Penalizohen deputetët, Kryeministri shpëton !
Byroja e Kuvendit ndëshkoi dje tre deputetët të Partisë Demokratike për vezët dhe pecetat e lagura që hodhën drejt Kryeministrit Edi Rama në seancën e ditës së enjte. Ndërsa kërkesa e PD-së për përjashtimin 10 ditë të Kryeministrit Rama dhe deputetit Erjon Braçe, për përdorimin e fjalëve fyese, nuk u mor parasysh. Konkretisht Byroja vendosi përjashtimin duke filluar nga dita e djeshme me shtatë ditë për deputetët; Genti Strazimiri dhe Bedri Hoxha, si dhe masë disiplinore dy ditë për deputeten Albina Deda.
Mbledhja e Byrosë u zhvillua pa praninë e mediave, por deputetet demokrate thanë në mbarimin e saj se përfaqësuesit e mazhorancës nuk kanë parë asnjë shkelje nga ana e kryeministrit gjatë seancës së të enjtes. Deputetët e mazhorancës kanë mbrojtur Kryeministrin dhe deputetin Braçe me argumentin se nuk ka prova, video ose audio që tregojnë se Rama ka përdorur fjalë fyese ndaj deputetëve opozitarë. Demokratët thonë se Kryeministri u qëllua më vezë dhe me peceta të lagura si reagim ndaj fyerjeve që bëri në adresë të deputetes Albina Deda. Pavarësisht se fjalët e përdorura janë banale, PD-ja i ka zbardhur në dokumentin zyrtar të dërguar në Kuvend. “Deputeti Edi Rama i është drejtuar me fyerje të vazhdueshme me fjalë të ndyra deputeteve femra të PD, që kulmuan me fjalët drejtuar deputetes Albina Deda, duke i thënë: “o moster, ku e fute qe e lage moj…” dhe “atë vezën fute në mitër mos e mbaj në dorë..”,- shkruhej në kërkesën e PD për përjashtimin e Ramës.
Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri në fillim bëri një ndjesë ironike në rrjetet sociale:“Vezokratët ndjehen të fyer?! Ndjesë po s’ka qënë ky qëllimi! Thjesht jam munduar t’i marr me të mirë me pak humor, sepse i pashë të rënduar”,- është shprehur Kryeministri. Kryeministri tha se nuk ka përdurur fjalë fyese, por e ka quajtur deputeten motër. “Keqardhje për zonjën deputete që abuzohet nga partia e saj, me pretendimin se e quajta monstër kur në fakt i thashë motër!”,- tha dje Rama.
Për PD-në fyerja e Kryeministrit është në serinë e fyerjeve që, sipas tyre, ai bën ndaj ligjvënësve demokratë. Për PS-në pretendimet nuk qëndojnë se nuk ka regjistrime dhe ata vetë thonë se nuk kanë dëgjuar gjë. Debati i dy ditëve të fundit mes PD dhe PS ka degraduar në muhabete “vezësh”, “mitrash”, “motrash”, “mostrash” dhe “kodoshësh” të politikës që realisht nuk kanë të bëjnë me problemet që ka vendi. Kryeministri Edi Rama edhe mund të këtë përdorur fjalë fyese, nëse besojmë deputetët demokratë. Megjithatë në këtë rast edhe deputetëve të PD-së nuk është së Byroja u ra kot më qafë. Argumenti i PD-së se vezët u përdorën pas sharjes së Ramës nuk qëndron. Vezët e PD-së ishin futur në seancë për të goditur Kryeministrin me çdo kusht. Edhe sikur t’i shante, edhe sikur të mos i shante goditja nuk do mungonte!Vezët nuk kishin hyrë në sallë për t’u zier, por për të qëlluar.
Debati me të cilin janë marrë dje forcat kryesore politike PS dhe PD janë “kakarisje” pa vlerë dhe është dëshmi e degradimit të debatit politik në banalitete. Problemi është se si pretendimet e opozitës, ashtu dhe ironia e Kryeministrit nuk garantojnë se seanca e radhës do jetë normale. Madje tensioni pritet të jetë edhe më i madh. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi dje se opozita nuk do të tërhiqet nga bllokimi i Kuvendit. “Ne i kemi dhënë rrugëdaljen, zgjidhjen largimin e të inkriminuarave nga Kuvendi. Kështu që presim që Edi Rama të reflektojë. Në të kundërt vendimet që kemi marrë do t’i çojmë deri në fund”,- u shpreh Basha. Por bojkoti nuk është i vetmi kërcënim. Ajo që është më serioze në PD lidhet me lënien e mandateve të deputetëve të djathtë. Një precedentë i tillë do të sillte bllokimin politik dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Porse ka informacione se një grup jo i vogël deputetësh, edhe ish-ministra të PD-së, nuk kanë pranuar të dorëzojnë mandatin e deputetit siç kërkoi Berisha, ndaj nuk u diskutua fare në grupin parlamentar propozimi i ish-liderit të PD-së. Kësisoj PD-ja do sulmoj fort e egër në sallën e Kuvendit kundrejt kryeministrit Rama.