Petrit Vasili: Vllahutin, çirake e Kryeministrit për të kapur drejtësinë

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili akuzon ambasadoren e BE, Romana Vllahutin dhe përfaqësues të misionit të BE, Euralisu se janë vënë në shërbim të Edi Ramës për të kapur drejtësinë.

Në një reagim në Facebook, Vasili liston të gjitha problematikat dhe referencat e gabuara që ambasadorja dhe ekspertë të këtij misioni kanë dhënë për zbatimin e reformës në drejtësi. Vasili shton se Vllahutin ka fshehur të dhënat për shkeljet e qeverisë duke mos i raportuar në Bruskel, por edhe duke mos ua treguar shqiptarëve.

Deklarata e plotë e Petrit Vasilit:

Euralius dhe BE në Tiranë, ishin ata që përgatitën në dhjetor 2017 raportin, pra alibinë për të zgjedhur kryeprokuroren e përkohshme, edhe me vetëm 36 vota nga 84 që kushtetuta kërkonte për t’ja bërë sa më të kollajshme kapjen e drejtësisë nga kryeministri si çirake të të cilit janë.

Motivi ishte gjoja për të kaluar ngërçin dhe kjo do të zgjaste vetëm shumë pak muaj. Aq sa kryetari i grupit parlamentar të PS Balla deklaronte: “Sipas ligjit u bë procedura, në kushtet që KLP nuk ishte krijuar. Në vlerësimin tim përzgjedhja e anëtarit të 11-të të KLP-së përfundon në shkurt. Në mars ngrihet KLP-ja. Kryeprokurori i ri me mandat 7-vjeçar në vlerësimin tim zgjidhet në fund të muajit mars-fillim të muajit Prill të vitit të ardhshëm”, deklaroi Balla.

Pra, gjoja në prill mbyllej mandati i Arta Markut dhe më tej do zgjidhej prokurori i përgjithshem edhe SPAK edhe BKH. Por Euralius dhe Vllahutin e dinin dhe e dinë shumë mirë të kundërtën, të cilën e fshehin me qëllim edhe sot e kësaj dite edhe në një raport të tyre në mars të 2018 ku e vërteta thuhet shumë qartë:

“Ky proces mund të marrë muaj të tjerë dhe do të çojë në rezultatin që krijimi i Këshillave [KLGJ ose KLP] të bëhet vetëm në fund të vitit 2018 ose më vonë.”
Shpjegimi është i thjeshtë: Euralius dhe Vllahutin zgjodhën të jenë çirakë të kryeministrit kundër reformës në drejtësi, zgjodhën të bekojnë dekapitimin e sistemit të drejtësisë, zgjodhen të lënë Shqipërinë pa institucione të drejtësisë për të betonuar pandëshkueshmërinë e korrupsionit dhe kriminalizimit të qeverisë, zgjodhën të varrosin reformën në drejtësi, e cila sot është tërësisht jashtë Kushtetutës dhe ligjit dhe është kthyer në një dokument të pështirë e plotë me arna antiligjore, të cilin asnjë shqiptar nuk e beson më.
Gjithçka është bërë me vetedije të plotë nga BE në Tiranë. Vllahutin ja ka fshehur shqiptarëve dhe Brukselit të vërtetën duke deklaruar si impresionante implementimin e reformës në drejtësi, kur në fakt e dinte shumë mirë që reforma në drejtesi ka vdekur.

SHKARKO APP