Pas ish-kryeministrit Mehmet Shehu mbërrin në Lurë kryeministri Rama
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Lurë, një zonë mjaft turistike, por që vitet e fundit e kanë shkatërruar, sidomos liqenet e Lurës. Kryeministri bisedoi, debatoi, por nuk munguan replikat. Nuk munguan as batutat me fshatarët e Lurës, të cilëve Rama u premtoi se do i ndërtonte rrugën, por me shaka u tha: “Mos më shkruani që sot në Facebook pse nuk është bërë rruga”.
Edi Rama shkoi në Lurë, por me ironinë tipike dibrane, banorët e zonës i treguan se nuk ishte i pari kryeministër që shkelte tokën e tyre.
“Kush ka qenë tjetër?-pyeti Edi Rama.
-Mehmet Shehu!- thanë banorët.
-Mehmet Shehu? Eeeee, ishalla ndryshe puna ime…!”– tha Rama duke qeshur.
Lura është pjesë e projektit të 100 fshatrave të përzgjedhura në kuadër të projektit të Rilindjes Rurale. Infrastruktura rrugore është problemi më i madh për zhvillimin ekonomik dhe Kryeministri e premtoi.
“Është kafshata e dytë e madhe për buxhetin. Qenka e thënë që kafshatat e mëdha qenkan këtu në Dibër. Se Rruga e Arbrit është e bukur të bësh, por nuk është kafshatë e lehtë të gëlltitet. Edhe kjo gjithashtu. Por do ta bëjmë, veç mos filloni që sot në Facebook ku është rruga?”, vijoi kryeministri Rama.
Rama ftoi banorët e Lurës të shfrytëzojnë financimet që ofron programi i agroturizmit dhe të kthejnë banesat në bujtina. Nga ana tjetër, Qeveria do të ndihmojë për restaurimin e shtëpive tipike.
“Fondi për shtëpitë, njësoj siç bëmë për Vunoin dhe Dhërmbiun, do evidentojmë disa shtëpi për t’i restauruar”, tha ai.
Për ta takuar, kishin dalë edhe votues demokratë, sic u vetëidentifikua disa prej tyre.
Qytetari– Në atë kohë isha më pak vetë i persekutuar, tani jam me gjysmën e Shqipërisë
Rama– Tani ke dhe Saliun të persekutuar…
Qytetari- Sa e merr Saliu pushon krejt t’jujt, sa vjen ti, pushon ata t’Saliut… unë jam i persekutuar me gjysmën e Shqipërisë.
Rama- Lum ti, se ata të mitë më thonë: S’do gjë as ti se nuk pushove asnjë…
Mehmet Shehu ishte kryeministri i Shqipërisë në vitet e diktaturës. Ai u gjet i vdekur më 18 dhjetor 1981 në dhomën e gjumit të shtëpisë së tij dhe dyshohet i vrarë pas konflikteve të vazhdueshme me ish-diktatorin Enver Hoxha. Regjimi, asokohe, tha se ka vrarë veten, por dëshmi të forta tregojnë se e vrau numri një i shtetit komunist shqiptar.
Ndaj Edi Rama qeshi me sarkazem në Lurë, sapo i thanë se i vetmi kryeministër në historinë e tyre që kishte shkuar në Lurë ka qenë ish-kryeministri Mehmet Shehu.
Dhe sot me datë 16 qershor 2018 kryeministri Edi Rama ishte në Lurë.
Dy kryeministra në Lurë!