PD-LSI: Do jemi para fadromave për Teatrin

Partia Socialiste votoi dje për herë të tretë pro shembjes së godinës historike të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të ri nga një kompani private. 75 vota të Partisë Socialiste ishin për rrëzimin e dekretit të dytë të Presidentit, Ilir Meta, i cili kërkonte nga mazhoranca ruajtjen e godinës historike dhe procedura më transparente për ndërtimin e një objekti të ri për Teatrin Kombëtar. Rreth 9 argumente që flisnin për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të konventave ndërkombëtare në ruajtjen e pasurisë historike, si dhe shkelje të ligjeve për konkurencën e biznesit nuk u morën parasysh nga PS dhe Qeveria. E vetmja votë që mungoi në vendimin e PS ishte ajo e ministrit Pandeli Majko, i cili është kundër shembjes së Teatrit. Por një votë më shumë apo më pak nuk bën asnjë diferencë në qëndrimin e PS për të shembur me çdo kusht godinën e Teatrit Kombëtar. Me rrëzimin e dekretit të kreut të shtetit, PS i ka hapur rrugën procesit për shembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe hapjes së një gare formale për kompanitë që duan të marrin pjesë në ndërtimin e objektit të ri. Procedura është fiktive, pasi me kushtet që ka vendosur qeveria, ka vetëm një kompani që mund të fitojë garën dhe është e njëjta për të cilën u hartua dhe ligji i veçantë. Mes zhurmës që shkaktoi miratimi i ligjit për lojërat e fatit, i cili ka mbështetjen e shumicës së opinionit, qeveria vendosi dhe dje dhe shembjen e teatrit. Duket si një strategji për të ecur me parimin, një vendim i dobishëm për qytetarët siç është mbyllja e basteve dhe një vendim tjetër i diskutueshëm për të cilin ka protesta dhe kundërshti nga shumica e qytetarëve. PS i miratoi dje të dy vendimet thuajse pa asnjë zë kundër duke treguar se për çështje të tilla, kryeministri Edi Rama i ka vendosur të gjithë në rresht.

Tashmë mbetet vetëm që fadromat të nisin punën për shembjen e godinës, në mbrojtje të së cilës një grup qytetarësh dhe artistësh ka që nga muaji shkurt që proteston thuajse çdo ditë. Gjatë këtyre muajve debati pro apo kundër shembjes ka ndarë opinionin publik dhe vet komunitetin e aktorëve. Pavarësisht debateve, qeverisë iu dha disa herë mundësia për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët. Në të gjitha rastet, PS dhe Kryeministri vendosën të mos heqin dorë nga shembja e godinës dhe dhënien e truallit të Teatrit një firme private për ndërtimin e kullave të biznesnit. Me këtë vendim kryeministri dhe mazhoranca kanë zgjedhur konfliktin përballë marrëveshjes. Opozita që në fillim të debatit ka qenë kundër shembjes dhe e ka denoncuar projektin e qeverisë si një skemë korrupsioni me pronën publike në zonën më të shtrenjtë të Tiranës. Tashmë bashkë me qëndrimin parimor në mbrojte të vlerave kulturore ka dhe një kauzë për të sulmuar më shumë qeverinë.

Deputetë të ndryshëm të opozitës dhe partive kryesore, PD e LSI, paralajmëruan dje se projekti për shembjen e Teatrit nuk do të kalojë aq lehtë sa votat e PS në Kuvend. Kryetari i grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho paralajmëroi dje se deputetët e opozitës do të bllokojnë edhe fizikisht shembjen e godinës duke ndaluar qeverinë. “Tani që ka ligj do e ankimojmë sepse më parë nuk kishim se çfarë të ankimonim. Teatri është çështje e gjithë Tiranës. Do të bashkëpunojmë me artistët dhe qytetarët që të bashkohemi për të bërë një front qytetar. Nëse vijnë për ta rrëzuar, ne do ta bllokojmë qeverinë, duke qenë populli dhe ne deputetët para fadromave”,- deklaroi Spaho. Po ashtu dhe deputeti tjetër, Klevis Balliu, në një reagim në rrjetet sociale u shpreh se me votimin e fundit në Kuvend kundër Kushtetutës dhe pronës publike, qeveria i ka hequr vetes legjitimitetin për të qëndruar më në pushtet. “Sot ky Kuvend është ilegjitim. Sot ky institucion u kthye në noter të krimit dhe grabitësve. Nga sot 75 kartonët jeshil janë vënë në shërbim të krimit dhe kundër interesave të qytetarëve. SOT të gjithë kanë të drejtë të rrëzojnë me çdo çmim këtë BANDË në pushtet”,- deklaroi Kevis Balliu.

Thuajse në të njëjtën linjë ishte dhe aleati kryesor i PD, Lëvizja Socialiste për Integrim. Kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili e cilësoi skandaloze dhe anti kushtetuese procedurën që u ndoq nga PS për rrëzimin e dekretit të Presidentit. Duke sjellë në vëmendje faktet e prokurorisë për arrestimet e fundit, që provojnë se bandat e drogës janë përdorur për të vjedhur votat e 2017-ës, Vasili tha se PS-ja nuk ka më legjitimitet për të marrë vendime në Kuvend.

Në situatën e krijuar me denoncimet dhe skandalet, akti i qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar i ka dhënë opozitës argumentin për një përplasje frontale mes palëve. Nëse Edi Rama urdhëron fadromat për shembjen e teatrit, ka mundësi që kjo të jetë dhe “shfaqja” që do të përcaktojë jo thjesht fatin e godinës, por edhe atë të qeverisë “Rama”.

PD-LSI kanë vendosur të dalin para fadromave nëse kryeministri do të dërgojë për ta rrëzuar Godinën, por ky mund të kthehet në konflikt civil.

SHKARKO APP