Peticion artistësh në mbrojtje të PPP-ve të Kryeministrit
Në morinë e skandaleve për Teatrin Kombëtar askush nuk habitet me qëndrimet Edi Ramës që thotë se “kam një jetë që dua ta shemb atë gërmadhë”. Nuk habitet as me manovrat e Erion Veliajt, që e ka zënë halli me kryeministrin dhe duhet të plotësojë me çdo kusht ketë tekë apo interes të kryeministrit, edhe duke marrë vendime në mbledhje që nuk janë mbajtur kurrë. Nuk habitet as me Taulantin, Ulsiun, etj, qe edhe pse realisht nuk u bëhet vonë çfarë ndodhë me artin dhe Teatrin u duhet që këtë herë të hidhen në sulme të ashpra për të justifikuar besnikërinë ndaj shefit. Rilindasit janë të qartë në marrëzinë e shembjes së Teatrit. Atab duan ta shembim për interesa ekonomike, dhe kur hyjnë lekët në mes të rilindjes është e kotë të flasësh për kulturën dhe moralin. Parimi i tyre mbetet vidh sa më shumë dhe më shpejt se po mbaron mandati.
Por ajo që shkaktoi paksa habi dje ishte një peticion i firmosur nga një grup artistësh që u kundërviheshin artistëve që mbrojnë Teatrin Kombëtar dhe kërkonin shembjen e tij, për të ndërtuar një të ri. Lista e emrave që e kanë firmosur peticionin meriton respekt për veprat që i kanë dhënë artit shqiptar. Por madhështia e veprave artistike vlerësohet sipas rregullave të brendshme të artit, ndërsa veprimet e qeverisë dhe shoqërisë sipas kodit moral dhe kodit penal të shtetit. Sipas të dy kodeve moral dhe penal, qeveria “Rama” po kryen një vjedhje të prona e Teatrit Kombëtar dhe po shemb një pasuri publike. Nuk ka rëndësi se kush e mbron këtë teatër, aktorë që sipas atyre të peticionit janë anonimë, opozita apo qoftë dhe qytetarë. Kushdo që kundërshton shembjen e Teatrit dhe grabitjen e pronës, po ndalon një krim kulturor, një krim penal dhe po i bën një shërbim shoqërisë.
Në peticionin e tyre edhe kërkesa për ndërtimin e një Teatrit të Ri është mëse e ligjshme. Realisht nuk ka ndonjë artist dhe qytetarë që të mos kërkojë ndërtimin e një Teatri të ri. Ky është dhe rrengu që Edi Rama po u punon një pjesë të artistëve, duke thënë se ata që mbrojnë Teatrin Kombëtar nuk duan godinë të re. Robert Ndrenika, një ikonë e filmit shqiptar dje pati kurajën të deklaronte se nuk ka firmosur kurrë për shembjen e Teatrit edhe pse emri i tij ishte futur kastile në krye të listës nga hartuesit.
Problemi është se artistët e peticionit e duan teatrin e ri aty ku e do edhe Edi Rama. Që të ngrihet i riu duhet shembur me tritol i vjetri dhe bashkë me të dhe historia e Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që normalisht dhe me më pak kosto do ishte ndërtimi i një teatri të ri diku tjetër në Tiranë ose afër godinës ekzistuese, ku toka nuk mungon. Ose edhe të Bulevardi i Ri.
Artistët e peticionit, po ashtu nuk duan t’ja dinë si do ndërtohet teatri i ri, nëse do jetë me lekët e buxheti, me lekët e ndonjë biznesmeni bamirës, me PPP apo do të jepet me koncesion. Peticioni, nëse nuk do të ishte firmosur nga emra të respektuar, mund të përdorej fare mirë si relacion shpjegues i vendimit skandaloz të Këshillit Bashkiak për shembjen e Teatrit. Shkurt dukej si një dokument shoqëruar për dobitë që sjellë koncesioni dhe PPP-të, sikur ta kishte shkuar Edi Rama dhe ata e kanë firmosur. Fatkeqësisht një pjesë e artistëve të peticionit u përdorën, mbase pa vetëdije, dhe i bën një shërbim krejt të panevojshëm rilindjes. Edi Rama mund ta shemb dhe pa emrin e tyre në krah, Teatrin Kombëtar. Fadromat dhe dhuna e policisë nuk ka nevojë për mbështetje artistike. Edhe nëse kanë interesa personale, sepse njerëz si të gjithë janë dhe artistët dhe duhet të thonë se janë për shembjen e Teatrit, nuk ua merr njeri për ters. Në këtë vend kanë ndodhur gjëma më të mëdha se këto dhe nuk pret askush që artistët të jenë të pagabueshëm. Vetëm se në momentet kur një demokraci kërcënohet nga një regjim, të paktën ata që i bëjnë moral shoqërisë me punën e tyre duhet të renditen të parë në anën e duhur të historisë.
Artistët janë ikona të një Kombi dhe nuk kurrë të bëhen mburojë e një klike dhunuese.