PD, riorganizim dhe demonstrata

 

Pas humbjes së zgjedhjeve vendore nga blerja e votave  nga dyshja Rama-Meta, siç thotë selia blu, Lulzim Basha ka në plan një tjetër skenar përballjeje me mazhorancën. Ndërsa shtatori është cilësuar si muaji kryesor i kalimit të reformës në drejtesi, PD-ja përgatitet për protesta masive. Ky zhvillim është prezantuar dje në mbledhjen e grupit parlamentar të demokratëve. Duke renditur abuzimet që sipas Bashës janë bërë nga administrata aktuale, kryesisht ajo në dogana dhe tatime, kreu i PD-së tha se opozita do të bëjë betejë në Parlament dhe në sheshe me popull. Nisja e betejës në sheshe është cilësuar si muaji shtator. Ndërsa fundi i kësaj beteje, sipas asaj që deklaroi Basha, lë të kuptohet se është vetëm rrëzimi i qeverisë. Madje për herë të parë në terminologjinë e tij, Basha përdori dhe fjalën ‘pranverë’. Një term që u përdor në vendet e Lindjes së Mesme dy vite më parë, kur nisen revolucionet që rrëzuan regjimet autokratike në Egjipt, Libi dhe Tunizi. Nëse Basha ka pasur në mendje ‘Pranverën Arabe’ kur foli për tubim e në sheshe kjo nuk dihet me siguri. Ajo që dihet është se protestat nuk do të mungojnë. “Në parlament le të kumbojë zëri juaj si përfaqësues të kësaj shumice. E le të bëhemi gati që fuqia e zërit të kësaj shumice të oshëtijë në sheshet,rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona duke nisur që nga kjo vjeshtë e pa kthim, pa kthim deri në pranverën shqiptare të mposhtjes së oligarkisë dhe regjimit të krimit e korrupsionit dhe rivendosjen e themeleve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, – deklaroi Basha.

Vendimi për protestat pritet të vijë pas analizës së Partisë Demokratike lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. Në 21 qershor, PD-ja mori vetëm 15 nga 61 bashkitë e vendit, duke humbur garën pothuaj në të gjitha bashkitë kryesore të vendit, përveç Shkodrës. Një javë më parë, kreu i PD-së kërkoi nga të gjitha degët nisjen e analizave për zgjedhjet dhe krahasimin e rezultatit të 21 qershorit me zgjedhjet e kaluara. Në degët dhe seksionet ku PD-ja ka njohur humbje dhe nuk janë pak, pritet të ketë ndryshime të drejtuesve. Kjo fazë që do të zhvillohet gjatë këtyre muajve pritet të sjellë një riorganizim të plotë të strukturave. Më pas, Basha pritet të nisë atë që e quajti ‘Pranvera Shqiptare’. Në takimin e djeshëm, Basha renditi disa nga ato që mund të quhen si motivet e opozitës për të nxjerrë njerëzit në sheshe. Akuzoi kryeministrin për kontrabandën e naftës dhe të cigareve, si dhe përmendi denoncime që janë bërë nga vendet fqinje lidhur me emrat e përfshirë në këtë aktivitet. Ai tha se në pranga po bien vetëm “cironkat, ndërsa balenat vazhdojnë dhe bëjnë trafiqe e korrupsion”. Ndërkohë që rritja e taksave dhe e çmimeve janë një tjetër argument që sipas Bashës e kanë bërë më të vështirë jetën e shqiptarëve. Veç kësaj, çështja e dekriminalizimit janë dy motivet e tjera ku do të mbështetet fushata e opozitës.

Nisja e protestave duket se është dhe një kërkesë e deputetëve të tjerë të Partisë Demokratike. Ish-kryetarja e Kuvendit e ka cilësuar të pafalshëm për opozitën faktin që nuk ka reaguar për ligjin kundër arsimit të lartë. Sipas saj, në një vend tjetër protestat nuk do të ndaleshin nëse qeveria propozonte një ligj të tillë për universitetet. Por veç Topallit janë dhe shumë deputetë të tjerë brenda radhëve të selisë blu që kërkojnë një politikë më të ashpër ndaj mazhorancës aktuale.

Në të vertetë, thonë në selinë blu, ka një plan për rrëzimin e Qeverisë Rama; vetëm me protesta pa ndalesë dhe bllokim në shtator të krejt bulevardit kryesor e rrethim të sallës së parlamentit. Ndërsa  në sallën e Kuvendit deputetët e PD-së do të ngrihen duke bllokuar punimet sa herë hynë Kryeministri Rama. Por do të insistojnë atë çka ndërkombëtarët kërkojnë për dekriminalizimin e Parlamentit e të politikës, bile edhe me ndryshim të Kushtetutës, duke larguar që në këtë mandat deputetët e inkriminuar.

Nga ana tjetër Edi Rama e ka pritur me humor këtë taktikë të re të PD-së.

 

 

SHKARKO APP