Përmbytje në Jug, akull e borë në Veri
Prej katër ditësh, pjesa më e madhe e qarqeve të Jugut janë zhytur në ujë. Vlora, Elbasani, Gjirokastra, Fieri dhe Berati janë qarqet që janë goditur më shumë nga moti i keq, i cili ka nisur që prej fundjavës. Situata më problematike paraqitet në Vlorë. Rreth 400 familje janë evakuuar nga banesat e tyre. Banorëve në disa fshatra u është këshilluar të largohen nga banesat e tyre për shkak të situatës së paparashikueshme. Mijëra bagëti llogaritet të jenë mbytur në zona të ndryshme të vendit. Fatmirësisht, deri më sot, nuk ka viktima në njerëz. Mbrëmjen e djeshme në Vlorë dhe Fier është vënë re ulje e nivelit të ujërave. Por parashikimet e motit bëjnë që drejtuesit e shtabeve të emergjencës të mos jenë optimistë. Ditën e mërkurë parashikohet që reshjet të shtohen në gjithë vendin, gjë që do të thotë se situata ende nuk e ka kaluar pikën kritike, ndërsa banorët druhen për më të keqen.
Mbledhja e zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga Këshilli i Ministrave përcaktoi detyrat e institucioneve për llogaritjen e dëmeve dhe marrjen e masave për të mos lejuar përkeqësimin e situatës. Zyrtarisht, ministri i Bujqësisë tha se janë rreth 3 mijë hektarë tokë nën ujë. Por duke llogaritur dhe përmbytjet e djeshme në Librazhd dhe në Elbasan, shifra duhet të jetë më e madhe. Ndërkohë Veriu është mbërthyer nën borë e në akull. Tjetër histori kjo dhe pragfrike për hapjen e portave të hidrocentraleve si vitet e tjera. Ndërkohë që autoritetet e emergjencës civile janë duke u marrë vetëm me situatën në Fier e Vlorë, ende nuk ka një bilanc të asaj çfarë ka ndodhur. Dëmet në banesa, mbytja e bagëtive, dëmtimi i kulturave bujqësore dhe shembja e rrugëve në disa akse rrugore dhe urave kanë një kosto marramendëse. Efektin negativ të kësaj përmbytje dota ndjejmë nga fundi i vitit, të gjithë. Kryeministri Edi Rama tha dje se do të synohet mbështetja e Bashkimi Europian për të përballuar dëmet e shkaktuara. Kjo shihet si e vetmja mënyrë për të përballuar dëmet që u janë shkaktuar fermerëve, por edhe banesave të qytetarëve në disa qytete të vendit. Drejtuesit e qeverisë thanë se masat për një situatë të tillë ishin marrë para se të nisin përmbytjet. Megjithatë është e pakuptueshme që edhe pse thuhet se masat ishin marrë para kohe, dëmet të ishin në një nivel të lartë dhe banorët apo fermerët nuk u lajmëruan më parë, ndonëse asnjeri nga banorët nuk e mori parasysh paralajmërimin. Realisht, institucionet janë vënë në lëvizje si kurrë më parë në situata të ngjashme. Por janë 25 vite që asnjeri nuk investon në bujqësi. Vetëm vjedhin fonde pa ndalesë nga bujqësia. Asnjeri nuk kontrollon, ndërkohë që janë dhënë qindra milion dollarë ndër 25 vite. Shmangia e përmbytjeve është një investim që kërkon vite dhe masa më afatgjata sesa një stinë. Prurjet e lumenjve ishin në nivele historike, por problemet me zonën e Novoselës në Vlorë nuk ishin të reja. Banorët e këtyre zonave janë përmbytur sistematikisht gjatë këtyre viteve të fundit. Grykëderdhjet e lumenjve kanë vite që nuk janë pastruar dhe investimet në kanalet e kullimit me kohë që janë harruar në këto zona. Edhe kur këto investime janë bërë, ato kanë shkuar në xhepat e drejtuesve lokalë dhe krerëve të institucioneve. Bëjnë sikur pastrojnë kanalet apo vendosin argjinaturat porse vetëm sa shtohen vilat dhe pallatet në emër të drejtorëve të bujqësisë në qarqe!
Si çdo situatë emergjentë në Shqipëri edhe këtë herë nuk kanë munguar akuzat politike. Opozita është hedhur në sulm ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e kritikuar për faktin se përse nuk ishte që në orët e para në Vlorë, gjatë përmbytjeve. Po kërkohet nga kreu i qeverisë e njëjta gjë që mund ti kërkohet shefit të zjarrfikësve apo kreut të ujësjellës së kanalizimeve në Vlorë! Kryeministri nuk është as pjesëtar i forcave të emergjencave dhe as i punonjësve që mban përgjegjësi për hidrovorin. Kryeministri duhet gjykuar për mënyrën sesi funksion sistemi i emergjencave civile dhe reagimin që kanë institucionet. Nëse shohim angazhimin e strukturave të emergjencës, Forcave të Armatosura dhe gjithë niveleve që angazhohen në situata të tillë, vështirë se gjendet mangësi. Ma aq kapacitete sa kanë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme janë angazhuar për të shpëtuar jetë njerëzish. Fakti që deri më sot nuk ka pasur viktima duhet vlerësuar si aftësi e institucioneve. Kjo është dhe mënyra sesi matet angazhimi i Kryeministrit dhe jo nëse ishte në Vlorë një orë më pas, apo më vonë, për të ngrënë një peshk. Situata e reshjeve të fundit nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Në Greqi është krijuar e njëjta situata nga përmbytjet, po ashtu dhe në Bullgari është shpallur gjendja e emergjencës.. Kritikat mund të vijnë më pas nëse do të bëhet dëmshpërblimi, apo do të harrohen si përmbytjet e shumta që ndodhën në Shkodër në disa vite më parë. Pas kësaj që po kalon në Vlorë e në Fier kryeministri ka nevojë të ushtrojë kontroll të fortë mbi investimet në bujqësi.Nëse nuk e bën këtë gjë atëhere duhet kritikuar fort e pa mëshirë. Se dimri vjen prapë vitin tjetër!
Qamil Xhani