitrar, arrestimit arbitrar, vrasjes shtetërore dhe një shoqërie të civilizuar europiane dhe demokratike”, thotë Basha.
Edi Rama reagoi me pak fjalë dhe ironizoi opozitën menjëherë pas mbarimit të protestës tek Liqeni.
“Vizion jo! Program jo! Ekip as bëhet llaf! Lider jo e jo! Shyqyr u gjet një park lodrash për kalamaj që të shfrysh inatin me qeverinë. VajmedetPD”, shkruan Rama.
Por Edi Rama nuk ishte i vetmi ndaj të cilit kreu i opozitës përdori një gjuhë të ashpër.
“I bëj thirrje prokurorisë të mos heshtë. Ka një muaj që janë bërë kallëzimet. Heshtja është kompromentim i rëndë, heshtja tregon se nuk ka më asnjë shpresë për shtetin ligjor dhe se është koha që qytetarët ta marrin të drejtën në duart e tyre. Qeverisja mbi Kushtetutën dhe ligjin është tirani. Tiranitë kanë vetëm një fat, ato përmbysen”, thotë Basha në njërin prej reagimeve të tij në rrjetet sociale.
Përshkallëzimi i tensionimit politik ka ndikuar drejtpërdrejtë tek qëndrimi në vendnumëro i reformës në drejtësi. Ajo vazhdon të mbetet e bllokuar dhe që nga e mërkura në mbrëmje, nuk ka bërë asnjë përparim. E vetmja gjë e qartë është se as mbledhja e paralajmëruar për të martën mes palëve nuk do të zhvillohet.
Tani ka dalë në plan të parë përballja me “regjimin diktatorial dhe fashist të Ramës” thotë Basha e Berisha. Reforma ka ngrirë, pas ditës së djeshme ku PD-ja po përgatit mbi 20 mijë demokratë të rrethojnë parkun tek liqeni ku po bëhen punimet.
Duket pak shpresë për zgjidhje.