PD mbron Doshin, sulmon prokurorinë
Debatet në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve nuk i kanë sqaruar pikëpyetjet mbi rastin “Doshi”. Në seancën maratonë me pyetje dhe përgjigje dolën disa detaje të reja, por duke pasur parasysh kampet nga ato vijnë, sërish nuk merren për të mirëqena. Fillimisht kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho prezantoi një fakt që ai e cilësoi si “rrënqethës”, nga ku del se Doshi ka falsifikuar një raport mjekësor. Në seancë, Doshi tha se dëshmitari Durim Bani është kërcënuar me jetë dhe me jetën e fëmijëve të tij. Dëshmitë janë të rënda, por në situatën ku ndodhen palët, jo çdo gjë duhet marrë si e mirëqenë. Zhvillimi më i ri është ai se Partia Demokratike dje e ka marrë zyrtarisht në mbrojtje deputetin Tom Doshi. Qëndrimi i deputetëve të Partisë Demokratike, Arben Ristani, Eduard Halimi dhe Kastriot Islami ka qenë në të njëjtën linjë me atë të avokatëve të deputetit Doshi. Sidomos numri dy i demokratëve Ristani ishte në sulm të hapur kundër prokurorisë,aqsa e quajti të “papërgjegjshme”. Kurse deputeti Halimi si ish-ministër drejtesie u tregua me djallëzor ,pasi edhe e përkrahte Doshin, por edhe e “shiti” me lezet.
Mbrojtja e Doshit nuk është zhvillimi i vetëm dje në komisionin parlamentar. Dje, Partia Demokratike ka nisur sulmin frontal ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Arben Ristani, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike e cilësoi prokurorinë si të papërgjegjshme,bile edhe më shumë se kaq. Mbrojtja ndaj Doshit është një lëvizje politike e kuptueshme e Partisë Demokratike. Tek ish-deputeti i PS-së, PD-ja ka gjetur sot një nga kauzat më të forta të saj për të protestuar kundër mazhorancës dhe për ta sulmuar Edi Ramën e Ilir Metën. Por teksa ky vendim është korrekt politikisht, sulmi ndaj Prokurorisë nuk i shërben zbardhjes së gjithë akuzave të Doshit dhe as vetë Partisë Demokratike. Hetimi i akuzave të Doshit nuk përfshin vetëm një histori sajesash apo marrëdhëniesh personale mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe Doshit. Hetimi i kësaj çështje tashmë lidhet me funksionimin e gjithë sistemit në vend. Kemi një deputet që akuzon për komplot vrasjesh nga kreu i Kuvendit. Pas tij, në listë ka futur gjithë emrat e mundshëm: Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Kur gjithë akuza rezulton se mund të jetë bllof, Doshi hidhet në sulm ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe vetë Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Për të gjitha këto akuza, Prokuroria ka bërë një hetim që i cilëson si sajesa dhe kërkon marrjen e Doshit si të pandehur pas dhënies së lejes nga Kuvendi. Edhe nëse për një moment i marrim të mirëqena akuzat e Doshit, çështja nuk mbyllet këtu. Fundin e historisë e vendos Gjykata, jo Prokurori i Përgjithshëm dhe as vetë mazhoranca apo Parlamenti. Të bëhesh palë në këtë histori për të cilësuar Prokurorinë të papërgjegjshme siç bëri dje Partia Demokratike, është njolloj si të minosh procesin. Partitë politike kanë minimumin e besimit nga qytetarët. Mes qëndrimeve të Doshit dhe të Metës, çdokush mund të ngrejë pikëpyetje. Por kur debati hidhet tek Prokuroria dhe minohet besimi tek ky institucion, kjo nuk është më politikë, por futja e gjithë vendit në qorrsokak. Nuk është Prokuroria ajo që dënon deputetin Doshi. Vetë Prokuroria do të “gjykohet” nga gjykata nëse ka pasur të drejtë në akuzat e ngritura. Për vetë rëndësinë që ka kjo çështje në zhvillimet në vend, minimalisht para sulmeve ndaj institucioneve, duhej pritur që procesi të përfundonte. Kthimi i Këshillit të Mandateve në një shfaqje ku palët kërkonin prova dhe verifikonin deklaratat, më shumë e ktheu Kuvendin në një seancë “gjyqësore”. Një mbledhje që PD-ja e ktheu në gjyq kundër Prokurorisë, kreun e së cilës e ka zgjedhur vetë disa vite më parë. Hetimi i çështjes “Doshi” nëse do t’i lihet sërish politikës, nuk do sjellë asgjë të re, vetëm shtimin e pikëpyetjeve dhe hamendjeve. Zbardhjen e së vërtetës nuk mund ta bëjë as Arben Ristani dhe as Fatmir Xhafaj.
Është Gjykata e Lartë që do të jap në finish verdiktin, ndonëse mbrëmë asgjë nuk ishte e qartë nga palët, të cilat qëndruan në pozicionet e tyre politike dhe nuk sqaruan asgjë për publikun. Por puna e videos që kërkon deputeti Doshi, e cila thuhet se është sekret , ka nevojë të shikohet edhe nga publiku e jo vetëm nga pak njërëz.