PD-LSI: Gati për zgjedhje politike! Edhe PS skenar për zgjedhje parakohshme
-Të gjitha rrugët, këtë vit, të çojnë në zgjedhje. Edhe vetë Rama po përgatitet të shpëtojë, çfarë mund të shpëtojë, nga rrënimi qeverisës.
-Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë pothuaj të sigurta. Në rastin e marrjes së statusit në qershor do jetë kryeministri që do ta çojë Shqipërinë, me euforinë e statusit, drejt e në zgjedhje për 45 ditë, ndërsa nëse nuk e merr statusin do jetë opozita që do ta detyrojë me çdo kusht.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallur dje nisjen e organizimit për zgjedhjet e ardhshme politike. Sipas Kushtetutës zgjedhjet e rregulltat parlamentare duhet të mbahen në vitin 2021, por skandalet e qeverisë, çështja “Tahiri” si dhe fati i çeljes së negociatave në muajin qershor, krijojnë një situatë politike që mund të sjellë surpriza nga momenti në moment. Në fakt edhe në kryesinë e PS-së flasin si nën zë “se jemi duke u organizuar shpejt pasi mund të përfundojnë në zgjedhje parlamentare brenda këtij viti”. Po të shikosh edhe vetë Edi Rama nuk ndjehet mirë dhe shikon se përditë bjerret mbështetja për qeverinë, ndaj ka mundësi të jetë duke thurrur skenarin e faktit të kryer, pra zgjedhje për 45 ditë që ti gjejë të papërgatitur opozitën.
Opozita si rregull i pashkruar fillon që në vitin e parë të qeverisë së re të kundërshtarit politik të kërkojë zgjedhje të parakoshme parlamentare, aq me tepër kur e di dhe deklaron se zgjedhjet iu blenë me paratë e drogës së bandave kriminale që kanë mbështetjen e kryeministrit. LSI ishte dhe mbetet në front opozitar që prej marrjes së mandatit nga Rama në qershor 2017, ndërkohë që PD-ja ndodhet në një fazë sherri e ristrukturimi brenda vetes, por nuk duhet të zgjasë me tepër, pasi surprizat elektorale të papritura mund ta gjejnë akoma në debatet në oborrin e selisë blu.
Më e qartë dhe më e vendosur duket LSI, ndonëse pas PD si numër opozitar, përsëri ka manifestuar shpirt e kurajo të madhe opozitare. Kryetarja e saj Monika Kryemadhi mbetet e parimit se kryeministri duhet rrëzuar më çdo kusht e me çdo mënyrë. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtare të kësaj force politike tha në mënyrë të qartë se zgjedhjet janë shumë afër. “Zgjedhjet janë shumë afër për të marrë një vendim politik të cilin nuk do t’ia lëmë në dorë Edi Ramës, por do t’ua lëmë shqiptarëve. Nuk mund të vendosë për fatet e shqiptarëve Edi Rama. Ai mund të vendosë për fatin e vet dhe të familjes së tij”,- deklaroi kryetarja e LSI.
Teza e zgjedhjeve të parakohshme u përforcua dje edhe nga një tjetër drejtues i LSI-së, ish-ministri Ylli Manjani. Në forumin e LSI-së, Manjani kritikoi qëndrimet e gabuara të opozitës për lënien në mes të mosbindjes civile dhe kërkoi që koalicioni opozitar të dalë me një marrëveshje bashkëpunimi. “Duhet të bëjmë koalicion më këdo tjetër, veç PS dhe Edi Ramës. Nuk duhet të kemi komplekse për aleatët. Nëse opozita është e ndarë fiton gjithmonë qeveria. Duhet të përgatitemi sikur zgjedhjet të jenë në fund të muajit qershor”,- tha Manjani.
Jo rastësisht ish-ministri përmendi fundin e muajit qershor. Më 29 qershor Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian do të vendosë nëse Shqipërisë do t’i çelen negociatat e anëtarësimit në BE. Nëse përgjigja do të jetë refuzuese, ky vendim do të jetë dhe goditja më e madhe që qeveria “Rama” merr nga ndërkombëtarët. “Ngelja” në klasë në Bruksel automatikisht do të vendosë në pozitë të vështirë qeverinë në Tiranë, që veç integrimit ka probleme me korrupsionin dhe skandalet e tjera. Në këtë situatë, veprimi më i logjikshëm i opozitës është që të përgatitet për çdo surprizë. LSI dje ndezi motorët.
Por veç opozitës, brenda vetë Partisë Socialiste opsioni i zgjedhjeve të parakohshme duket se ka kohë që po përgatitet. Të vetëdijshëm se BE mund të refuzojë çeljen e negociatave, në kupolën e PS po bëjnë gati planin e daljes nga kriza. Edhe pse zgjedhjet e parakohshme cilësohen si aksident politik, Edi Rama duket se do ta përdor këtë aksident në favor të tij. Në momentin kur opozita ende nuk ka një marrëveshje bashkëpunimi mes aleatësh dhe është e paqartë në shumë aksione, qeveria mendon se futja në zgjedhje të parakohshme mund t’i dhurojë një tjetër fitore. Që ideja e zgjedhjeve nuk është tabu në PS kjo duket nga aktiviteti i ngjeshur i javëve të fundit të qeverisë. Kryeministri shpalli nisjen e fushatës së “Llogaridhënies para qytetarëve”, e cila në fakt është një fushatë e pastër elektorale me premtime dhe kontaktet me votuesit. Ndërkohë, jashtë bujës mediatike, gjithë ministrat, deputetët e PS, sekretarët dhe drejtorët e administratës janë rikthyer në zyrat elektorale të partisë. Zyrtarisht thuhet se po bëhet regjistrimi i anëtarësisë, por është i njëjti intensitet dhe ritëm takimesh si në fushatat e zakonshme elektorale. Një qeveri, në vitin e pestë të saj, duhet të ishte e interesuar të reformat dhe rezultatet konkrete. Ndërkohë që këto ditë po bën të kundërtën ka dalë në terren dhe sillet si në fushatë për çdo të papritur.
Edi Rama po bën lojën e kapjes mat të opozitës për zgjedhje elektorale. Dje Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha dolën sejcili veçmas dhe thanë se jemi gati për zgjedhje, sepse qeveria po shkatërron vendin dhe bandat qeverisin. Si dhe plot akuza ndaj kryeministrit.
LSI bëri dje e para gjestin që e ka mision çdo opozitë; “gati për zgjedhje në çdo kohë”. Dhe jo vetëm gjestin, por edhe organizimin për zgjedhje të pritshme këtë vit. Ndërsa Basha në një deklaratë për mediat, pas dorëheqjes së Tahirit deklaroi se duhet të iki edhe Edi Rama. Por që të bëhet ajo që kërkon Basha duhen protesta masive, duke mos i lenë në mes të bulevardit apo qeverisë për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë pothuaj të sigurta. Në rastin e marrjes së statusit në qershor do jetë kryeministri që do ta çojë Shqipërinë me euforinë e statusit drejt e në zgjedhje për 45 ditë, ndërsa nëse nuk e merr statusin do jetë opozita që do ta detyrojë me çdo kusht. Edhe vetë Rama po mendon skenarin edhe në këtë rast, por duke patur si slogan që opozita dëmtojë statusin.
Të gjitha rrugët këtë vit të çojnë në zgjedhje.
A. Marku