PD-ja,skenar kosovar në sallë?
Partia Demokratike do të zhvillojë sot protestën e radhës para parlamentit. Për vetë mënyrën sesi është organizuar tubimi i demokratëve dita e sotme pritet të ketë tensione. Bile informacionet janë se do të jenë shumë të dhunshme sot përplasjet. Tubimi do të nis rreth orës 10:00 para Kuvendit dhe pritet që protestuesit të jenë grumbulluar në momentet kur në sallën e parlamentit do të hyjnë deputetët, anëtarët e qeverisë dhe Kryeministri Edi Rama. Veç mbështetësve të PD-së nga Tirana nuk do të mungojnë dhe nga rrethet. Një formë proteste do të zhvillojnë dhe deputetët e PD-së në sallën e Kuvendit. Momenti më i rrezikshëm mendohet të jetë momenti kur do të hyjë në sallën e parlamentit, kryeministri Rama. Ndaj protesta pritet të ketë momente kritike jo vetëm tek turma në shesh, por edhe nga deputetët e opozitës në Kuvend.
Protesta e sotme nuk do të shihet si një sfidë vetëm për forcat e rendit, por më shumë për vetë Partinë Demokratike. Nëse sot do të ketë dhunë faji nuk do të jetë i disa militantëve të papërgjegjshëm, por i vetë drejtuesve të PD-së që kërkojnë revoltë. Nëse protesta del nga kontrolli, PD-ja rrezikon të marrë një ndëshkim spektakolar në arenën ndërkombëtare. Sinjali për pasojat i është dhënë selisë blu në mënyrë direkte nga ndërkombëtarë gjatë tre ditëve të fundit. Diplomatët e ambasadave kryesore në vend, SHBA, BE, OSBE dhe Britanisë së Madhe, për herë të parë i treguan lidershipit të PD-së se është në të drejtën e tyre të protestojnë, por ka një vijë të kuqe e cila nuk duhet të kalohet. Dhe vija e kuqe për diplomatët perëndimor është bllokimi i Kuvendit dhe shpërthimi i dhunës ndaj institucioneve. Mesazhet dhe kontaktet në mënyrë private për protestën nuk kanë munguar drejt selisë blu dhe deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Janë disa qëndrime të opozitës që kanë vënë në alarm ndërkombëtarët dhe institucionet e rendit në vend lidhur me mbarëvajtjen e mitingut. E para është protesta e 8 dhjetorit, e cila u nis i paqësore, por përfundoi me akte dhune. Precedenti i krijuar rreth një javë më parë ka bërë që ndërkombëtarët edhe kur në PD thonë se nuk do të ketë dhunë, ti marrin me rezerva këto qëndrime. Së dyti, janë deklaratat e fundit të bëra nga Partia Demokratike. Një intervistë e dhënë nga deputetja e PD-së Albana Vokshi në “Koha Jonë” ku flitet për ultimatum dhe për ta shpallur “person non grata” ndaj Kryeministrit shkaktoi jo pak reagime në opinionin publik. Qëndrimeve të Vokshit u janë shtuar këto ditë dhe shprehjet me ngjyra e toneve të forta të Sali Berishës, Arben Ristanit dhe Edi Palokës. Një gjuhë e tillë, sado që më pas është zbutur me shprehje dhe fjalët “paqësore” vetëm sa shton dyshimet për fatin e protestës së sotme. Demokratët nuk janë popull që tërhiqet lehtë nga beteja e tyre. E kanë traditë, e kanë në gjak salinizmin.
Kreu i PD-së Lulzim Basha dje foli për “betejë të qytetarëve në shesh dhe betejë të deputetëve të opozitës në Kuvend”. Sigurisht, Basha foli për betejë kundër buxhetit të qeverisë “Rama” me replika dhe debate. Një variant i diskutuar mes deputetëve demokratë është ai i bllokimit të seancës. Në vitet 2005-2009 deputetët e PS-së bllokuan disa herë kuvendin me bilbila dhe mjetë të tjera zhurmuese duke e bërë të pamundur vazhdimin e seancave. Një skemë e ngjashme mund të vihet në zbatim nga demokratët ditën e sotme duke shtuar elementë të tjerë, si vezë, bojë, apo dhe gaz lotsjellës. Nuk dihet nëse ky skenar do të vihet në zbatim, megjithatë si opsion mes deputetëve të PD-së është diskutuar. Detajet e protestës dhe mënyra sesi do të sillet PD-ja sot në shesh dhe në Kuvend janë mbajtur sekret me fanatizëm nga deputetët demokratë gjatë ditës së djeshme.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka angazhuar gjithë repartet speciale për mitingun e sotëm. Sheshet kryesore të Tiranës do të jenë të bllokuar. Autobusët e rretheve do të ndalohen të hyjnë në kryeqytet. Qindra-mijëra forca policie do të vendosen përgjatë sheshit “Skënderbej” dhe deri te godina e Kuvendit. Kontrollet në rrugicat afër Parlamentit nisën që gjatë mbrëmjes së të mërkurës, ndërsa thuajse gjithë efektivët e Gardës së Republikës kanë kaluar në shërbim të përforcuar. Veç institucioneve të rendit edhe deputetët e mazhorancës duket se kanë një plan për të shmangur incidentet. Gjatë mbrëmjes së djeshme deputetët socialistë janë udhëzuar që të mbërrijnë në Kuvend para orës 09: 00 të mëngjesit për të shmangur kontaktet me turmën e demokratëve. Pritet që dhe mbledhja e grupit parlamentar të zhvillohet në ambientet e Kuvendit dhe më pas socialistët të hyjnë direkt në seancë.
Por sado masa të marrë Policia e Shtetit dhe të shmangin provokimet deputetët socialistë, gjithçka mbetet në dorën e drejtuesve të Partisë Demokratike. Sot është një test për Bashën dhe Berishën. A do e kalojnë vijën e kuqe?
Në fakt “vijë të kuqe” nuk njeh PD-ja asnjëherë kur vendos për një betejë politike e cila mund të kthehet në përplasje të turmës me policinë e shtetit. Nëse deputetët e PD-së do të përplasen në parlament edhe fizikisht tensioni jashtë sallës pritet të bëhet frikshëm i rrezikshëm.