Përse po sulmohet KLSH?

 
 
Prej tre ditësh përfaqësuesit kryesorë të Qeverisë dhe Partisë Socialiste janë hedhur në sulm të egër ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit. Shkak është bërë padia penale e KLSH-së ndaj ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Avokates së Shtetit, Alma Hiçka për nënshkrimin e marrëveshjes mes CEZ-in. Raporti i KLSH-së ka gjetur shkelje që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 479 milionë euro nga nënshkrimi i paktit të mirëkuptimit me biznesin çek të “CEZ Shpërndarje”-s. Fillimisht ishte ministri Gjiknuri në konferencë dhe në Parlament deklaroi se akuzat e KLSH-së ishin të njëjta me ato që i ka bërë pak kohë më parë Partia Demokratike. Të njëjtën gjë përsëriti dhe Avokatja e Shtetit. Ndërsa dje në mënyrë zyrtare Partia Socialiste, me anë të deputetit Ervin Bushati, shkoi edhe më tej në akuza. “Çdo ditë e më shumë del në pah qarku i shkurtër, mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Partisë Demokratike”, – tha ai. Sipas PS-së, institucioni kushtetues i KLSH-së është një aneks i Partisë Demokratike. Kjo deklaratë e bërë në mënyrë zyrtare nga Partia Socialiste është një hap prapa në gjithë qëndrimet e mbajtura më parë nga selia rozë, kur deklarohej se nuk do të sulmoheshin institucionet kushtetuese. Në rastin e çështjes CEZ mazhoranca e PS-së po bën pikë për pikë atë që bënte dje Partia Demokratike duke sulmuar çdo institucion, përfshirë edhe gjykatat kur qëndrimet e tyre nuk ishin në favor të saj. Tamam si Berisha para vitit 2013 !
Por sulmi i Partisë Socialiste ndaj KLSH-së për CEZ-in nuk është vetëm tek deklarata. Kryeministri Rama personalisht nuk e ka përmendur KLSH-në, por indirekt e ka marrë në mbrojtje marrëveshjen e CEZ-it duke i quajtur të pavlefshme akuzat. Investimi i PS-së kundër KLSH-së këto ditë ka bërë që të ndërmerren dhe nisma deri diku absurde.
Turravrapi që kanë marrë deputetët dhe ministrat e PS-së për të sulmuar KLSH-në, të kujton vetëm qeverisjen e PD-së, kur mazhoranca lëshohej kundër Prokurorisë, Presidentit dhe çdo zëri kritik ndaj saj. Edhe atëhere kryeministri Berisha sulmonte Ina Ramën si Prokurore e Republikës kur i digjte. Nga “Silvia Konti” ajo u kthye në tabelë qitje për PD. E padrejtë dhe krejtësisht e turpshme. Tani ka vjedhur zanatin e Berishës vetë PS-ja. Në një farë mënyre Edi Rama, duke e ditur se nuk i dihet se si mund të dalin letrat nga hetimi nuk po flet vetë. Por prapë ka nxjerrë urdinë e “oborrtarëve” për sulm kundër Bujar Leskaj. Por ka informacione se Bujar Leskaj akoma nuk e ka hapur thesin e letrave që në zyrë për dikë në PS!
Çështja e CEZ-it është kthyer në një çështje politike, pasi në këtë lojë janë përfshirë më akuza PS-PD dhe LSI. Por në thelb, ajo është një çështje që ka të bëjë me ligjin. Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion kushtetues dhe jo një degë seksioni e partive politike. Kur ky institucion pretendon se ka shkelje, minimalisht duhet pritur të flasë Prokuroria. Verifikimet e KLSH-së për marrëveshjen kanë nisur në muajin mars të këtij viti, kur ende çështja “CEZ” nuk ishte marrë në dorë nga politika. Hartimi i padisë ka marrë gati më shumë se një muaj kohë dhe ekspertët e KLSH-së apo drejtuesit e tijj nuk kanë vendosur të luajnë me karrierën e tyre për t’i bërë qejfin PD-së. Ashtu siç mbajnë përgjegjësi ministrat për firmat, mbajnë përgjegjësi dhe ekspertët e KLSH-së në paditë e hartuara. Në rastin konkret, padia e KLSH-së duhet vlerësuar edhe më tepër, si një gjest që tregon se jo të gjithë drejtuesit e institucioneve janë vënë në rresht sipas humorit të mazhorancës aktuale. Kjo tregon se ka ende demokraci.
Ka dhe një arsye më shumë pse sulmi ndaj KLSH-së është i pavend. Ishte Partia Socialiste ajo që deri para ca kohësh u referohej raporteve të KLSH-së për abuzimet e ish-ministrave të qeverisë ‘Berisha’. Disa vite më parë, si përfaqësues i PS-së, pikërisht  Gjiknuri tundte para mediave raportet e KLSH-së për abuzimet me karburantet në kohën e Berishës. Kur ky institucion publikonte abuzimet në Ministrinë e Integrimit, Ministrinë e Kulturës dhe atë të Punës në kohën e PD-së, deputetët socialistë ishin të parët që vlerësonin punën e Bujar Leskajt. Si ka mundësi që institucioni që padiste zyrtarët e Berishës, sot është bërë më Berishën për të sulmuar Partinë Socialiste?!
 
E padrejtë kjo mënyrë sulmi. Përgjigja më e mirë e PS-së dhe e Qeverisë do të ishte “t’ia lemë drejtësisë”. Dhe me kaq. Më pas ishin prokurorët që vendosin, e në fund të fundit mbetet gjykata.

SHKARKO APP