PD, para provës së Kodit Zgjedhor
Partia Demokratike ka kërkuar dje zyrtarisht ngritjen e komisionit të parlamentar për nisjen e reformës zgjedhore. Ky është aksioni parë politik parlamentar që do të ndërmerret nga opozita e re e Lulzim Bashës. Reforma zgjedhore është një prej temave me të diskutuara sa herë që përfundojnë zgjedhjet. Pasi shajnë zgjedhjet e kaluara dhe Kodin Zgjedhor që e kanë hartuar gjithmonë PS dhe PD, partitë politike ulën dhe rinisin debatin sesi të ndryshojnë ligjin. Këtë herë kërkesa për reformën elektorale po serviret si një sugjerim i njëanshëm i PD. Në fakt, reforma zgjedhore është pika e dytë e marrëveshjes së 17 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Në ato pak gjëra që janë bërë publike nga kjo marrëveshje-pazar, ndryshimi i Kushtetutës dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor janë dy çështjet që janë pranuar si nga Kryeministri ashtu edhe nga kreu i opozitës. Të dy, Rama dhe Basha, e kanë bërë një skuthllëk natën e 17 majit për të reformën zgjedhore, por informacionet janë se mjeshtërisht Edi Rama e ka gënjyer Bashën edhe për këtë reform. I ka premtuar se do ta bëjnë të dy bashkë duke patur sistem mazhoritar ose sistem me prim. Në të dy rastet, nëse PD jep miratimin për një nga këto variante, demokratët nuk vijnë në pushtet për të paktën 20 vite të tjera.
Lulzim Basha deklaroi “vdekjen” e marrëveshjes me Edi Ramën, por taktikisht dje ka hedhur një hap drejt marrëveshjes. Lulzim Basha deklaron se është penduar për paktin me Edi Ramën dhe se nuk ka më besim tek qeveria dhe parlamenti që doli nga votat e blera nga kanabisi. Kreu i PD-së ka pranuar se u mashtrua nga Edi Rama në zbatimin e marrëveshjes së 17 majit dhe nuk mund të bashkëpunonte më me të. Gjithashtu ka premtuar një betejë të fortë kundër qeverisë së re socialiste. Për të gjithë këto arsye, ftesa për reformë zgjedhore drejtuar mazhorancës së re ngjan paradoksale. Sepse në vetvete hartimi i një reformë të tillë kërkon konsensus politik dhe marrëveshje parimore mes drejtuesve kryesorë të politikë, PS, LSI, PD.
Qëndrimet që PD do të mbajë për reformën do të tregojnë nëse Basha vërtetë ka “zënë mend” nga goditja që hëngri nga marrëveshja e parë, apo loja dhe pazari me Edi Ramën vazhdon. Reforma elektorale është një nga ndryshimet ligjore që jep efekt në gjithë skenën politike të vendit. Nëse Basha edhe një herë ulet me Ramën dhe harton ligj që dëmtonë partitë e tjera, atëherë ka shumë mundësi që selia blu të jetë duke firmosur humbjen e radhës në zgjedhjet e radhës.
Parimisht ndryshimi i Kodit elektoral është domosdoshmëri. Shitblerja e votës, votimi elektronik, votimi i emigrantëve, heqja e disa neneve masakruese për partitë e vogla dhe rishikim i ligjit të partive politike janë çështje emergjente që duhen zgjidhur para zgjedhjeve vendore. Këto probleme kanë qenë prezente gjithmonë kur është diskutuar ndryshimi i ligjit elektoral. Asnjëherë nuk kanë munguar idetë për ligje që garantojnë zgjedhje të ndershme. Ajo që ka munguar ka qenë gatishmëria e PS dhe PD për të bërë procese normale. Megjithë rekomandimet e të huajve, Kodi Zgjedhor është trajtuar si një pronë vetëm e kryetarit të PS dhe kryetarit të PD, duke dëmtuar gjithmonë partitë e tjera. Sidomos Kodi Zgjedhor është ndryshuar me synim të qartë për të dëmtuar LSI. Edhe në vitin 2008 Berisha dhe Rama u morën vesh në mesnatë për ta ndryshuar Kodin Zgjedhor me qëllimin e vetëm që të nxirrnin LSI nga skena politika. Po kështu edhe tani duket se ka një skenar të fshehtë të Bashës, që dirigjohet nga Rama.
Nga këto ndryshime ligjore varet stabiliteti i vendit dhe përfaqësimi i vullnetit të zgjedhësve në Kuvend. Është një reformë që nuk mund bëhet vetëm nga Oerd Bylkbashi dhe Taulant Balla. Nëse janë këta të dy, zgjedhjet janë të mbaruara akoma pa filluar. PD-ja do mbetet në opozitë të gjatë.
Në zgjedhjet e fundit skena politike ka ndryshuar dhe miratimi i ligjit të ri elektoral duhet të ketë dhe qëndrimin e forcës së tretë politike në vend LSI, pasi tani kemi një situatë tre polare të politikës.
Sa herë që PS dhe PD janë ulur bashkë, kanë menduar si të marrin më shumë pushtet në tavolinë me anë të kleçkave ligjore duke dëmtuar direkt qytetarët. Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme për ta lënë në dorë të vetëm dy njerëzve. Përveç partive duhet edhe një qëndrim i qartë i ndërkombëtarëve dhe përfshirja e ekspertizës së shoqërisë civile. Shqipëria ka bërë shumë zgjedhje të këqija për shkak se PD dhe PS kanë miratuar ligje vetëm për interesin e tyre. Nëse dhe këtë herë nisen me këtë ide, zgjedhjet e radhës do të jenë kopje e atyre që kemi kaluar.
Reforma zgjedhore është testi final i Lulzim Bashës, pas shumë provave të dështuara me sukses në drejtimin e PD. Nëse reformën zgjedhore do e trajtoj si një mall këmbimi me PS-në, atëherë gjithë çfarë ka ndodhur këto muaj ka qenë vetëm një lojë dhe pazari mes tij dhe Edi Ramës vazhdon.
Lulzim Basha është para pasqyrës publike, ku nuk mund të fshihet më, nëse vazhdon pazarin me Edi Ramën.
A.N.