Përse janë alarmuar ambasadorët nga protesta e PD-së para Parlamentit ?

 

Dy ditë më parë ambasadorët e SHBA-ve, BE-së, OSBE dhe Britanisë së Madhe në një takim urgjent kanë lëshuar mesazhe të alarmi për zhvillimet në vend. Takimi i rrallë në llojin e tij, ka pasur në qendër protestën e Partisë Demokratike. Dy janë mesazhet kryesore që diplomatët e vendeve të BE-së kanë dhënë për klasën politike dhe posaçërisht për selinë blu.

I pari, të shmanget përdorimi i dhunës në protestën e datës 17 dhjetor dhe mesazhi i dytë, të mos bllokohet parlamenti. Në pikën e fundit, diplomatët kanë përdorur një term që deri më sot nuk është përdorur ndaj asnjë partie tjetër politike. “Çdo përpjekje përmes forcës për të ndaluar punën e Parlamentit do të shihet si një përpjekje e qëllimshme në nëpërkëmbjen e institucioneve demokratike dhe do të përbënte një vijë të kuqe të pakalueshme për këto vende dhe organizata”,- janë shprehur diplomatët.

Vija e Kuqe në këtë rast, më shumë se thirrje për demokratët e thjeshtë është një mesazh për Kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Janë përgjegjësit kryesor për aksionet politike të PD-së dhe një shpërthim i dhunës në Kuvend do të mund të sjellë jo thjeshtë kalimin e vijës së kuqe, por heqjen e vizës nga ndërkombëtarët për opozitën. Ambasadori Amerikan Donald Lu, dje në një komunikim në rrjetet sociale i është rikthyer dhe një herë protestës së dhunshme të PD-së në datën 8 dhjetor. Edhe në këtë rast ka mbajtur një qëndrim të qartë: dhuna është e patolerueshme. “Përdorimi i dhunës nuk përputhet me vlerat demokratike dhe me as me angazhimet e saj në NATO”,- tha ai.

Po dje Ambasada e Francës në Tiranë, në një njoftim për shtetasit në saj në Shqipëri këshillonte që në 17 dhjetor të shmangin qarkullimin në qendër të Tiranës. Njoftime  të ngjashme janë lëshuar dhe nga ambasadat e tjera për qytetarë e tyre në Shqipëri. Mesazhe të tilla janë një rutinë e që Ambasadat e vendeve serioze bëjnë për qytetarët e tyre, aq më tepër që protesta e 8 dhjetorit e PD-së krijoi një precedentë jo pozitiv për tubimet politike në vend.

Por nëse sheh axhendën e diplomatëve të SHBA-ve dhe BE-së në Tiranë vihet re se ka një alarm për atë çfarë  ndodh në Shqipëri. Janë të pranishëm në media më shumë se çdo herë tjerë dhe kanë shtuar kontaktet me klasën politike për ngjarjet e fundit. E gjitha lidhet me protestën e Partisë Demokratike ditën e nesërme para parlamentit.

Por a ka gjasa që situata të shpërthejë ditën e enjte? Në PD thonë se protesta do të jetë normale, por askush nuk ka dalë të japë mesazhe se tubimi do të jetë paqësor. Për më tepër, ende nuk dihet se çfarë nënkuptojnë në PD me fjalën “normale”. Burime nga shërbimet sekrete thanë për “Koha Jonë” se ka të dhëna që protesta të kalojë në dhunë. Një grup protestuesish duket se janë trajnuar për të sjellë çrregullime në protestë. Vëmendja e shërbimeve është përqendruar në grupimin e quajtur “KRAH” (Korpusi Rinor Azam Hajdari), të cilët ishin dhe më të dhunshmit gjatë protestës së kaluar dhe që binin në sy për shkak të veshjeve të zeza që mbanin.

Por nëse grupimet e veçanta mund të mbahen nën vëzhgim dhe janë jashtë perimetrit të sigurisë për Kuvendin, Garda e Republikës ka një tjetër shqetësim. Frika është se skenari i Kosovës me bomba lotsjellëse mund të përsëritet në Parlamentin e Shqipërisë. Modeli i vezëve kundër Kryeministrit u importua nga Kosova dhe duket se dhe bllokimi i seancave do të merret po nga Vetëvendosja në Kosovë. Ka mjaft deputetët të PD që janë të gatshëm të fusin së seancë bomba me gazlotësjellës, gurë dhe sende të tjera të forta. Por një shpërthim i tillë në Kuvend me turmën prej mijëra protestuesish jashtë sallës së Kuvendit mund të krijojë një situatë të paparashikuar ditën e enjte. Kështu bllokohet jo vetëm puna e Kuvendit, por mund të ketë përplasje të tjera. Ndaj diplomatët e vendeve kryesore dje folën për “Vijën e Kuqe”. A do ta kalojë këtë vijë PD-ja?

Të shikojmë nesër !

SHKARKO APP