Petrit Vasili : Nuk mund të testohen mjekët si bën Ilir Beqja

Petrit Vasili kryetar i grupit parlamentar te LSI deklaroi si me poshte:"Unë jam prononcuar edhe më parë për këtë çështje dhe meqenëse më pyesni dhe keni interes, përsëri po rimarr një qëndrim që unë e kam thënë dhe më parë. Së pari kam konstatuar një konfliktualitet tepër të ashpër dhe të panevojshëm dhe një fragmentim qëndrimi. Pra, Ministria e Shëndetësisë në njërën anë dhe mjekët dhe infermierët në anën tjetër. Besoj që është qëndrim i panatyrshëm dhe një konfliktualitet i pavend dhe i panevojshëm. Së dyti, mendoj që hapi i dytë do të ishte që komuniteti dhe drejtuesit e tyre të kompaktësoheshin, pra ka një komunitet të përbashkët, drejtimi dhe ata që funksionojnë në terren. Kjo shkëputje dhe çarje besoj se dëmton sistemin dhe nuk ndihmon kërkënd. Jam gjithashtu i mendimit që nuk mund të pozicionohemi drejt testimit apo ta imponojmë atë si një kapriço politike apo si një sfidë ndaj mjekëve. Nuk mund të sfidohen mjekët, pasi ata janë palca e sistemit, edhe infermierët. Ata janë njerëz të cilët realizojnë sistemin, e jetësojnë sistemin, e mishërojnë dhe e bëjnë sistemin të funksionoj. Drejtuesit janë ata që lehtësojnë me masat e tyre apo përkeqësojnë sistemin me veprimet e tyre të gabuara.

Kam dëgjuar dhe një prononcim tjetër lidhur me mjekët, të cilët me mospasjen e krediteve, duhet të japin përsëri provimin e shtetit. Për sqarimin tuaj dhe të opinionit publik, provimi i shtetit jepet vetëm një herë në jetë. Unë këtë bile e kam përcjell, jua them sinqerisht me një buzëqeshje dashamirëse, jo ironike, e kam menduar dhe sigurisht ka qenë një lexim i pa vëmendshëm i legjislacionit. Sepse me gjithë rruzullin tokësor, provimi i shtetit është konkludimi i studimeve universitare dhe i një provimi përfundimtar i cili nuk jepet nga fakultetet përkatëse të mjekësisë në të gjithë botën, por nga Urdhrat e Mjekëve në momentin që mjeku licencohet dhe bëhet pjesë e atij urdhri. Dhe çfarë ndodh në karrierën e mjekëve, ka mjek që mund të ndërpresin karrierën e tyre, ka mjek që mund të bëjnë gabime profesionale dhe mund të dënohen, ka mjek që pezullohen nga licencimi por nuk japin provimin e shtetit për së dysi sikundër nuk japin diplomën nga e para. Pra, janë momentet e formimit, sepse e gjithë bota e qytetëruar, por edhe Shqipëria më së fundi prej gati tre vjetësh, edhe për profesionin e mjekut e ka bërë pjesë të profesioneve të rregulluara. Si i tillë, edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese përkatëse, flasin qartë e cili është raporti me profesionet e rregulluara dhe kreditit që marrin, edukimet në vazhdim janë çështje që shoqërojnë një pjesë tjetër të karrierës, por nuk ka lidhje me soliditetin e tyre si profesionist.

 Them që në mënyrë përfundimtare, është një çështje të cilën mendoj që shpenzohen energji të shumta dhe të kota, dhe në mënyrë të veçantë të flasësh për testimin e mjekëve, ndërkohë që kemi një Shqipëri e cila kërcënohet nga një mot i vështirë dhe probleme është shumë të mëdha të shëndetit publik në terren, besoj se është jashtë rendit dhe kohës. Por meqenëse çështja është shtruar, ne po vazhdojmë dhe po e komentojmë. Udhëheqja e tërë këtij procesi nga ana institucionale, instrumenti i vetëm i ministrisë së Shëndetësisë është Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim dhe instrumenti ligjor tjetër janë Urdhrat e Profesionistëve të cilët duhet të bashkërendojnë së bashku me reflektimet e kontratës së punës, dhe të hartuar me fondin kombëtar të sigurimeve. Të gjithë bashku gjejmë dhe zgjidhje përkatëse, jo për konfliktin, por për ato pjesë, dhe ato elemente dhe ato persona që në procesin e edukimit në vazhdim kanë boshllëqe apo kanë pamjaftueshmëria.

 

Duke proceduar me të gjitha hapat përkatëse që ligji përcakton. Sigurisht unë kam qenë dhe do ta them përsëri që kjo është zgjidhja. Pra një edukim në vazhdim dhe me një negocim të programit të ri dhe me prurje të reja, me ritëm të ri. Nuk mundet kurrën e kurrës të konceptojmë, dhe këtu besoj do ta mbyll përgjigjen time, testimi si një amnisti për dijet e pamarra apo të pazhvilluara ndër vite. Thënë më thjeshtë, unë jam një mjek që s’kam bërë asgjë, dhe bëj një test dhe laj gjynahet e mija të mosndjekjes së edukimit në vazhdim. Pra, rinegocimi i edukimit në vazhdim, imponimi i vazhdimit të tij, me të gjitha masat që kërkon kjo, qofshin edhe administrative, po. Ndërsa një testim, një provim i bërë në një ditë nga kategori të cilat janë vënë, të gjitha janë vënë në dyshim, sepse ju e dini shumë mirë që ata edhe profesorati që zhvillon, ka marrë detyrën që ta organizoj ky testimin, ju e dini që në specializimet e fundit të mjekësisë ku i la 10% të pikëve sepse edhe ky ishte një kategori e pa besueshme që mund të korruptohej i cili nuk kishte soliditet profesional dhe moral. Është momenti për t’u ndarë një herë e përgjithmonë nga kjo krizë, do të thosha e besimit reciprok, sistemi shëndetësor, mjek dhe infermier të sistemit, janë ata që mbajnë ngarkesën vjetore të gati 5 milion e ca vizitave në vit dhe ata duhet tu injektohet besim dhe kërkesë llogarie dhe të gjithë së bashku të përballojmë probleme shëndetësore të popullatës. Sa më i lëkundur besimi në armatën e mjekëve dhe të infermierëve, aq më shumë probleme do të ketë në raportin mes atë që qytetarët presin dhe aq më shumë do të ketë qytetar të pa kënaqur, por do të kemi dhe mjek dhe infermier të pa kënaqur. Pra do të kemi një botë të pakënaqurish, ndërkohë që na duhet e kundërta, soliditet profesional dhe shërbim i shpejtë ndaj qytetarëve.

Klima e mosbesimit reciprok nuk ndihmon në asnjë rast edhe trajtimet e probleme shëndetësore. Ndaj mjekut apo infermierit tek i cili nuk ushqehet besim, qytetari do të jetë i shqetësuar ndaj tij. E kundërta, do të ndikoi edhe psikologjikisht mirë që edhe problemet shëndetësore të ecin më shpejt. Dhe këtu, në këto që unë them, nuk them asgjë që e ka konstatuar unë i pari, por këtu po risjell historinë në pak fjali të shëndetësie anembanë globit të cilat sillen në të njëjtën mënyrë dhe ju nuk keni dot një, media nuk gjen dot një rrethanë të ngjashme të këtij konflikti të klasë së madhe të mjekëve dhe të infermierëve me ministrinë e tyre apo me opinionin publik, kanë thjeshtë sfidën e përditshme për një shërbim sa më të mirë".

 

 

SHKARKO APP