PD “kërleshet” me EURALIUS

Partia Demokratike është gjendur ditët e fundit në shënjestrën e reagimeve të ashpra të ndërkombëtarëve. Pas kritikave dhe akuzave të ambasadorit amerikan Donald Lu, dje, kundër PD-së ka dalë edhe Bashkimi Europian. Shkak është bërë pretendimi i opozitës se ligji kryesor i reformës në drejtësi, Vetingu, është dërguar i përkthyer gabim në Komisionin e Venecias. Sipas PD-së, gabimet kanë qenë të qëllimshme dhe synojnë deformimin e pikave kryesore të ligjit që ka peshën kryesore në reformën në drejtësi. Çështja e përkthimit të gabuar është kthyer në një betejë politike, e cila po kërlesh ashpër selinë blu me Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe Bashkimin Europian. Fjala “kerlesh” është e jashtëzakonshme si kuptim. Kush e di mirë, kush nuk ia di kuptimin të pyesë !

Dy ditë më parë ishte ambasadori Donald Lu, ai që në një deklaratë direkte akuzoi pretendimet  për “përkthimin  e gabuar” si gënjeshtra dhe përpjekje për të vonuar gjithë reformën në drejtësi. Ambasadori nuk e përmendi asnjëherë me emër selinë blu, por në deklaratën e tij ishte e qartë se teksa fliste për gënjeshtra ndaj misionit EURALIUS kishte parasysh Partinë Demokratike dhe ankesat e saj për përkthimin. Pas akuzës së ashpër të diplomatit amerikan pritej që selia blu të shmangte me finesë pretendimet për përkthim të gabuar. Aq më tepër kur kreu i Gjykatës Kushtetuese deklaroi se nuk ka pasur dallime në përkthimin e ligjit që u dërgua në Komisionin e Venecias me ligjin që u ridërgua pas ankesës së PD-së.

Pavarësisht kësaj, PD-ja këmbënguli dje në pretendimin se ligji jo vetëm nuk është përkthyer korrekt, por është bërë qëllimisht. Dy ekspertët ligjorë të PD-së, Oerd Bylykbashi dhe Gazmend Bardhi sqaruan dje mediat për pretendimet e opozitës lidhur me dëmet që sipas tyre ka sjellë përkthimi. Një sqarim që më shumë se për opinionin ishte një përgjigje ndaj deklaratave të ashpra të ambasadorit amerikan, Donald Lu.

Por pas ambasadorit amerikan, një tjetër reagim i ashpër ka mbërritur gjatë mbrëmjes së djeshme nga zyrat e Bashkimit Europian në Bruksel. Maja Koçijançiç, zëdhënëse për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, ka dënuar qëndrimet e Partisë Demokratike. Në qëndrimin e BE jepeshin tre mesazhe për PD dhe publikun.

E para, përkthimet zyrtare të çdo dokumenti janë përgjegjësi e institucioneve shqiptare që i çojnë në Komisionin e Venecias. E dyta, akuzat se, misioni i BE-së për asistencë në drejtësi EURALIUS ka gabuar qëllimisht në përkthim janë të rreme. Në këtë mënyrë BE i kujton PD-së se nuk mund të përfshijë në politikën e ditës institucione që varen direkt nga Brukseli. Dhe e treta BE akuzon PD-në se, “veprimet apo deklaratat, të cilat në mënyrë artificiale synojnë të krijojnë konfuzion, duket se kanë të vetmin qëllim që të mundohen të vonojnë zbatimin e reformës së drejtësisë, përfshirë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Në gjithë reagimin e Brukselit vihet re dhe nervozizmi ndaj qëndrimeve të Partisë Demokratike duke e akuzuar atë për mashtrim dhe pengues të reformës.  Pas deklaratave të muajit korrik, kur nga BE dhe SHBA kërkohej me forcë votimi i ndryshimeve kushtetuese nga deputetët e djathtë, kjo e djeshmja ishte shuplaka më e rëndë për qëndrimet e mbajtura nga opozita.

Zyrtarisht ambasadori amerikan dhe BE po e akuzojnë PD-së si bllokuese të ligjit të Vetingut dhe si palë të interesuar për moszbatimin e gjithë reformës në drejtësi. Kaq hapur asnjë forcë politike nuk është akuzuar dhe kritikuar nga partnerët ndërkombëtarë. Për një parti politike që pas 6 muajsh do të shkojë zgjedhje, goditje të tilla nga ndërkombëtarët rrezikojnë ta kthejnë në një parti që duket se ka dalë kundër reformave dhe kundër procesit të integrimit të vendit. Të paktën këtë po mundohen të tregojnë BE dhe ambasadori për shkakun e ankimimit të PD-së në Kushtetuese.

Komisioni i Venecias do ta sjellë përgjigjen këto ditë, por ka informacione se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë ligjin dhe do ta kthejë prapë në Parlament për rishqyrtim. Nëse ndodh kjo nga Kushtetuesja atëherë reforma në fjalë mund të zbatohet pas zgjedhjeve parlamentare 18 qershor 2017.

Qamil Xhani

SHKARKO APP