Përplasja në zyrën e presidentit, ç’porosi erdhën nga Berlini për Thaçin
Deputeti gjerman nga partia e Merkelit, Peter Beyer, ia ka bërë të qartë presidentit Hashim Thaçi qëndrimin e Berlinit rreth çështjes së ndryshimit të kufijve. Ai ka thënë se kjo ide është e rrezikshme dhe se Thaçi e di mirë qëndrimin gjerman.
Deputeti i CDU-së ka thënë se ende duhet të merret në konsiderim modeli i dy Gjermanive si zgjidhje për raportet Kosovë –Serbi, duke e prezantuar nëntorin si muaj të rëndësishëm për këtë proces.
Disa herë brenda pak minutave, deputeti i partisë së kancelares Merkel ka përmendur fjalën “rrezik i lartë” kur ka folur sot për korrigjimin e kufijve në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.
“Kam dëgjuar disa shprehje si korrigjim i kufijve, shkëmbim i territoreve… kjo është ndarje. Nuk është e shëndetshme, është shumë e rrezikshme”, ka thënë deputeti gjerman.
Peter Beyer, deputeti i partisë së Angela Merkel, CDU, ka thënë para gazetarëve në Prishtinë se ideja e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve është “me rrezik të lartë dhe e papranueshme”.
Ai shtoi se vullnetin e qytetarëve e përfaqësojnë deputetët.
Beyer ka treguar se ka folur qartë me presidentin Thaçi, por se ky i fundit i kishte thënë se “unë jam president dhe unë vendos”.
“Kam dëgjuar disa shprehje si korrigjim i kufijve, shkëmbim i territoreve… kjo është ndarje. Nuk është e shëndetshme. Të zgjedhurit duhet të kujdesen për qytetarët e tyre. Deputetët janë ata që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve”, ka thënë ai.
Në pyetjen e gazetarëve se a u ka propozuar ai liderëve ndonjë ide se si mund të arrihet marrëveshja finale, ai tha se “modeli i dy Gjermaneve nuk duhet të injorohet”, duke shtuar se nuk është këtu që të japë ide.
Beyer, i cili vjen nga CDU-ja, tha se ia ka bërë të qartë presidentit Thaçi se Gjermania është kundër shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve dhe se normalizimi i marrëdhënieve kërkon zgjidhje të qëndrueshme.
Ai tha se nëntori do të jetë “muaji i vendimeve” në dialogun Kosovë – Serbi dhe se përfaqësuesit e vullnetit të qytetarëve janë deputetët e Kosovës, e jo presidenti.
“E takova Thaçin para jush dhe isha shumë i qartë. Fola saktësisht të njëjtat gjëra që po flas me ju, që të mos përsëriten. Nuk mendoj që u surprizua, ai e di qëndrimin gjerman”, tha ai kur u pyet nga Kallxo.com rreth takimit me Thaçin.
Deputeti i partisë së kancelares Merkel tha se nuk e di datën kur do të ndodhë liberalizimi i vizave.
“Nuk e di [kur do të ndodhë liberalizimi]. Tash është në dorën e ministrave të brendshëm (të shteteve anëtare të BE-së). Vërtetë nuk e di se kur do të ndodhë. Askush nuk duhet të premtojë data”, tha ai.
Deputeti i parlamentit gjerman tha se nesër do të jetë në Beograd.
“Kam për ta takuar presidentin serb nesër dhe jam kureshtar ta dëgjoj opinionin e tij (për dialogun)”, tha ai.