PD me KOP të ri

Roli i tyre do të jetë dhënia e ekspertizës për çështje të veçanta, lidhur me programin dhe aksionin opozitar të Partisë Demokratike. Risia në këtë rast lidhet vetëm me emrin e pozicionit që do të mbajnë 24 të zgjedhurit e Bashës. Ndërsa strategjia duket e njëllojtë më marketingun politik që bëri Sali Berisha në vitin 2005. Në të njëjtën mënyrë, Partia Demokratike në ato vite në opozitë solli për opinionin publik si gjetje politike krijimin e Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP). Ndaj, prezantimi  i djeshëm i Koordinatorëve Kombëtarë mund të quhet si krijimi i KOP-it numër dy të Partisë Demokratike. Ndryshimi është se zgjedhja nuk është bërë nga ish-kreu i PD-së Sali Berisha, por nga Lulzim Basha, i cili hyri në politikë në një mënyrë të ngjashme, duke qenë pjesë e këtij forumi në vitin 2005. Nëntë vjet më pas Basha ka bërë të njëjtën zgjedhje si Berisha, vetëm se këtë herë ka afruar emrat që mund të jenë më shumë luajal ndaj tij, duke synuar forcimin e pozitave brenda partisë, por edhe më civilë e të pavarur se sa në kohën e Saliut të II-të. Dëshmi e këtij elementi është dhe fakti se në ceremoninë e djeshme nuk kishte asnjë deputetë apo figurë që i përket “gardës” së ish-kryetarit Berisha. Në takimin e prezantimit, politikani më i vjetër i Partisë Demokratike ishte vetë Lulzim Basha. Dhe ka bërë shumë mirë.

Në listën e të rinjve që hynë në strukturat e selisë blu bie në sy dhe futja e disa emrave që nuk u votuan në Këshillin Kombëtarë të Partisë Demokratike, si ish-shefi i kabinetit të kryeministrit Fatos Nano, Dritan Shano dhe gazetari Besar Kadia. Një mënyrë kjo për të korrigjuar dëmet e betejës mes listës “Berisha” dhe listës “Basha” gjatë ditëve të zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar. Përveç CV-ve që nuk kanë të sharë, doktoraturave dhe studimeve, një pjesë e Koordinatorëve Kombëtarë janë “axhami” në politikë. Sidomos në politikën shqiptare dhe në një parti si PD-ja, ku shumë njerëz e kanë kapur majat e karrierës brenda një ditë dhe janë rrëzuar po brenda një ditë, në varësi të humorit të ish-liderit. Ideja e kryetarit Basha është hapja e partisë dhe futja brenda radhëve të saj të intelektualëve. Siç u shpreh vet ai, “kjo është një shprehje e distancimit dhe sulmit tonë pa kompromis ndaj promovimit nga shumica aktuale në administratë dhe parlament të injorancës së paimagjinueshme, të individëve me prejardhje kriminale”. Basha dje tentoi të tregojë se është duke krijuar një Parti civile Demokratike, me njerëz të rinj dhe jo emra që gjatë tetët viteve u bënë pis nga pushteti dhe kanë një mal me akuza. Në këtë mënyrë zgjidh ngërçin që krijohet, kur deklaratat e PD-së kundër qeverisë bëhen nga njerëz për të cilët PS ka një mal me akuza.

Por veç kësaj, zgjedhja e Bashës mund të krijoj jo pak qejfmbetje brenda radhëve të Partisë Demokratike. Një pjesë e grupit Parlamentar të opozitës së sotme përbëhet nga ish-ministra dhe ish-drejtorë të nivelit të lartë në administratën e kaluar. Nuk dihet se çfarë ekspertize mund të pranojë, bie fjala, Ritvan Bode, Genc Ruli apo Genc Pollo, etj. lidhur me fushat ku kanë drejtuar ministritë gjatë këtyre viteve. Gjithsesi, koordinatorët e rinj, që ditën që pranuan të jenë pjesë e strukturave të PD-së kanë kuptuar se kundërshtari i tyre politikë është Partia Socialiste, ndërsa “armiqtë” e vërtetë do t’i kenë brenda partisë së tyre. Këtë gjë do e zbulojnë pak nga pak, në varësi të humorit të politikanëve të vjetër të Partisë Demokratike. Basha dha dje mesazhin se veç atyre që gjeti në parti dhe që i ka “peshqesh” nga e kaluara, ka dhe të tjerë që presin radhën për tu ngjitur shkallët e karrierës në PD. Emrat e tyre dje tingëllonin të panjohur në politikë. Por a nuk dukej i panjohur në PD edhe vet Basha, Aldo Bumçi, Majlinda Bregu, Myqerem Tafaj, Florion Mima, etj, në vitin që tashmë duket i largët 2005. E sot janë të njohur në selinë e PD-së, madje në kupolën drejtuese.

Rëndësi ka jo vetëm që i zgjodhi emrat e rinj Lulzim Basha, por më e rëndësishme mbetet që t’i dëgjojë ata përditë. E jo të bëjë siç bëri Berisha, që i përdori dhe as nuk i dëgjoi njëherë.

 

KOORDINATORËT KOMBËTARË TË PD

1- Akil Kraja

2- Albana Cenollari

3- Arbi Agalliu

4- Sorina Koti

5- Lediana Fratari

6- Mateo Spaho

7- Merlinda Hoço

8- Rejla Bozdo

9- Ina Xhani

10- Julian Deda

11- Dritan Shano

12- Fabiola Bregu

13- Fatbardh Sallaku

14- Ina Zhupa

15- Ardian Isufi

16- Argyrina Jubani

17- Belind Këlliçi

18- Valbona Karapici

19- Gëzim Pani

20- Anida Gumeni

21- Henris Balliu

22- Dritan Hoti

23- Besart Kadia

24- Blerta Zihja

SHKARKO APP