Plas lufta Rama-Blushi
Partia Socialiste zhvilloi dje zgjedhjet për delegatët e kongresit të 19 marsit në tre qarqe, Elbasan, Fier dhe Korçë. Zgjedhja e delegatëve merr një rëndësi të veçantë kur dihet se kongresit do të jetë një përballje e fortë mes Ben Blushit dhe Edi Ramës. Delegatët e zgjedhur do të përcaktojnë se cili do të jetë fati i platformës të Blushit në kongres apo fati i mandatit të kryetarit. Zhvillimet e djeshme në PS mund të cilësohen tashmë si një luftë e hapur mes Edi Ramës dhe Ben Blushit. Të dy kanë zbritur në terren mes socialistëve. Rama si kryetar dhe Blushi si rival i tij. Replikat e djeshme në distancë kanë treguar se mes tyre nuk ka më paqe. Sa më shumë afrohet kongresi aq më tepër palët sulmojnë njeri-tjetrin. Elbasani ishte dje arena e luftës mes Blushit, Ramës dhe mbështetësve të kreut të PS.
Por çfarë ndodhi dje në Elbasan? Si deputet i parë i këtij qarku Blushi ishte i pranishëm në procesin e zgjedhjes së delegatëve. Sipas tij, procesi për delegatët nuk mund të quhet i rregullt, pasi anëtarët e PS-së nuk janë njoftuar për zgjedhjet dhe drejtuesit lokalë të PS-së kanë bërë listat delegatësh preferencialë. Por, sipas Blushit, ajo që është më flagrante ka të bëjë me faktin se mes delegatëve është dhe Bukurosh Stafa. Një ish-deputet i PS-së që në vitin 2007 theu urdhërin e partisë dhe votoi kandidatin e PD për President, Bamir Topi. Nga ana tjetër, zgjedhja e delegatëve për Blushin ka veç të metave edhe diçka pozitive. “Të paktën delegatët po zgjidhen me parimin “anëtar një votë”, ndërsa kryetari i PS-së nuk pranon të zgjidhet”,- tha ai.
Drejtuesit e PS-së duket se i kishin marrë masat për kritikat e Blushit. Deputeti i Librazhdit Taulant Balla ishte dje në takimet e Ben Blushit gjatë procesit të votimit. Replikat mes tyre kanë vijuar live para kamerave të mediave. Blushi shprehte rezervat, kurse Balla mbronte qëndrimin e Ramës. Ndërsa Blushi deklaronte se nuk kishte asnjë problem personal me Ballën, por me procesin e zgjedhjeve në parti, Balla nuk i kurseu sulmet. Sipas deputetit Balla, “Blushi është turist në PS dhe flet njëlloj si Saliu”.
Situata e krijuar në Elbasan ka bërë që të ndërhynte dhe kreu i Partisë Edi Rama. Kryesocialisti, la përgjysmë takimin në Fier dhe u nis me urgjencë drejt Elbasanit, për të ndjekur procesin e zgjedhjeve mes socialistëve. Por ndërsa Balla e cilësoi Blushin si Berisha, Rama shkoi edhe më tej me akuzat e tij duke kaluar dhe cakun etik. “Procesi po ecën normalisht. Qentë le të lehin, karvani ecën papara”,- shkruajti Rama në rrjetin social në Facebook. Deklarata ishte pa emra konkret, por sulmi nuk ka dyshime që ishte direkt për Blushin. Shprehja frazeologjike me “qenë” dhe “karvanë” tregon se në garën e PS-së rivalët kanë filluar të mos e fshehin acarimin, duke kaluar dhe mirëkuptimin etik mes socialistëve. Nuk ka munguar dhe reagimi i Blushit ndaj kësaj fyerje të bërë nga Rama. “Këtë shprehje e kam dëgjuar nga Enver Hoxha. Nëse Edi Rama vazhdon citon Enver Hoxhën dhe vepron si Sali Berisha i bie të jetë në fund të karvanit”,- tha Blushi.
Sulmet ndaj Blushit dje kanë vazhduar dhe nga figura të tjera të PS-së. Diku me emër diku pa emër, gjithmonë socialistët dhe drejtuesit e PS u kujdesën ta kritikonin qëndrimin e deputetit që kërkon garë dhe respektim të statutit në parti. Më shumë se rezultati i votimeve apo procesi zgjedhjes së delegatëve, mbështetësit e Ramës u përpoqën të minimizonin kritikat e Ben Blushit. Zhvillimet e djeshme në Elbasan treguan se lufta mes Blushit dhe Ramës është hapur. Madje dhe veshja e kreut të PS me një xhaketë ushtarake të jepte idenë e një aksioni luftarak në PS.
Por dje pati dhe një zhvillim që tejkalon sherret. Teksa Ben Blushi dhe Taulant Balla debatonin ashpër për procesin e zgjedhjeve, një grup prej 20-30 socialistësh në hyrje së selisë së PS-së në Elbasan kërkonin punë. Me tone të ngritura u janë drejtuar si Blushit dhe Ballës se kur bënin fushatë në vitin 2013 u kishin premtuar punë. E sot, pas tre vjetësh në pushtet të PS-së ata ishin në rrugë dhe siç tha një prej tyre “pa punë dhe pa bukë”. Dikur socialistja e Beratit deklaronte për sherrin Meta-Nano, “nuk duam bukë, vetëm ju mos u zini”. Sot janë socialistët që më shumë se sherret në parti duan rezultate, duan punë nga qeverisja e majtë. Blushi ka kohë që flet për dështimin e reformave dhe mungesën e punësimet në PS.
Nga ana tjetër Edi Rama shkon në kongres i blinduar dhe me deputetët dhe delegatët pas vetes, të cilat sipas Blushit po zgjidhen me listë. Nuk dihet pse kryeministri acarohet kur fitoren e ka të sigurtë ndaj Blushit në kongres. Kjo është një pikëpyetje e madhe publike, siç edhe pyetja tjetër është se pse nuk votohet, derisa fiton bindshëm.