Përplasjet në CDU shfryjnë në Tiranë

Ajo çka tha dje gjermani Gunther Krichbaum ishte rrufe në qiell të pastër. Ndonëse ka plotë gjëra të cilat mund të bëhen më mirë në Shqipëri, përsëri ardhja me ngut e tij para se kryeministri shqiptar Rama të takohet me kancelaren gjermane Merkel, ditën e hënë, tregon dyshime se duelet brenda partisë së Merkel, po shfryjnë në Tiranë. Kancelarja gjermane kandidon për të katërtën herë dhe ka shumë pakënaqësi ndaj politikave të saj në raport me emigrantët dhe vendet e Rajonit të Ballkanit. Angela Merkel e ka shumë të vështirë përballjen me kandidatin rival për Kancelar. Dhe jo për ekonominë gjermane, porse për pakënaqësinë ndaj saj në raport me hapjen ndaj disa vendeve ballkanike, edhe specifikisht për Shqipërinë. Pakënaqësi ndaj Merkel për kontributet dhe politikat e saj për zgjerimin e BE, pas ikjes së Britanisë. Në CDU e zonjës Merkel ka doza zemërimi ndaj saj për synimet e zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas analistit Bernd Riegert, Merkeel është në kufinjtë e stërmundimit për të mbajtur një Europë të bashkuar. “Edhe për sa kohë do të mjaftojë mënyra e saj modeste, herë pas here edhe jopasionante, për ta drejtuar BE? Në Spanjë, në Itali, në Hollandë, në Danimarkë dhe madje edhe në Greqi, qeveritarët janë të të njëjtit mendim se pa Merkelin në Evropë nuk bëhet asgjë. Në Poloni, në Austri, në Hungari, në Britaninë e Madhe dhe ndoshta së shpejti edhe në Francë, mendojnë ndryshe. Atje Madame Merkeli shihet për shembull si pengesë për ta përfunduar krizën e refugjatëve me përsosjen e kështjellës Evropë’- shkruan analisti i radios gjermane Bernd Riegert. Pra zemërimi në CDU ndaj saj vazhdon. E duan nga halli se nuk mund të nxjerrin kandidaturë tjetër me të mirë përzgjedhje, por duan t’ia lidhin duart në raport me Ballkanin e Turqinë. Duket se nga gjuha që përdori Gunther nuk kishte miratimin e kancelares gjermane, por i bëri presion asaj që të mos pranojë Shqipërinë dhe nxori një paketë kritikash. Natyrisht që ka plot gjëra që duhen të ishin bërë më mirë. Gabim bëri PS-ja kur PD ishte në pushtet që sajoi plot gjëra për bllokimin e negociatave, ashtu sikurse të njëjtin gabim, bile më fatal për vendin po krijon sot opozita ndaj mundësisë së hapjes së këtyre negociatave në dhjetor.

Në fund të fundit humbin qytetarët shqiptarë. Nuk humb as Edi Rama e as Lulzim Basha.

Deputeti që bën pjesë në grupin më të madh politik në Bundestag, CDU-CSU, pjesë e të cilit është dhe kancelarja Angela Merkel tha se Shqipëria nuk i plotëson kushtet për hapjen e negociatave në Bashkimin Europian. Por pse nxitoi ky gjerman, ndërkohë që vetë Kancelarja Merkel mund t’ia thoshte të hënën në sy vetë zotit Edi Rama? Çfarë e bëri këtë gjerman të fundit të vijë para datës 29 nentor, ditë kur ka ikur gjermani i fundit i kohës së Hitlerit nga Shkodra? Ndonjë hall dashurie shqiptare? Jo, nuk besohet se për kaq gjë të provojë pluhurin e sheshit “Skenderbej” ku po punon Erion Veliaj. Ndonjë angazhim i madh për Europën dhe hallet e saj? Jo, pasi ka një grua-burrë në Berlin me emrin Angela Merkel. Atëhere pse erdhi? Duket hapur nga gjuha aspak diplomatike që ka përdorur kur kërcënon Kancelaren gjermane nga Tirana. Kanë problemet e tyre në CDU.

Deklarata vjen në momentin kur mazhoranca pretendonte se në dhjetor do të merrte dritën jeshile për nisjen e procesit të anëtarësimit. Të hënën ishte paralajmëruar një takim i Kryeministrit Edi Rama me Kancelaren Merkel në Berlin, i cili shihej si një mundësi e zyrtarizmit të çeljes së bisedimeve BE-Shqipëri. Por  Gunther Krichbaum, i cili tha se fliste në emër të kreut të grupit parlamentar në Bundesag, bëri të ditur se pa një vendim pozitiv të parlamentit gjerman, kancelarja Merkel nuk mund të jap “OK” për negociatat. Me një gjuhë të qartë dhe pa nënkuptime, Krichbaum pasqyroi të gjitha pikat ku sipas tij Shqipëria nuk ka bërë hapa para. Përkundrazi, në disa momente ai deklaroi  se dekriminalizimi dhe lufta kundër drogës, nuk ka progres. Ajo që la të të kuptohet politikani gjerman është se mundësia e hapjes së negociatave është shumë larg asaj që pretendon sot mazhoranca. Sipas tij, afati i mundshëm është pranvera e vitit 2018.

Ai renditi 7 arsye se përse Gjermania nuk do të jetë pro çeljës së negociatave për Shqipëria në këto momente.  Sipas dokumentit të prezantuar nga zyrtari gjerman, kriteri i parë që duhet të përmbushet është reformën në administratën publike dhe zbatimi i ligjeve të miratuara.

Kriteri i dytë ka të bëjë me reformën në drejtësi. Sipas Gunther Krichbaum reforma nuk është vënë ende në zbatim dhe nuk mund të jepen parashikime për efektet e saj.

deputeti-i-cdu-550x310

Në foto:Gunther Krichbaum

Kriteri i tretë lidhet me luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, i cili duhet të jetë i pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës. Përfaqësuesi i Bundestagut gjerman se tha se në luftën kundër korrupsionit pala shqiptare duhet të kishte bërë hapa konkretë dhe institucionet e vendit duhet të kishin ngritur padi penale ndaj zyrtarëve të lartë.

Kriteri i katërt për luftën kundër krimit të organizuar. Sipas deputetit gjerman në luftën “kundër dorgës janë bërë hapa pas”. Deputeti gjerman tha se lufta ndaj këtij fenomeni duhet të kthehet në një detyrë mbarëshoqërore.

Kriteri i pestë ka të bëjë me atë që konsiderohet “prioriteti kyç” në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës, për të cilin vlerësohet se Shqipëria duhet ende të përmbushë ato pika që përmend raporti i Komisionit Europian i datës 9 nëntor 2016.

Kriteri i gjashtë është që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017, të cilat duhet të përmbushin standardet europiane.  Gunther Krichbaum tha se zgjedhjet duhet të bëhen me Kodin e ri Zgjedhor, i cili duhet të miratohet me vullnetin e të gjitha palëve politike.

Kriteri i shtatë ka të bëjë me ligjin për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili, siç thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë. Sipas deputetit gjerman, ligji duhet të kishte mbajtur jashtë Kuvendit personat e inkriminuar dhe të dënuar nga gjykata. Ai nuk pranoi të përmendte emra deputetësh apo zyrtarësh, por tha se ata i njohin të gjithë.

Për të gjitha këto kritere, deputeti gjerman shprehu rezervat e tij në përmbushjen e detyrave nga qeveria dhe mazhoranca. Ndaj dhe theksoi se mungojnë kushtet e nevojshme që Gjermania të kërkojë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Të gjitha këto arsye dhe deklarimi i prerë se nuk ka hapje negociatash kanë shkaktuar jo pak shqetësim te mazhoranca. Deri mbrëmjen e djeshme, përveç opozitës nuk pati asnjë reagim zyrtar nga qeveria lidhur me qëndrimin e fundit të Gjermanisë. Siç duket pritet me interes takimi i së hënës mes Ramës dhe Merkel për të konfirmuar nëse Gunther Krichbaum foli personalisht, apo ky është qëndrimi zyrtar i Gjermanisë?

Por Gunther Krichbaum e hodhi “bombën” para takimit Merkel-Rama. Pothuaj e realizoi misionin e klaneve brenda CDU, ndonëse na futi një gur ndër rrota tani që jemi afër vijës së finishit. Janë tre shtete: Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi si kandidatët të cilat do futen në një ditë në BE. Nuk mund ta bëjë ndryshe Brukseli që të fus njërën pa futur dy të tjerat. Eshtë politikë gjeostrategjike. Por a mos “gjermani i fundit” i ra Shqipërisë që të dëgjojnë në Beograd dhe Podgoricë se nuk ka zgjerim të BE?! Nëse mbetet ky skenar që Ballkanin Perendimor, qarqet nacionaliste që po forcohen në Europë, pra nuk e duan ose ta shtyjnë në pafundësi derisa vetë Europa të shthuret, atëhere del më mirë logjika e Presidentit Erdogan. Kreu i Shtetit turk Erdogan kërcënoi BE kur tha se kjo është “dashuri pa cak” ndaj po shkoj nga Rusia, Kina dhe vendet e tjera.

Mos duhet dhe Shqipëria të shikojë përtej BE?!

Qamil Xhani

laura

Në foto: Deputeti gjerman Gunther Krichbaum ( në mes) , Simpatikja Laura Vorpsi që është specializuar pranë gjermanit Gunther Krichbaum dhe Lideri i PD-së, Lulzim Basha

SHKARKO APP