PD: Spiuni do zgjedhë Kryeprokurorin!

Institucionet e reja që do të realizojnë Vettingun si dhe do zgjedhin prokurorët e gjyqtarët kanë vënë në pikëpyetje serioze gjithë reformën në drejtësi, në mos e kanë shumëzuar me zero. Dosjet e të paktën pesë kandidatëve që garojnë për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), sipas Partisë Demokratike, janë me të dhëna skandaloze dhe shkelje ligjore të hapura. Deputeti jurist i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi dhe juristi i PD, Gazmend Bardhi, paraqitën dje në publik të dhëna për 5 kandidatë për KLGJ dhe KLP të cilët rezultojnë se kanë qenë punonjës të ish-sigurimit të shtetit, të dënuar nga gjykata, ish-ministra politik dhe shkelës të ligjeve e taksave të shtetit.

Konkretisht, sipas akuzave të PD, kandidati për KLGJ, Sokol Lamaj nuk ka vërtetimin për shlyerjen e detyrimeve tatimore, që është shkelje flagrante për kriteret e kandidateve që vijnë nga avokatia. Ky fakt është fshehur në procesin e shqyrtimit të kandidaturës. Një tjetër fakt skandaloz, sipas PD, lidhet me kandidatin për KLP, Kozma Jano. Ky i fundit ka qenë, prapë sipas PD, punonjës i sigurimit të shtetit. Edhe pse ky është një kriter përjashtues për çdo detyrë publike të lartë, fakti është se emri i tij kaloi në komisionin e ligjeve dhe mori mbështetjen e PS. Pak më vonë kandidati Jano e përgënjështroi faktin e spiunit, por përsëri selia blu i tundi një formular të firmosur nga ai si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Të vertetën në këtë rast duhet ta zgjidhë Komisioni Shtetror që është për dosjet e ish-sigurimit të shtetit, ose gjykata, sepse Kozma Jano mendohet se do ti drejtohet gjykatës. Burime nga selia blu treguan se po vazhdoj të insistoj do të nxjerrim disa dokumenta të tjera për rastin në fjalë.

Me sa duket Berisha paska marrë krejt dosjet e tyre kur ka ikur nga pushteti!

Kandidati për KLP, Alfred Balla u refuzua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Por sërish nga PS-ja u vlerësua si kandidat i rregullt. Kandidati për KLGJ Ilir Panda, ish-ministri i Drejtësisë gjatë qeverisjes së mëparshme të PS, u klasifikua si kandidat i rregullt, ndërkohë që përvoja e tij politike e ndalonte diçka të tillë.

Më problematikë rezulton emri i kandidatit Kozma Jano, që sipas PD është rekrutuar në vitin 1977 si informator i Sigurimit të Shtetit. Dje, në një deklaratë për mediat, Kozma Jano i cili ka qenë kryetar i shoqatës së avokatëve në Lushnjë hodhi poshtë akuzat e PD. “Nuk jam përfshirë në asnjë marrëdhënie me Sigurimin e Shtetit, por as si individ dhe as në ushtrimin e profesionit tim, nuk kam dëmtuar asnjë person, në asnjë lloj forme, si gjatë diktaturës ashtu edhe gjatë demokracisë. Letra e bakallit me sfond të zi dhe “stilolaps blu” që u publikua sot, është një sajesë e shkruar me dorën e atyre që akuzuan, vetëm e vetëm me qëllimin e përballjes së emrit tim”,- deklaroi Jano në një letër me shkrim dërguar në redaksitë e mediave. Në PD po përgatiten për dosje të tjera dhe shërbime të bëra ndaj Sigurimit te Shtetit, por thonë se dokumenti është i vertetë dhe gati të përballen edhe në gjykatë. PD-ja boton dokumentin e ish-spiunit me shkrim, ndërsa Jano thotë se “nuk jam spiun”, kjo e futur në kolaps procesin. Dhe besueshmërinë e KLP dhe KLGJ.

Kozma Jano kandidon për anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucioni që do të përzgjedhë Kryeprokurorin e Përgjithshëm. Gjithashtu, KLP do të verifikojë gjithë trupën e prokurorëve për pastërtinë morale dhe profesionale. Përballë fjalës së tij që thotë se është i pa implikuar me sigurimin është ajo e Partisë Demokratike dhe juristëve të saj që nxorën dokumentin. Njëra prej dy palëve duhet ti shkojë deri në fund të vërtetës. Ndërkohë procesi i përzgjedhjes së njerëzve të drejtësisë së re, jo vetëm në rastin e Kozam Janos, por edhe 4 emrave të tjerë ka pësuar fiasko. Publiku shikon se sa pisët po luhet për të kapur KLP dhe KLGJ.

Emrat që u përzgjodhën nga Kuvendi, pardje, pritet se do t’u sjellin shqiptarëve reformën e shumëpritur në drejtësi. Duhet të ishin njerëzit më të pastër moralisht dhe ligjërisht, pasi kanë në dorë thuajse gjithë reformën. Ndërkohë shqiptarët mësojnë se një person i dyshuar si sigurims, një i dënuar dhe politikanë që s’kanë lidhje me drejtësinë kanë kaluar gjithë filtrat kontrollues të ligjit dhe do të votohen në Kuvend. Kjo është goditja e radhës që ka marrë reforma, pasi në institucione po promovohen njerëz që dyshohet se nuk janë më të pastër sesa gjyqtarët dhe prokurorët që akuzohen këto 27 vjet si të korruptuar dhe njerëz me probleme. Aq më keq, nëse verifikohet se një informator i sigurimit, 27 vjet pas rrëzimit të komunizmit jo vetëm hyn në sistemin e drejtësisë, por edhe merr rolin e atij që do zgjedh kryeprokuroren dhe do bëjë vettingun.

Problemi nuk është vetëm i atyre që kandidojnë, por i drejtuesve që ishin në dijeni të këtyre problemeve ligjore dhe sërish i paraqitën në seancë. Jemi në situatën kur nuk kemi të bëjmë vetëm me harresë apo mosdije, por me shkelje të vetëdijshme ligjore nga ana e Kuvendit dhe Sekretarit të Përgjithshëm. Sepse qëllimisht janë fshehur të dhëna për karrierën e kandidatëve si dhe është shkelur ligji për përzgjedhjen e kandidatëve. Qëllimi i PS dhe drejtuesve të Kuvendit nuk ka qenë transparenca, por mesa duket, zgjedhja e njerëzve që ishin afër kësaj force politike, ose emra që shantazhohen me dosje. Emrat e paraqitur nga PS-ja jo vetëm vijnë me shkelje ligjore, por nuk kanë as miratimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kjo situatë politikisht i shërben vetëm PS për të kapur institucionet e reja. Ndërsa ligjërisht është një akt i paprecedentë që mund të ketë vetëm një reagim institucional, hetimin e procedurave që u ndoqën nga Kuvendi. Hetim për nënkomisionin e Drejtuar nga Ulsi Manja dhe hetimin e Sekretarit të Përgjithshëm që ka fshehur dokumentet. Këtë e tha dje edhe Petrit Vasili, edhe PD-ja. Por edhe publiku u ndje i zhgënjyer.

Kryeprokurorja Arta Marku e zgjedhur si njeriu që do kujdesej për fazën tranzitore të reformës në drejtësi ka para saj një shkelje flagrante që rrezikon të hedhë në erë gjithë reformën. Nëse vërtetë e shqetëson zbatimi i ligjit ajo duhet të nis urgjentisht hetimet për njerëzit që çuan në Kuvend emra sigurimsash dhe të dënuarish. Ose kryeprokurorja Marku të hap padi penale për Bylykbashin se ka shpifur.

Nuk mban më ujë pilafi: Ose KLP dhe KLGJ janë bërë me zhul e baltë nga emra të inkriminuar e sigurimsa ose deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi të arrestohet nga prokuroria për shpifje.

Qamil Xhani

 

 

SHKARKO APP