Pas daljes mbrëmë të kryeministrit, asgjë e re nga Reforma Zgjedhore

Edhe mbrëmë shefi i qeverisë përdori me djallëzi mbështetjen që i dhanë disa ambasadorë parmbrëmë se gjoja “PS-ja ka lëshuar shumë nga vetja”. Tani të huajt i kanë vendosur ujkut, mëlçinë në qafë dhe Edi Rama ka të drejtë që jo vetëm të hajë mëlçitë, por krejt tufën, bile edhe me barinjtë e huaj.

Kryeministri Edi Rama ka zbardhur dje te Blendi Fevziu disa detaje nga marrëveshja ende e pa nënshkruar mes qeverisë dhe opozitës për reformën zgjedhore. Në fjalimin e mbajtur në Kuvend paradite dhe në mbrëmje në emisionin “Opinion”, kryeministri u kujdes të jepte dy mesazhe kryesore. I pari, që qeveria dhe ai personalisht kanë bërë lëshime të jashtëzakonshme për opozitën lidhur me reformën duke dëshmuar sipas tij se “mazhoranca do dialogun”. Ndërsa mesazhi i dytë i kreut të qeverisë është se nëse PD-ja dhe opozita nuk pranon marrëveshjen, atëherë qeveria do ta votojë në mënyrë të njëanshme reformën zgjedhore me votat e opozitës false në Parlament. I vetmi mesazh serioz i Edi Ramës është ai se Kodin Zgjedhor e kalon i vetëm në Kuvend. Gjatë këtyre viteve kryeministri ka bërë shkelje dhe atentate më të rënda ndaj demokracisë, ndaj dhe votimi i njëanshëm nuk quhet më si herezi. Maksimumi do të jetë një tjetër goditje fatale ndaj demokracisë dhe stabilitetit të vendit, por këto gjëra nuk i interesojnë më qeverisë.

Ndërkohë çështja e tolerimeve që ka bërë për opozitën është një tallje e madhe ndaj qytetarëve dhe ndaj ndërkombëtarëve që kanë marrë pjesë në negociatat. Sipas kryeministrit tolerimi më i madh ishte ai i verifikimit elektronik të zgjedhjeve. Teknologjia mund t’i bëjë më të mira zgjedhjet, por nëse bëhet e pjesshme dhe vetëm për verifikim të numrit të votuesve është vetëm gjysma e punës. Identifikimi biometrik është vetëm një element i zgjedhjeve dhe heq mundësinë e votimeve disa herë. Por problemi i zgjedhjeve është të mbushja e kutive të votimit dhe pika më serioze është numërimi. Sistemi që kemi aplikuar deri më sot është se rojtarët e votave janë komisionerët e partive. Pasi u ka dhënë identifikimin e votuesve, Edi Rama kërkon tashmë të prek rojtarët e votave duke hequr ekskluzivitetin e partive. Edhe pse në Parlament u duk i lëkundur, në emisionin “Opinon” deklaroi se zgjidhja e krizës së zgjedhjeve është caktimi i një pjese të komisionerëve nga administrata shtetërore. Sipas tij, kjo është kërkesë e OSBE/ODIHR dhe depolitizimi i pjesshëm i komisioneve duhet realizuar në këto zgjedhje. Pavarësisht se e thotë OSBE dhe Presidencën e radhës së OSBE e ka Shqipëria, skema e komisionerëve jo politikë është forma e re manipulimit të zgjedhjeve. Një zyrtar i administratës së shtetit nuk është garanci për të mbrojtur votat e opozitës, por për votat e pushtetit.

Veç çështjes së komisionerëve dhe identifikimit të votuesve, nga ajo që thotë kreu i qeverisë, reforma nuk ka prekur asnjë çështje serioze. Çfarë është më ironike lidhet me faktin se kryeministri dhe ndërkombëtarët thonë se qeveria ka bërë lëshime. Ndërkohë që palët vetëm sa kanë dalë pak nga rekomandimet e OSBE/ODIHR, jo për të prekur gjërat kryesore, por për të plotësuat tekat e qeverisë. Çështjet e trajtuara në Këshillin Politik janë shumë larg asaj që prisnin qytetarët për reformën zgjedhore. Ndryshimi i sistemit, listat e hapura, vota e emigrantëve dhe 1 mijë probleme të tjera që kanë zgjedhjet në Shqipëri thjeshtë nuk janë marrë në konsideratë nga ana e qeverisë. Nëse kryeministri do të kishte lëshuar në këto pika, atëherë marrëveshja do të cilësohej si një arritje, jo thjesht për opozitën, por për gjithë shoqërinë dhe historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Në fakt, këto nuk janë pranuar as në diskutim nga qeveria dhe gjithë debati për komisionerë është një lojë propagandë për gjasme reformë serioze.

Edhe mbrëmë kryeministri Rama e përdori me djallëzi mbështetjen që i dhanë disa ambasadorë parmbrëmë se gjoja “PS-ja ka lëshuar shumë nga vetja”. Tani të huajt i kanë vendosur ujkut mëlçinë në qafë dhe Edi Rama ka të drejtë që jo vetëm të hajë mëlçitë, por krejt tufën, edhe me barinjtë e huaj.

SHKARKO APP