PD:Do djegim mandatet dhe Edi Ramën me to!

Të pyetur mbrëmë në lidhje me mandatet e deputetëve të PD-së që me Kushtetutë u hiqen kur nuk shkojnë 6 muaj në sallën e Kuvendit, duke u zëvendësuar me emra të tjerë nga listat e PD-së, deputetë demokratë u shprehën se asnjë deputet nuk mund të zëvendësojë listën aktuale, pasi “të gjithë demokratët janë në një mendim kur flitet se mafia ka pushtuar Parlamentin, ndaj mandatet janë të popullit e populli do dalë në rrugë për ta rrëzuar këtë qeveri. Nëse guxojnë të vënë dorë mbi popullin e pakënaqur nga Edi Rama, nuk dihet se çfarë “tymi” del në Kryeministri”. Kjo ishte përgjigjia nga selia blu mbrëmë vonë, ndërkohë që po përgatiten për protesta të mëdha, të cilat dihet si fillojnë, por nuk dihet se si mbarojnë.
Vendosmëria e Partisë Demokratike për të vijuar me linjën e ashpër ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët. Gjatë javës së fundit ka pasur kontakte të eurodeputetëve që ndjekin nga afër situatën në Shqipëri për të ulur palët drejt konsensusit. Afatet ligjore janë drejt limitit, pasi mbetet më pak se një muaj për gjetjen e një zgjidhjeje dhe seanca e fundit e Kuvendit për këtë vit është më 18 dhjetor. Këto arsye kanë bërë që kontaktet mes ndërkombëtarëve, drejtuesve të selisë blu dhe përfaqësuesve të mazhorancës të jenë intensive. Dy ditë më parë, deputetja Majlinda Bregu, pas kthimit nga Brukseli ku pati takime me eurodeputetët për të diskutuar për ngërçin politik në Shqipëri, u ka përcjellje drejtuesve të selisë blu mesazhet e përfaqësuesve të institucioneve të BE-së. Për të gjetur një zgjidhje dhe për të ulur palët në dialog, pritet që gjatë kësaj jave në Tiranë të mbërrijë një delegacion i Parlamentit Europian. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein dhe eurodeputeti Eduart Kukan, pritet të mbrrijnë në Tiranë pas së hënës, me misionin për gjetjen e konsensusit dhe kthimin e PD-së në Kuvend. 
Pavarësisht kësaj, duket se qëndrimi i mbajtur nga mazhoranca lidhur me kërkesat e saj, për mazhorancën nuk kanë ndryshuar. Gjatë ditës së djeshme, drejtuesit e mazhorancës janë përballur dhe me kërkesat këmbëngulëse të aleatëve të saj për t’i dhënë fund bojkotit. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është takuar për rreth një orë me kreun e PD-së, Lulzim Basha e ka kërkuar kthimin e opozitës në Kuvend. Mediu nuk e fshehu se presioni i ndërkombëtarëve është i madh për të ndryshuar linjën e bojkotit dhe të opozitës dhe për të arritur një marrëveshje me mazhorancën. Mediu foli edhe për negociata konkrete mes eurodeputetëve të veçantë dhe politikanëve shqiptarë, por nuk dha detaje nëse është arritur diçka konkrete. “Ka një angazhim të parlamentarëve europianë, të cilët duan patjetër që kjo situatë politike në Shqipëri, të marrë fund dhe të ketë një zgjidhje që parlamenti shqiptar të funksionojë brenda kuadrit kushtetues”, – u shpreh dje kreu i Partisë Republikane, pas takimit me kreun e mazhorancës Lulzim Basha. Ndërsa priten negociata të ethshme këto ditë, për të gjetur një zgjidhje, deputetët e Partisë Demokratike janë udhëzuar që të respektojnë vendimin e Partisë. Mesazhi ka qenë i qartë; kush thyen bojkotin do të përjashtohet nga partia dhe se mandatet e deputetëve nuk janë personale, por u janë dhënë nga votuesit e partisë dhe kur thyhet ky vullnet, deputetët bojkot-thyes nuk do të kenë më vend në Partinë Demokratike. Klima e tensionit po përgatitet edhe nga deputetë afër ish-kryeministrit Sali Berisha dhe nga vetë ky i fundit. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha ka bërë thirrje për protesta mbarëpopullore. “Protesta dhe vetëm protesta janë rruga e kthesës dhe shpëtimit nga kthetrat e klikës Rama – Meta!”, – shprehej dje Berisha, duke përcaktuar, sipas tij dhe mënyrën sesi duhet të sillet Partia Demokratike në të ardhmen.
 
 

SHKARKO APP