Plas sherri në PS, ish-ministri Tahiri sulmon Ramën dhe ish-ministren

Duke parë se po e tradhtojnë dhe po e hedhin në qelitë e burgut, pikërisht ish-miqtë e tij në mazhorancë, ish-ministri sulmoi dje kryeministrin dhe ish-ministren Kodheli.

Pas dy vite hetimesh, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje dënimin me 12 vjet burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurorët e akuzojnë për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Pas dy vite hetimesh Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje dënimin me 12 vjet burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurorët e akuzojnë për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Në dhënien e pretencës dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Saimir Tahiri është mbrojtur vetë duke dhënë argumentet e tij për akuzat. Ish-ministri ka deklaruar se në dy vite hetime prokurorët nuk kanë arritur të sjellin asnjë provë reale për akuzat që kanë ngritur. Gjithashtu, ish-ministri ka paraqitur një listë të gjatë me argumente dhe dokumente, që sipas tij, rrëzojnë gjithë serinë e akuzave nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjykata e Krimeve të Rënda nuk arriti dot të marrë dje një vendim lidhur me provat e sjella nga tre prokurorët dhe e shtyu çështjen për në datën 19 shtator. Avokatët e ministrit deklaruan se edhe nëse kjo gjykatë merr vendimin për dënim, çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë e cila do të bëjë një vlerësim të këtij procesi.

Procesi i djeshëm ndaj ish-ministrit nuk ishte interesant për shkak të pretencës, pasi siç tha avokati Maks Haxhia, kërkesën për 12 vite burg kishte kohë që ishte dekonspiruar nga vetë prokurorët në media. Ajo që bëri më shumë përshtypje dje ishin sinjalet që dha Saimir Tahiri për politikën dhe konkretisht për kupolën drejtuese të Partisë Socialiste. Që kur nisën akuzat e para ndaj tij dhe dalja e përgjimeve të Habilajve, Saimir Tahiri ka sulmuar këdo nga opozita dhe mediat, por asnjëherë Partinë Socialiste. Dje, shumica e mesazheve të koduara ose jo ishin drejt familjes së tij politike. Mesazhi i parë ishte për kryeministrin Edi Rama dhe nuk ishte nga ato sinjalet e koduara, por një apel i drejtpërdrejtë. Një nga bisedat e përgjuara që pretendohet se implikon Tahirin është ajo ku Habilaj flasin për “20 milionë euro” që kushëriri i tyre ministër ka përdorur në fushatën elektorale. “Nëse unë kam harxhuar 20 milionë Euro për fushatë, siç pretendohet, Prokuroria duhet të kishte bërë hatanë dhe hetimi duhet të shkonte deri tek Rama. Ç’është kjo parti që harxhon 20 milionë euro në fushatë”,- tha Tahiri. Përmendja e emrit të Edi Ramës në kontekstin e një zyrtari që duhet marrë në hetim është më shumë se kthesë në qëndrimet e Saimir Tahirit. Pas leximit të pretencës, që pavarësisht bindjeve të prokurorëve është e rëndë, ish-ministri duket se po ndjehet i tradhtuar nga kreu i qeverisë. Ndaj dje dha sinjalin e parë se nëse ai shpallet fajtor dhe i akuzuar për trafiqe miliona eurosh, në burg nuk do të shkojë i vetëm. Emri i parë që thirri në këtë apel, në deklaratën për mediat, jo rastësisht është Edi Rama.

Ndërkohë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësorë pa praninë e mediave, ish-ministri socialist ka folur për dokumente dhe shkresa që implikojnë emra të tjerë të qeverisë “Rama”. Lidhur me akuzën se ka favorizuar grupin kriminal të Habilajve për trafik droge, Tahiri ka deklaruar se si ministër ka informuar me dokument Ministrinë e Mbrojtjes, që në atë kohë drejtohej nga Mimi Kodheli, për problemin e radarëve të ushtrisë. Ndërsa sqarimin e dhënë për shpenzimet familjare, Tahiri ka deklaruar prokuroria nuk ka gjetur asnjë abuzim. Ai ka shtuar se në udhëtimet si ministër asnjëherë nuk ka shpenzuar për dhoma si ministrat e tjerë nga 1000 euro, por në faturat e tij shpenzimet janë nga 150. Aludimi është i qartë për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Akuzave dhe aludimeve të ish-ministrit Saimir Tahiri, dje ju përgjigj vetëm ish-ministrja Mimi Kodheli, e cila deklaroi se nuk ka pasur asnjëherë fikje të radarëve dhe nuk ishte nevoja për shkresa të ish-ministrit për t’u vënë në dijeni për një problem të tillë. Pretenca e prokurorisë duket se ka ndryshuar qëndrimet e ish-ministrit Tahiri. Nga ish-zyrtari që nuk fliste kurrë për Edi Ramën, vetëm në rast kur duhet t’a mburrte, dje Tahiri shfaqi anën tjetër të medalje. Atë të një të akuzuari që pasi ndjen se po i afrohet dënimi është gati të tregojë dhe bashkëpunëtorët nëse Gjykata e Krimeve të Rënda i konsideron hetimet të rregullta. Ndryshimi i qëndrimit të Tahirit hap një tjetër kapitull të rëndë në PS dhe qeveri, atë të kanabizimit të gjithë vendit në vitet 2014-2016. Kjo është një histori shtetërore dhe qeveritare që nuk ka përgjegjës vetëm Ministrin e Brendshëm dhe këtë mesazhi i çoi dje Tahiri ish-shefit të tij, Edi Rama.

Dhe vërtet Sajmir Tahiri asgjë nuk e ka bërë vetëm. Ndaj “kutia e Pandorës” po hapet nga pak.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP