Përfundimisht/Lulzim Basha:Nuk ka më Qeveri të përbashkët me Edi Ramën!
Kolapsi i sistemit të drejtësisë, si pasojë e reformës në drejtësi të diregjuar nga Edi Rama, ka risjellë skenarë që flasin për marrëveshje të re politike mes mazhorancës dhe opozitës. Partisë Socialiste i nevojiten votat për të bërë disa amendime të reja në ligjet e reformës, siç është ligji i magjistraturës, dhe për këtë qëllim në korridoret e politikës flitet për negociata dhe kontakte mes palëve. Por kreu i PD-së, Lulzim Basha ka qenë i prerë dje teksa ka mohuar çdo mundësi për pakt apo bashkëqeverisje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Në konferencën dje për mediat, Basha ka renditur në një sërë arsyesh pse mes opozitës dhe PD nuk ka më asnjë rrugë ku takohen. Ai renditi problemet që kanë të bëjnë me krimin, drogën, koncesionet dhe kapjen e sistemit të drejtësisë. Edhe Monika Kryemadhi flet vendosmërisht për ta rrëzuar me çdo mënyrë kryeministrin Rama. Ajo është me radikale, sa herë flitet për emrin Edi Rama.
Monika Kryemadhi tha për KJ se LSI është e vendosur për të mbaruar punë këtë vjeshtë me klikën e Ramës, duke i çuar para dyerve të burgut krejt shpurën e tij kriminale.
Pas akuzave të ashpra ndaj Edi Ramës, Lulzim Basha u pyet nga gazetarët nëse kreu i PD-së mund të përdorte të njëjtën strategji të një viti më parë, ku pasi sulmoi qeverinë, selia blu u bë pjesë e kabinetit “Rama”. Në këtë pikë, Lulzim Basha deklaroi prerë se nuk ka për të pasur më bashkëqeverisje me Edi Ramën. “Në mënyrë absolute dhe të prerë nuk ka dhe nuk ka për të pasur bashkëqeverisje me Edi Ramën. Partneri i Ramës në bashkëqeverisje është krimi i organizuar”,- tha kreu i PD-së.
Kreu i selisë blu u shpreh se në pesë vite, qeveria “Rama” ka treguar se është e lidhur me krimin dhe PD-ja nuk mund të bëhet pjesë e një qeverisje të inkriminuar. “Edi Rama e ka zgjedhur partnerin e vet në bashkëqeverisje tash pesë vjet dhe ky është: Krimi i organizuar. Partia Demokratike nuk bën absolutisht asnjë pakt me Edi Ramën dhe qeverinë e tij të lidhur me krimin. Ne njohim detyrimet tona sa i takon pjesës së opozitës, ndaj shqiptarëve dhe ndaj fateve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, ndaj ky është vizioni dhe prioritetet tona që besojmë se janë edhe prioritet kombëtar”,- deklaroi dje kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Kreu i PD-së ka rrëzuar dhe çdo mundësi bashkëpunimi me qeverinë për kolapsin e sistemit të drejtësisë. Basha argumentoi se reforma ka arritur në pikën kur nuk mund të rregullohet me ndërhyrje sipërfaqësore. Sipas tij PS po kap sistemin e drejtësisë dhe qëllimisht krijoi kaos në gjykata, ndaj pjesëmarrja e PD në ligje të veçanta vetëm sa do t’a bënte atë bashkëfajtore dhe do legjitimonte kapjen e pushtetit të drejtësisë nga Edi Rama. E vetmja zgjidhje që Basha jep për reformën në drejtësi është kthimi te konsensusi i 22 korrikut 2016 kur u miratuan ndryshimet Kushtetuese.
Duke larguar çdo mundësi bashkëqeverisje dhe konsensusi, si dhe duke denoncuar ato që PD i quan afera të rënda korruptive, Lulzim Basha deklaroi se e vetmja mënyrë reagimi është largimi i qeverisë “Rama” dhe zgjedhje me standarde normale. Pas mohimit të çdo mundësie për bashkëqeverisje me Edi Ramën, Lulzim Basha ka lëshuar dhe kërcënimin për protesta dhe revoltë qytetare. Duke ju referuar vendimeve që Basha i cilëson si korruptive, si ai për Teatrin Kombëtar, kreu i PD-së paralajmëroi luftë totale nëse mazhoranca nuk tërhiqet. “Nëqoftëse kryetalebani dhe aksesorët e tij në krim nuk tërhiqen, do t’i përgjigjemi me një luftë totale. Jam i sigurtë, që populli do të bëjë atë që bën për të mbajtur gjallë Pemën e Lirisë, sepse ajo po kërcënohet tani, po përdor një metaforë amerikane, sepse amerikanët e dinë se si mbahet gjallë Pema e Lirisë”,- deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha.
Me sa duket në vjeshtë do kemi punë me lajme nga kryeministria dhe sheshi para zyrës së kryeministrit!