Parlamenti i grushtit
Ndërsa lajmet më të rëndësishme kanë qenë ato për arrestime deputetësh, zbulim të së kaluarës së tyre kriminale dhe ndikime në tendera. Kur sheh sherret e fundit dhe përplasjet pa sens duket se ky Parlament e ka mbaruar misionin…
Nga Qamil Xhani
Seanca e djeshme në Kuvend vetëm me politikën dhe miratimin e ligjeve nuk kishte lidhje. Audioregjistrimi i publikuar dy ditë më parë me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka qenë tema kryesore që ka dominuar punimet e Kuvendit. Mënyra sesi u diskutua kishte të bënte me debatin nëse ka apo jo të drejtë ministri për shkarkimin e një drejtori. Në fakt nuk mund të flitet për debat, por për sherr, dhunë dhe fyerje.
Në mungesë të Kryetarit të Kuvendit Meta dje seanca u drejtua nga nënkryetarja Valentina Leskaj. Në fakt kur e drejtojnë socialistët përherë ka sherr dhe përplasje në Parlament. Duket se nuk kanë sensin e durimit aspak në raport me ish-Kryeministrin Berisha. Që në nisje të seancës kreu i deputetëve të PD-së, Edi Paloka sulmoi fizikisht ministrin Ilir Beqaj. Menjëherë Palokës i janë bashkuar dhe deputetë të tjerë demokratë që e kanë bërë të pamundur zhvillimin e seancës. Disa minuta më vonë, kur “gjakrat” duket se ishin qetësuar ishte deputeti demokrat Flamur Noka që u bë protagonist i një tjetër incidenti. Këtë herë nuk ishte ministri i Shëndetësisë, por Kryeministri Edi Rama ai që u ndalua të fliste në foltoren e Kuvendit. Argumenti që përdori opozita dhe Flamur Noka ishte se pa folur ish-Kryeministri Sali Berisha, askush tjetër nuk mund të merrte fjalën në Kuvend. Ky qëndrim i Flamur Nokës solli dhe përjashtimin e tij nga seanca e djeshme e Kuvendit. Më pas Berisha foli dhe përdori të njëjtën gjuhë që përdor gjithmonë në Kuvend. Një fjalim që nis nga problemet e ditës në vend, akuza për ministra të veçantë dhe përfundon me hipoteza për lidhje të Kryeministrit me mafien italiane Camorra apo Ndrageta. Edhe dje ishte i njëjti fjalim, me të njëjtat akuza, por me emra të ndryshëm.Nuk mungoi dhe reagimi i Kryeministrit Edi Rama. Me një gjuhë më të moderuar, por me ironi edhe më therëse se akuzat e Berishës, Rama u mundua të normalizojë debatin në një Kuvend që prej disa kohësh nuk është më normal. Por kjo i hodhi benzinë zjarrit. Kryeministri dhe ish-Kryeministri bënin sherr se kush do të flasë i pari në Kuvend dhe cili të akuzojë më shumë tjetrin nga foltorja. Ky është një “film” që përsëritet çdo të enjte në Kuvend duke hequr çdo seriozitet të institucionit kryesor në vend.
Parlamenti kishte dje në rend dite zgjedhjen e njerëzve që do të hapin dosjet e komunizmit. Është një institucion i ri që do të tregojë sesi kanë ndodhur disa nga krimet më të tmerrshme para viteve ‘90. Hapja e dosjeve është një detyrim i vonuar i politikës ndaj shoqërisë dhe nisma të tilla kërkojnë seriozitet dhe profesionalizëm. Në vend të diskutimit të këtyre nismave dhe ligjeve të tjera, Parlamenti u kthye në arenë boksi dhe sallë mitingu. Fjalori i përdorur më shumë se deputetëve u shkon për shtat vetëm karrocierëve të dehur. Në fund të ditës ajo çfarë njerëzit mbajnë mend nuk janë as ligjet, as projektet që tregojnë sesi përmirësohet apo përkeqësohet jeta e tyre, por vetëm fyejt dhe sharjet. Kjo sepse ka deputetë të inkriminuar dhe të kulturuar.
Përgjatë tre viteve të fundit gjuha vulgare dhe akuzat e egra kanë qenë ajo çfarë qytetarët shikojnë në këtë Parlament. Ndërsa lajmet më të rëndësishme kanë qenë ato për arrestime deputetësh, zbulim të së kaluarës së tyre kriminale dhe ndikime në tendera. Kur sheh sherret e fundit dhe përplasjet pa sens duket se ky Parlament e ka mbaruar misionin.
Dita e enjte është dita e turpit, pasi është dita kur mblidhet Parlamenti në seancë parlamentare.