PD nuk tërhiqet: Rama vrau përsëdyti liderin e Dhjetorit Azem Hajdari
-PD akuzon kryeministrin: Vrasje për herë të dytë të liderit të dhjetorit, Azem Hajdari nga kryeministri. Përgjigjet Rama: Nuk kam lidhje me dekorimin
Gafurr Mazreku, ish-deputet i PS dhe atentatori i Azem Hajdarit mu në sallën e parlamentit, u shpall dje “Qytetar Nderi” i Hasit (pas vdekjes). Shumica e këshilltarëve të majtë në këtë bashki votuan me 13 vota pro dhe 1 abstenim dhënien e titullit me motivacionin “personalitet intelektual”. Këshilltarët e djathtë nuk morën pjesë në votim dhe deklaruan se vendimi ishte marrë në shkelje të rregullores. Në politikën shqiptare Mazreku mbahet mend vetëm për plagosjen e Azem Hajdarit, për të cilën u dënua dhe me 8 vite burg. Për asgjë tjetër nuk mbahet personi në fjalë. Motivacioni i bashkisë që e vlerëson atë si një personalitet intelektual është një fyerje, jo vetëm për Hasin, por për gjithë shoqërinë shqiptare. Në historinë e dekorimeve në Shqipëri ka plot banalitete dhe vlerësime idiote, por deri në pikën që të shpallej “Qytetar Nderi” një ish-deputet që mbahet mend vetëm se përdori koburen në sallën e Kuvendit, nuk kishim dëgjuar deri më sot. Megjithatë një tufë këshilltarësh, që më shumë se përfaqësues politikë duket se janë kushërinj dhe të afërm të Gafur Mazrrekut, dje e bënë fakt të kryer idiotësinë duke hapur një debat të rrezikshëm për përgjegjësinë politike të këtij akti që mund të rrezikoj stabilitetin e vendit.
I pari që është vënë në përgjegjësi morale dhe politike është kryeministri Edi Rama. Demokratët kërkuan pesë ditë më parë anulimin e këtij vendimi, duke e cilësuar si “vrasje për herë të dytë” të liderit të dhjetorit, Azem Hajdari. PD akuzoi Edi Ramën si personin që kishte ideuar një dekorim të tillë për një personazh të tillë. Akuzat e PD u drejtuan nga kryeministri, për shkak se Bashkia e Hasit drejtohet nga përfaqësuesi i zgjedhur i PS-së, Adem Lala. Këshilli bashkiak është në shumicë të majtë edhe pse një pjesë e këshilltarëve janë zgjedhur me logo partish të çuditshme, por të gjitha në strehën e PS. Në gjithë këto ditë që PD-ja paralajmëronte votimin e një titulli që fyente figurën e Azem Hajdarit, Edi Rama heshti. Të vetmin reagim zyrtar e bëri dje pasi dhënia e titullit ishte bërë fakt i kryer në Has. Kryeministri deklaroi se i kishte kërkuar Prefektit të Kukësit që të mos e firmoste vendimin e Këshillit Bashkiak. Në këtë mënyrë kryeministri distancohej nga vendimi dhe duke kërkuar mosfirmosjen kryente dhe detyrën ligjore si kryeministër. Por a mjafton kaq? Fakti është se kishte gjithë javën që mund të vepronte dhe të shmangte tensionet. Informacioni për titullin që do t’i jepej Gafur Mazrekut nuk i kishte munguar. Por duket me vetëdije kreu i qeverisë e la që vendimi të merrej dhe më pas reagoi duke thënë se nuk dinte gjë. Argumenti i dytë i kreut të qeverisë është se PS ka vetëm një këshilltarë në Has. Në letra figuron vërtetë kështu. Shumica e këshilltarëve janë të partive anonime që nuk dihet cilin kanë kryetar dhe me kë kanë qenë në koalicion në vitin 2015. Por fakti që gjithë këto këshilltarë dhe parti kanë votuar kryetarin e bashkisë përfaqësues i PS-së si dhe votuar prapë për kryetarin e këshillit bashkiak të cilin ka dashur kryebashkiaku, verteton se janë të gjithë në thesin e PS-së.
Ndaj PS kishte mundësinë ta ndalonte një veprim të tillë provokues, aq me tepër se paralajmërimi u bë nga PD disa ditë më përpara.
Vendimi i këshillit bashkiak ka sjellë reagime të ashpra nga institucionet dhe opinioni publik. Në një reagim të zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi, shpallja “Qytetar Nderi” i Gafurr Mazrekut cilësohet si një provokim i panevojshëm. “Ky vendim është një provokim i panevojshëm, në tejkalim të vlerave e moralit të shoqërisë sonë dhe perspektivës të saj të qartë europiane. Dekorimi i personave të dënuar me vendim gjykate për plagosje me armë, nuk përputhet me standardet e një shoqërie demokratike”- tha Tedi Blushi.
Ndërkohë Partia Demokratike ka qenë mjaft e ashpër në reagimet e saj. Shkak për rritjen e tensioneve u bë dhe justifikimi i Edi Ramës. Në një deklaratë për mediat PD i kërkonte që minimalisht të shkarkonte kryetarin e Bashkisë, me që ishte përfaqësues i Partisë Socialiste si dhe akuzonte kryeministrin për përgjegjësi personale në këtë vendim. Ish-kryeministri Sali Berisha bëri dhe një paralajmërim për Edi Ramën, duke e cilësuar si njeriun që po “ndjell gjakun në Parlament”.
PD-ja të enjten në parlament do të mbajë një seancë historike, thanë burime në selinë blu, duke e kthyer sallën në betejë të vertetë. Mësohet nga selia rozë se kryeministri Rama nuk do të jetë i pranishëm, për këtë shkak, por kjo nuk pengon përplasjen ditën e enjte, e cila mund të jetë e paimagjinueshme nga reagimi i deputetëve opozitarë, nisur nga rasti Mazreku.
Q.Xh.