PD, ultimatum Ramës
Partia Demokratike ka rritur dozën e kritikave ndaj Edi Ramës duke kaluar nga akuzat në ultimatume,bile duke thënë se populli do rrëzojë qeverinë. Por cili “popull” e thotë këtë? Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh dhe nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho paralajmëroi dje protesta, nëse qeveria nuk merr parasysh kërkesat e opozitës për uljen e taksave. Deklarata që niste si një kërkesë për konsensus, përfundon me thirrje nga ato që ngjajnë si kërcënime dhe apel për mosbindje civile. “Qeveria duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë. Në të kundërt, qytetarët do të marrin vetë në duar të ardhmen e tyre, do të mbrojnë familjet dhe vendin nga kursi i pandalshëm shkatërrimtar i Edi Ramës. Dhe ne do të jemi në ballë të protestave me masive që ka njohur ndonjëherë vendi”,- tha dje Spaho. Në parlament PD ka propozuar dy amendamente për uljen e çmimit të naftës dhe uljen e çmimit të energjisë. Nisur nga logjika e numrave në Kuvend, ka pak gjasa që mazhoranca të miratojë kërkesat e opozitës. Drejtuesit e mazhorancës kanë shpjeguar prej disa muajsh arsyet se përse nuk ulen dot më tepër çmimet. Nëse mazhoranca pranon kërkesën e PD-së i jap një argument më shumë elektoral të djathtës për të thënë që: çmimet i ulëm ne (pra selia blu) e jo qeveria. Para fushatës elektorale, asnjë mazhorancë s’ja jep një dhuratë të tillë opozitës. Pra, që në nisje dy kërkesat e opozitës janë të rrëzuar, jo vetëm për arësye politike dhe numrash në Kuvend, por edhe për faktin se nafta dhe çmimi i energjisë është diçka që mazhoranca nuk mund ti ulë dot, jo se nuk do.Gjithnjë sipas saj,pra Qeverisë, nuk ka mundësi të ul taksat. Ndërsa fundi i propozimeve të PD-së dihet, ajo që nuk dihet është çfarë ka parasysh opozita me shprehje; “populli do të marrë vetë në duar të ardhmen”. Të gjitha trazirat dhe përplasjet e dhunshme në vend kanë nisur kur politikanët kanë folur në emër të popullit dhe i kanë bërë thirrje për marrjen e fateve në duar. Thirrjet për protesta të dhunshme dhe krijimin e një situatë jo normave janë të shpeshta nga PD-ja. Kur vijnë nga emra si deputeti Spaho, një figurë e njohur për profil korrekt dhe larg qëndrimeve radikale, mund të mos bëjnë dhe shumë përshtypje, ndonëse ai foli në emër të PD-së. Por “daulleve të luftës” ka kohë që u bie me forcë ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha. Deklarata e bëra para dy ditësh nga ish-kreu i qeverisë më shumë se qëndrim i momentit ishte përvijim i një skenari që duket se e ka në kokë. Ish-kryeministri tha se vendi po shkon drejt vitit 1997, duke akuzuar drejtuesit e shtetit për lidhje me bandat e armatosura dhe me kapjen e institucioneve nga segmente të krimit të organizuar.
Ka një tendencë për të krijuar klimë tensioni në disa fronte. Nga njëra anë është Sali Berisha që kërkon linjën e ashpër të protestave dhe bënë thirrje thuajse çdo ditë për protesta të papara në vend. Nga ana tjetër janë qëndrimet e zyrtare të PD-së, që vijnë më të moderuara, po në thelb është i njëjti mesazh për protesta dhe mosbindje civile. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani u kërkoi dje demokratëve të mos paguanin gjobat që kanë marrë nga policia rrugore gjatë protestës së zhvilluar ditën e hënë në gjithë vendin. Ministria e Brendshme deklaroi se nuk ka pasur asnjë gjobë për protestën. Por kjo nuk e pengon opozitën t’u bëjë thirrje qytetarëve për të mos paguar detyrimet që kanë për shkeljen e ligjit. Me këtë logjikë, një ditë mund tu kërkojnë qytetarëve që të mos njohin asnjë institucion të shtetit. Krahas thirrjeve të tilla, ka dhe veprime konkret në terren. Punonjësit e policisë bashkiake u përplasen dje me punonjësit e policisë së rendit për një ndërtim në kryeqytet. Me shumë se shqetësimi për respektimin e ligjit, duket si një shenjë forcë që palët i bëjnë njëra-tjetrës në terren. Afrimi i zgjedhjeve do të nxehë gjakrat mes palëve, por kalimet në ekstrem tregojnë se fushata do të jetë më shumë se e ashpër. Si për t’u vënë kapak vjen dhe ultimatumi i djeshëm nga zyra e selisë blu. Një ultimatum, si parullat e revolucioneve marksiste për “marrjen e fateve në dorë nga populli”. Problemi është se sa herë që janë bërë thirrje të tilla, ai që e pësuar ka qenë serish populli.Populli demokrat është thirrur për tu përballur me qeverinë dhe po bëhen skenaret për përplasje në muajt prill-maj-qershor, por sidomos në muajin maj të këtij viti.Dhe demokratët janë të zotët për skenare të tilla bllokimi, ndonëse këtë rradhë kanë një kryetar që nuk ia ka qejfi për të tilla skena përplasjesh. Por muaji maj po ofrohet dhe deri atëhere skenarët mund të ndryshojnë formë, ndonëse në thelb do të jenë të dhunshëm me qeverinë.Dhe për dreq Edi Rama ka hequr edhe gardhin e hekurave përreth Kryeministrisë me idenë se jemi një vend europian në kulturë. Ka bërë gabim!