Po bie e Majta
Qeveria hyn në konflikt me Greqinë “në emër të çamëve”, dhe vëllazërohet me Serbinë “në emër të kosovarëve”. Deklaron “problem zero” me fqinjët, dhe krijon “zero” në problemet e vendit…
Nga Frrok Çupi
…Për këtë arsye po bëhet gjithë kjo zhurmë në botë. E majta nuk dorëzohet kollaj, edhe e mbytur- diku kapet te rrënjët e pemës. Po kur vjen koha- vjen, rezistenca në shekullin e ri të demokracisë institucionale është një marrëzi. Hillary Clinton ku kulmoi drama e të Majtës, me aktin e fundit, thuajse krijoi një film pak minutash ku u simbolizua rënia. Siç tregoi media amerikane: Pas humbjes, hyri në sallën ku e prisnin anëtarët e stafit më të ngushtë. Shpërthyen të gjithë në lot, anëtarët e stafit, John Podesta, Bill Clinton dhe vetë Hillary. Ish- sekretarja e Shtetit mblodhi pak veten, porositi stafin që ta mbajnë të gjallë idenë e tyre (të majtë), “shkoni në shtëpi”-iu tha, dhe “nxirrini qentë shëtitje… kush të ketë”.
Kjo është e tëra. E majta ra nga maja e pompozitetit, në flluskë. Të gjithë elementët që nga arroganca, oligarkia, dinastia, shkelja e individit, elita liberale… deri te flluska- kjo është rruga e rënies.
Tani po bie e Majta në Europë, njësoj.
Në Austri: Zgjedhjet presidenciale që zhvillohen më 4 dhjetor, pritet të sjellin në pushtet Norbert Hofer. Norbert Hofer, kandidati i Partisë së Lirisë (FPO) që ka në qendër program anti- emigracion, sipas sondazheve, do të fitojë zgjedhjet. Fushata ndodhet nën efektin e fitores së Trump dhe të rënies së të Majtës.
Në Francë: Kriza e emigrantëve dhe rënia e fortë e popullaritetit të presidentit socialist François Hollande kanë ngritur rolin e liderit të Frontit Nacional, Marine Le Pen. Pas zgjedhjes së Donald Trump edhe vetë kryeministri Jean-Pierre Raffarin, pranon: “Po, Zonja Le Pen mund të fitojë në Francë”. Në prill zhvillohen zgjedhjet presidenciale.
Në Gjermani pritet që një Parti e re e krijuar para katër vjetësh, por me program të djathtë (AfD), “Alternativa për Gjermaninë”, të fitojë shumicë parlamentare. Në Itali, kryeministri majtist, Renzi, ka thërritur një referendum Konstitucional me idenë për të grumbulluar më shumë pushtet për vete. Efekti i rënies së të majtës dhe zgjedhjes së Trump, mund t’i kushtojnë shtrenjtë.
Njeriu më naiv mes majtistëve u tregua Jens Stolenberg, një ish- anëtar i Partisë së Punës, sekretar i NATO-s që bëri të njëjtën trajektore si Hillary: U ngrefos, sulmoi egër kandidatin Trump, dhe tani qahet se “Trump mund të mos na shikojë me sy”. Edhe ky në flluskë.
Cilat kolona i ranë të Majtës?
1.
Paketimi i pasurisë publike në një zarf ku shkruhet: “Elita liberale”. Fjala korrupsion u bë sa një thërrime para grumbullimit pa fund të parave në duar të “elitës” ose oligarkisë në pushtet. Etiketimi “elitë liberale” u krijua si një mashtrim i butë për masat, por në fakt copëtoi edhe vetë të majtën. Me masat njerëzore që këta e quajnë “popull” ose “populizëm”, krijuan hendek të thellë, ose “moçal” për të cilën Donald Trump lëshoi parullën “ta thajmë kënetën”! U kapen te “elita” dhe harruan klasën punëtore. Ndërsa brenda të të Majtës kanë krijuar splitin mes korporatave dhe majtistëve real. Në Partinë e Clinton tani po ndahen realët nga korporatat, dhe po krijojnë parti të Tretë. Në vendin tonë, e Majta ka miliarderët në kupolë dhe majtistë të varfër, të egërsuar kundër të pasuruarve. Presin që të fitojnë përsëri duke blerë votues.
Hera e parë në histori që paratë nuk e blenë dot pushtetin, u aplikua në Amerikë. Clinton mblodhi para pa fund; por pa fund. Megjithatë nuk e mori dot pushtetin. Edhe pse ky ishte një revolucion.
2.
Mashtrimi me nacionalizmin, me racat dhe me fenë. E majta, tradicionalisht ateiste, iu drejtua fesë për të mashtruar masa. Parullat e të majtës amerikane gjatë presidencialeve u ndalën fort në sulmin “fetar” kundër konservatorit Donald Trump. “Është kundër Myslimanëve!”, “Mjerë gratë shtatzëna se do t’u hapë barkun e t’i abortojë!” (dmth., kundër Vatikanit), “Trump me të bardhët!”, “Të shpëtojmë racën me ngjyrë nga rreziku Trump”, etj. Këto ishin parullat. Demagogjia e të Majtës nuk ka skrupuj; ndoshta kjo është arsyeja pse i lodhi njerëzit me inondata demagogjike.
Nacionalizmin e kthyen në ideologji. Ideologjia mbush barkun e uritur; kështu e përdorën edhe nacionalizmin, për të mbuluar vjedhjen e pasurisë dhe qeverisjen e keqe. Deri edhe në qeverisjen e majtë të vendit tonë e shikoni sa i shëmtuar shfaqet nacionalizmi. Qeveria hyn në konflikt me Greqinë “në emër të çamëve”, dhe vëllazërohet me Serbinë “në emër të kosovarëve”. Deklaron “problem zero” me fqinjët, dhe krijon “zero” në problemet e vendit.
Shumë të vjetruar, me nacionalizmin e para tre dekadave. Këtu ranë. Se ndërsa të majtët thërrasin “nacion”, të djathtët me Nacionalizmin fituan Brexit , Amerikanët me Nacionalizmin fituan “America great again”. Nacionalistët po fitojnë në Francë, në Austri, në Gjermani, etj. Por ky është Nacionalizmi i ri, nacionalizmi i epokës së Internetit. E Majta është larg tij.
3.
Majtistët jetojnë jashtë realitetit, o me realitetin e kaluar, o me realitetin virtual të krijuar prej tyre. Në shtetet e Bashkuara akoma po mashtrojnë njerëz se “kemi fituar, por po numërojmë”. Kanë nxjerrë në sheshe “protestues”, i paguajnë diçka dhe iu fryjnë sedrën revolucionare. Po përdorin artistët si mjete idioteske. Më i fundit që nuk po pranon se u mashtrua, ka mbetur De Niro: As në Kanada, as në Itali, as te Hillary… Të majtët aktualë po dështojnë duke u përpjekur që ta kthejnë shoqërinë nga homogjene në heterogjene. Dështimi i historisë. Nuk e keni parë “Rilindjen” këtu? Me paratë tona hap ekspozita në studiot më të shtrenjta. Lajnë në flori zyrat e qeverisë. Opozitën dhe opozitarizmin i bëjnë nul; ka veç një forcë- sipas tyre. Mediat i kanë futur në bark dhe i ushqejnë aty përbrenda.
4.
Goditja mbi Perëndimin. Majtistët përdorën disa ideologji për të “thërrmuar” planetin “The West”. Me multikuturalizmin u fshehën nga mbështetësit e tyre dhe i tradhtuan “për arsye globaliste”. Idetë e tolerancës pa kuptim shkatërruan qytetërimin perëndimor; ndërtuan shkolla me “pushtet minorancash” kundër shumicës, shartuan sjelljet dhe traditat e disa civilizimeve në mikstura monstra, hapën kufijtë që të hyjnë e të dalin pa kontroll…
Perëndimi nuk mund të falë më.