Përmbytje dhe arrestime

Gjatë 48 orëve të fundit dy janë ngjarjet që kanë vënë në alarm institucionet e vendit dhe opinionin publik. E para, janë reshjet e mëdha të shiut që kanë shkaktuar probleme në pjesën më të madhe të territorit të vendit. Ndërsa ngjarja e dytë nuk ka të bëjë më fenomenet natyrore, por me një rrezik edhe më kërcënues, terrorizmin.

Përmbytjet

Të paktën pesë qarqe; Tirana, Durrësi, Lezha, Kukësi dhe Dibra u përballen dje me situata emergjence për shkak të reshjeve të mëdha të shiut. Tre persona humbën jetën, si pasojë e përmbytjeve dhe kushteve të rëna atmosferike. Ministria e Arsimit, si rrallë herë, urdhëroi ndërprerjen e mësimit në shkolla. Bilanci i dëmeve të krijuara nga reshjet është ende paraprak. Qindra familje janë evakuuar, mijëra hektarë tokë është e përmbytur në disa zona të vendit. Disa rrugë janë të bllokuara në zonat rurale. Ndërkohë Tirana u përball me një prej situatave më të vështira të viteve të fundit për shkak të bllokimit të disa rrugëve kryesore. Autostrada Tiranë-Durrës uji arriti lartësi rekord gjë që solli bllokimin e autostradës. Ministrja e Mbrojtjes nxori në terren forcat ushtarake për të evakuuar disa banorë të izoluar në Burrel. Në një bilanc të orëve të fundit nga Ministria e Brendshme, situata kaotike e krijuar në orët e para të ditës së djeshme është normalizuar. Por parashikimet e motit flasin se më e keqja ende nuk ka kaluar. Agjencitë e specializuara në BE për parashikimin e motit raportojnë se gjatë ditës së sotme (e merkurë) pritet që Shqipëria të goditet nga një tjetër valë e fortë reshjesh. Reshjet më të madh parashikohen në zonë ne Jugut, Sarandë dhe Gjirokastër.

Kryeministri Edi Rama mblodhi dje dy herë gjatë ditës Zyrën Operacionale me drejtuesit e institucioneve kryesore në vend që monitorojnë situatën. Gjithsesi, shpallja e emergjencës  në zonat e dëmtuara nuk është vendosur ende. Tre viktima në një ditë nga reshjet janë një shenjë se shtabet e emergjencave dhe gjithë struktura duhet të rishikojnë planet e masave. Kjo nuk është hera e parë që vendi përballet me probleme të tilla. Në 10 vitet e fundit përmbytjet janë bërë ngjarja kryesore e çdo dimri. Është koha të shikohen problemet e përmbytjeve jo thjesht të masat e qeverisë kur ndodhin, por në qarqe, fshatra dhe çdo njësi administrative që nuk kryen asnjë investim për të shmangur përmbytjet.

Shirat e djeshme kanë sjellë edhe një lajm të keq për banorët e kryeqytetit. Uji i Bovillës, tha Erion Veliaj është katër herë me shumë se e lejueshmja pra kjo do të sjellë që për tre ditë Tirana nuk do të ketë uji në çezma. Kjo do ta vështirësojë jetesën në Tiranë për këto ditë.

Terrorizmi

Ndërsa një pjesë e vendit ndodhej nën pushtetin e ujit, detajet e hetimit të Prokurorisë për 4 personat e arrestuar ditën e premte në Shkodër kanë qenë shokuese. Sipas informacioneve Prokurorisë, SHISH dhe shërbimeve inteligjente të vendeve partnere, të arrestuarit Ergys Faslia, Bekim Protopapa, Xhezahir Fishti e Medat Hasani dyshohet se kishin planifikuar sulme terroriste. Të dhënat flasin për një celulë të Shtetit Islamik me shtirje në disa vende të Ballkanit. Materialet e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe agjencive të huaja të spiunazhit kanë referuar informacione se të arrestuarit në Shqipëri, në bashkëpunim me personat e arrestuar në Kosovë dhe disa të tjerë në Maqedoni, po planifikonin një sulm me shpërthim jashtë stadiumit “Loro Boriçi” dhe më pas me armë zjarri, gjatë ndeshjes Shqipëri- Izrael.

Pas informacioneve që kanë marrë strukturat e sigurisë nga shërbimet partnereve, Federata Shqiptare e Futbollit anuloi zhvillimin e ndeshjes në këtë stadium duke e zhvendosur atë në stadiumin e Elbasanit për shkaqe sigurie.

Katër personat u arrestuan në Shkodër një ditë para mbajtjes së meshës së Lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike. Arrestimi i tyre u bë në kuadër të një operacionit rajonal. Në Kosovë dhe Maqedoni u arrestuan 9 persona të tjerë, një pjesë e të cilëve më parë kanë qenë luftëtarë të Shtetit Islamik (ISIS) në Siri. Nga hetimet rezulton se të arrestuarit kanë komunikuar dhe me disa militantë të ISIS në Siri. Nisur nga kjo, institucionet t kanë vendosur të ndërhyjnë para zhvillimit të aktivitetit të ditës së shtunë duke shmangur çdo ngjarje të rëndë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, për shkak të ndjeshmërisë që ka kjo ngjarje, ka qenë shumë e rezervuar duke mos dhënë asnjë detaj mbi sulmet e planifikuara. Ndërsa Prokuroria Speciale në Kosovë, në seancën e parë ndaj të akuzuarve ka pranuar se të arrestuarit kishin gati planet e sulmit. “Të dyshuarit po përgatisnin sulme terroriste në rajonin e Ballkanit – fillimisht në Kosovë. Ata kishin planifikuar sulme mbi ndërtesa, institucionet e sigurisë, planifikonin të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat ekonomike, politike dhe financiare”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale. Bëhet fjalë për arrestuarit në Shqipëri dhe Kosovë që kanë pasur lidhje dhe komunikonin me njeri-tjetrin.

Masat për ndeshjen me Izraelin janë shtuar ndjeshëm nga policia dhe shërbimet sekrete, pasi mundet që elementë të tjerë të infiltruar të jenë aktivë. Nga ana tjetër janë vënë në survejim telefona, shtepitë, si dhe disa xhami ku dyshohen se merrem me veprimtari kriminale. Janë futur agjentë brenda radhëve të të dyshuarve që punojnë për llogarit të shtetit. Mësohet se do të ketë të tjera arrestime nga ky kontigjent.

SHKARKO APP