PD, dorëzohet!
Teksa kremtonte mbrëmjen e djeshme 24-vjetorin e themelimit, Partia Demokratike nuk kishte shumë gjëra për të festuar. Vitet e rrëmujshme të pushtetit kanë marrë fund dhe PD-ja ndodhet në opozitë, pas humbjes elektorale më të thellë në historinë e saj që nga themelimi. Ka një kryetar të ri, por hija e ish-kryetarit Sali Berisha, ku më shumë e ku më pak, shfaqet në vendimet dhe sjelljet nervoze gjatë vitit të fundit. Festa e djeshme nuk kishte asgjë për të festuar dhe përsa i përket bilancit të kohës që ndodhet në opozitë. PD-ja ndodhet jashtë Parlamentit dhe afër ka një numër të kufizuar aleatësh, të cilët rrinë në koalicionin opozitar vetëm sepse nuk ka vend në karriget e mazhorancës, apo edhe pse Rama nuk u ka bërë shenjë të afrohen. Faktori ndërkombëtar ka nisur një stuhi kritikash dhe apelimesh për sjelljen e opozitës, duke bërë që PD-ja e sotme të izolohet në aksionin e saj politik. Më saktë, zgjodhi të vetëizolohet, duke nisur prej gjashtë muajsh një bojkot, arsyet e të cilit nuk i kishte të qarta as vetë lidershipi i saj, por hija e ish-udhëheqësit historik Berisha duket se krijon frikë në oborrin e PD-së. U deshën disa takime me ndërkombëtarët dhe ambasadorët në Bruksel e Tiranë, disa qëndrime të forta nga kreu i Parlamentit Europian, si dhe nga vetë përfaqësues të Partive Popullore Europiane, pjesë e të cilës është vetë PD-ja për të kuptuar se rruga e nisur prej gjashtë muajsh ishte pa rezultat. PD-ja e nisi bojkotin si një zgjedhje të momentit, por tani kur i kanë shteruar argumentat e një rruge pa krye, nuk po di si të dalë prej saj me dinjitet. Frika e humbjes së mandateve është më e fortë sesa dëshira për të bërë politikë rruge. Ndaj prej disa javësh, drejtuesit e PD-së janë duke kërkuar mënyra sa më pak të dëmshme për imazhin e tyre për t’u kthyer në Kuvend.
Prej një jave është sajuar një vizitë e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga në Tiranë dhe një fjalim i saj në Parlament, çka do të sjellë edhe pjesëmarrjen e opozitës në seancë, në shenjë respekti ndaj kryetares së shtetit të Kosovës. Të përdorësh vizitën e kreut të shtetit të Kosovës në këtë mënyrë, mund të jetë “shpëtimtare” për mandatet e opozitës, por është e turpshme për politikën shqiptare. Boll pis jemi bërë dhe jemi tallur me zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, është e pafalshme të fusim dhe politikanët e Prishtinës në llumin e interesave të kampeve politike në Tiranë. Megjithatë, PD-ja ka hallin e gjetjes së një justifikimi dhe duket se nuk i bëhet vonë për përdorimin e politikanëve të një vendi tjetër. Mjafton të gjejnë një mënyrë për t’u kthyer në parlament e për të mos humbur mandatet e deputetit. Dhe e kanë sajuar; ardhja e Presidentes së Kosovës në Parlament.
Në selinë blu shumë pak veta që mendojnë se bojkoti ia vlejti, por nuk po gjejnë dot mënyrën sesi të kthehen krenarë. Presioni i aleatëve të PD-së për të hyrë në Kuvend dje ka arritur kulmin. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu deklaruan se do të hyjnë në Kuvend edhe nëse Partia Demokratike nuk pranonte të thyente bojkotin gati 6-mujor. Takimi i zhvilluar dje në selinë e Partisë Demokratike mes drejtuesve të koalicionit e ka vënë kreun e PD-së, Lulzim Basha para faktit të kryer për thyerjen e bojkotit dhe rrezikut për të pasur një opozitë të përçarë. Dashamir Shehi deklaroi se do të shkonte në Kuvend dhe se bashkë me të ishin edhe disa deputetë të tjerë të PD-së që mendonin po njëlloj. Kreu i PR-së pranoi nevojën e thyerjes së bojkotit, por shtoi se duhej një vendim politik i gjithë koalicionit. Më pas, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi para mediave se bojkoti e kishte arritur qëllimin, por tashmë i takon mazhorancës të bëjë pjesën e saj. Një mënyrë e butë kjo për të thënë se “jemi gati të kthehemi”.
Për t’ia lehtësuar paksa peshën e turpit opozitës, dje mazhoranca bëri dhe një koncesion procedural nga ana e saj. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi dje se punimet e Kuvendit do të mbyllen në fund të muajit dhjetor. Më parë ishte parashikuar data 18. Por në këtë mënyrë, mazhoranca i ka dhënë kohë PD-së që të kthehet në Kuvend pa rrezikuar për mandatet që u fluturojnë nga duart deputetëve gjatë ditëve të para të janarit.
Aksioni gati 6-mujor i opozitës në kancelaritë europiane, duhet thënë se pati një efekt. Si rrallëherë, në takimet e drejtuesve të PD-së me diplomatë janë përmendur termat ‘Kuvend me kriminelë’, ‘deputetë vrasës’, ‘trafikantë’, ‘dhunues’, etj, aq sa në raportet e PD-së duket se vendi nuk është republikë me institucione, por një bandë terroriste. Nëse krijimi i një imazhi të tillë për Shqipërinë ka qenë objektivi i PD-së dhe kjo quhet sukses nga drejtuesit e saj, atëherë bojkoti nuk ka dëmtuar vetëm opozitën, por gjithë vendin. Por cili është bilanci real i opozitës në aksionin e saj dhe bojkotin? PD-ja e nisi bojkotin si mision për të larguar nga Kuvendi deputetët me precedentë penalë. Por duke akuzuar deputetët e mazhorancës, PD-ja nuk tha asnjë fjalë për deputetët brenda radhëve të saj me dosje penale. Nuk dha asnjë variant sesi në zgjedhjet e ardhshme do të shmangen ligjvënësit “e fortë”. Vendimi për hyrjen e opozitës në Kuvend duket edhe më afër pas deklaratave të djeshme të drejtuesve të saj. Tashmë që s’ka fituar as në tavolinë dhe as në rrugë, PD-ja po kthehet në Kuvend, njëlloj siç ishte rreth gjashtë muaj më parë, ndonëse një miting të madh e bëri para ca ditëve. Është një kthim për të shpëtuar vetëm mandatet, pa asnjë produkt tjetër, veç deklaratave mburravece që bëjnë në Facebook përfaqësuesit e PD-së. Një situatë që i shkon për shtat vetëm shprehja popullore: “Të dhjerë, por krenarë”. Por më mirë që u kthyen, pasi ka nevojë qeveria për një opozitë të fortë në sallën e Kuvendit.