PD: 8 dhjetor, protesta dhe qeveri teknike

 

 

Partia Demokratike prezantoi zyrtarisht dje strategjinë e saj për protestën e 8 dhjetorit. Kryetari i saj, Lulzim Basha ka bërë publike dy kërkesat që janë dhe objekti kryesor i zhvillimit të mitingut ditën e martë: qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Të dyja kërkesat nuk lënë vend për kompromis dhe data 8 dhjetor po shihet nga opozita si një përplasje e madhe me mazhorancën. “Protesta është padyshim fillimi i përballjes pa kthim për largimin e qeverisë “Rama” dhe pjesëmarrja masive dhe popullore në këtë protestë e të gjithë atyre që nuk pranojnë më qeverinë e Edi Ramës dhe 40 hajdutëve si përfaqësuese të interesave të tyre është sinjali më i qartë, është vula se kësaj qeverie i kanë mbaruar ditët, i ka mbaruar koha”,- njoftoi Basha në një intervistë të dhënë për “Top Channel”.

Tubimi i demokratëve ditën e martë është një shenjë force që opozita bën përballë mazhorancës. Por nga ana tjetër opozita po insiston fort për disa reforma urgjente. Në Kuvend është depozituar drafti për dekriminalizmin, i cili është kërkuar nga vetë Partia Demokratike. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve pritet që Komisioni i Venecias të dërgojë në Tiranë dhe draftin përfundimtar me rekomandimet konkrete për reformën në drejtësi. Të dy këto projekte janë kushte  të vendosura nga ndërkombëtarët për marrjen e statusit të vendit kandidat. PD-ja po luan fort në këto pika, sepse e shikon se mazhoranca po heziton prej muajsh.

Sipas selisë së PS-së protesta u zgjodh në këtë moment vendimtar për penguar pikërisht reformat prej selisë blu. Konkretisht , sipas PS-së, kjo protestë lidhet me reformën në drejtësi dhe qëndrimin e mazhorancës për dënimin e ish-zyrtarëve të akuzuar, si ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministrat e tjerë, por edhe vetë kreun aktual të PD-së, Lulzim Basha. Sipas deputetëve të PS-së, shkëputja e gjyqësorit nga politika me këtë reformë do të mundësojë hapjen dosjes për Gërdecin, Rrugën Durrës-Kukës dhe 21 Janarin.

Por nga ana tjetër Basha duket i vendosur për protestën deri në rrëzimin e Ramës si kryeministër. Lulzim Basha tha se “një qeveri e përballur me një popull në këmbë, me një mosbindje masive nga jugu në veri është një qeveri e rënë. Është vetëm çështje orësh apo ditësh derisa ajo të bjerë dhe ligjërisht”. Pra “për pak orë dhe ditë” bie qeveria Rama, thotë lideri i selisë demokrate, por a do të vendosë PD-ja për ditën e martë që vetëm të flasin e të nxjerrin dufin e inatit kundër Ramës apo do të ketë edhe veprime konkrete specifike? Nëse nuk ka plan B apo qëndrim në bulevard për të bllokuar mazhorancën atëhere protestuesit do të lodhen e do të thonë ”edhe këta të PD-së vetëm flasin, por nuk kanë takat për më tej”.

Por veç llogarive politike, data 8 dhjetor duket se do të jetë një betejë dhe për zhvillimin e protestës në mënyrë paqësore. Retorika e përdorur nga drejtuesit e Partisë Demokratike lë pak vend për të besuar se ajo do të jetë e qetë. Kreu i selisë blu Lulzim Basha ka folur me tone revolucionari për “rrëzimin”, “shporrjen e së keqes” dhe “marrjen në dorë të fateve nga vetë populli”. Qëndrime të tilla vetëm thirrje për protestë paqësore nuk janë. Një spot publicitar i publikuar nga selia blu për protestën bën thirrje popullore për rrëzimin e qeverisë.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha, të premten vonë, në sallën e Parlamentit i bëri kërcënim të hapur Kryeministri Edi Rama. “Mos ik me 8 dhjetor, mos ja mbath me 8 dhjetor, por rri në zyrë!”,- tha Berisha në sallën e Kuvendit. Një fjali që në stilin e qëndrimeve të Berishës i ka të gjitha mesazhet brenda.

Mënjëherë ka reaguar mbrëmë selia e PS-së e cila ka thënë se vetëm mbeturina do të bëjnë të martën, por do ti pastrojmë shpejt”. Pra nënteksti është se Basha e Berisha nuk kanë më b.. për të bërë gjë kundër Edi Ramës.

SHKARKO APP